2013-03-08 16:32:43

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të e Kreshmëve “C


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore këtë të diele e avancon, e paraprijnë gëzimin e Ngjalljes së Krishtit, një gëzim që buron nga bindja se duam që Ai të na falë e të na shpëtojë. Kështu pra leximet biblike e në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit na thërret të gëzohemi në Zotin sepse Ai na del para në takim dhe na ofron mëshirën e vet hyjnore.
Arsyeja e parë e gëzimit është afërsia e Zotit ndaj atyre që e kërkojnë. Arsyeja e dytë është falja që Zoti iu dhuron atyre që kthehen tek Ai me zemër të sinqertë.
Në pjesën Ungjillore të kësaj së diele, Jezusi na tregon se Hyj është Atë dhe e do shpëtimin e çdo biri e bije. Zoti Atë që pret, me durim e dashuri, çdo fëmijë të vetin, që është larguar prej tij; Zoti është Atë që nxit, zgjon në zemër të mëkatari dëshirën e kthimit, për të mundur të jetojë në bashkim të thellë me Të: Hyj është Atë që mëshirën e shndërron në gurrë të jetës së re për Kishën e mbarë njerëzimin. Pra, ti bashkohemi gëzimit të Zotit e të festojmë e të gëzohemi edhe ne, për çdo mëkatarë që kthehet me gjithë zemër tek Hyji.
E tani ti dëgjojmë së bashku Fjalën Hyjnore, në mënyrë të veçantë pjesën ungjillore të kësaj së diele e cila është një poemë e përdëllimit dhe e mirësisë së Zotit e pastaj komentin e leximeve biblike.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Joz 5, 9 a. 10-12

Pas kalimit të lumit Jordan dhe hyrjes në tokën e premtuar fillon një fazë e re në historinë e shpëtimit dhe izraelitët kremtojnë Pashkët që paraprin Pashkët e krishtera. Në shkretëtirë hebrenjtë merrnin manën (ushqimin), dhuratë e Hyjit që Ai e jepte çdo ditë. Tani ushqimi që i ushqen është edhe frut i punës dhe i vullnetit të tyre për ta bërë pjellore tokën e tyre.

Lexim prej Librit të Jozuehut

Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit.” Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit, dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.
Fjala e Zotit.

Psalmi 34

Zoti është afër atyre që e kërkojnë
-----------
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
----------
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
-----------
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e
Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi
nga të gjitha vuajtjet e tija.
----------
Leximi i dytë 2 Kor 5, 17-21

Krishti na ka pajtuar me Atin. Jeta e tij dhe mesazhi i tij kanë këtë domethënie për ne: hir, falje, bamirësi, paqe, nga ana e Hyjit drejt njeriut. Të gjithë këtë Jezusi na e ka dhuruar duke marrë dobësinë tonë. Ndërsa Jezusi nga një anë duke u bërë solidar me jetën tonë të mjerë, Ai na bën pjesmarrës në vetë jetën e Hyjit.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit.
Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.
Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them:
‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e kundër teje!’
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Lk 15, 1-3.11-32

Shëmbëlltyra e djalit të humbur na bën të kuptojmë misterin e errësirës dhe të vdekjes që vepron në rebelimin ndaj vullnetit të dashurisë së Atit qiellor, dhe nga ana tjetër madhështinë e pafundme të mëshirës së tij për fëmijët që e tradhtojnë dhe e ofendojnë pa e kuptuar greminën në të cilën kanë rënë.
Kisha egziston sot falë mëshirës së Hyjit e nëpërmjet këtij veprimi dashurie Hyji ka themeluar popullin që jemi ne, të përbërë nga bij të humbur dhe dele të humbura.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.”
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda.
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.
E diela e katërt e Krezhmëve: Meditim
E bëre për ne, o Krisht,
na vure para një Ati
që rregulla s’ respekton,
një Ati që do pa masë,
një Ati që ua kalon të gjithë etërve,
të cilët jetuan mbi tokë
e edhe atyre që do të vijnë.
Ti sot na flet për një Atë,
që trashëgimin e ndanë
në sa është gjallë,
një atë i cili s’e ndalon
birin që do të niset,
që e lë të lirë
deri plangprishësin.
E bëre për ne, o Jezus,
ky Atë ne na çudit:
“Kush është i dhimbshëm si ai?
Kush do të vraponte me lot në sy
për të pritur një bir
që shkapëderdhur ia ka gjysmën e pasurisë?
Kush do të mendonte për të shprehur vetëm gëzim,
veç dashuri atërore?
E kush do ta vishte përsëri,
me rrobat që i përkasin si bir,
pasi ka ikur duke përplasur portën
e kthyer është mbuluar krejt me rrecka?
E bëre për, o Krisht,
që të gjithë ta merrnin vesh
se Zoti s’është ashtu si e përfytyrojmë.
Zemra e tij nuk rreh sipas rregullave tona
të vjetra, të ngurta.
S’është zemër guri zemra e Zotit,
rreh zemra e tij
me dashuri të pakufi.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele të 4-të krezhmëve, mund të dëgjoni këtu..........RealAudioMP3

Homelia e dielës së 4-të të Krezhmëve
Ketë të diele të I4-të të kohës së Krezhmëve mund ta përkufizojmë si “e diela e Atit te mëshirshëm”. Pjesa e ungjillit që dëgjojmë këtë të diele është një nga pjesët më të famshme të ungjijve në përgjithësi, e lexuar dhe e komentuar shumë nga të krishterët gjatë gjithë shekujve. Me shumë mjeshtri ungjilltari na paraqet një realitet sa të dhembshëm aq edhe të bukur. Por le të meditojmë me radhë leximet e kësaj të diele, sigurisht duke u ndalur më së shumti ne pjesën e ungjillit.
Ne leximin e pare na tregohet përfundimi i shtegtimit të gjatë të popullit të Izraelit. Më në fund ata mund të hanë nga frytet e tokës së premtuar. E gjitha kjo është një dhuratë e Zotit: çlirimi nga skllavëria e Egjiptit dhe dhënia e tokës së premtuar. Ne leximin e dyte Shën Pali na flet për pajtimin e njeriut me Zotin nëpërmjet dhe në Krishtin e i fton te krishterët të pajtohen me Hyjin. Sikurse shohim dalin ne pah dy tema të rëndësishme për jetën tonë shpirtërore. Së pari dashuria paraprijëse e Hyjit dhe së dyti nevoja e pajtimit me Hyjin në Jezu Krishtin. Të dyja këto tema janë të pranishme në leximin e ungjillit të Lukës.
Kryefjala e historisë së Lukës është Ati: “Një njeri kishte dy djem...”. E me pas Luka na tregon historinë e këtyre dy djemve. Me i vogli i kërkon të atit pjesën e pasurisë dhe ikën ne një toke tëe largët, ndahet nga i Ati dhe nga i vëllai. Me tej shëmbëlltyra na tregon se çfarë beri dhe ku shkoi djali i vogël qe përgjithësisht ne historinë e krishterimit është quajtur djali plangprishës. Babai nuk bëri asgjë për të ndalur djalin e vogël, ai iku vetë dhe në largimin e tij u la krejtësisht i lirë. Është ajo liri që shpeshherë ne kërkojmë larg Zotit, një liri pa Zotin. Shtëpia e Atit e ngushton djalin dhe për këtë arsye ai ikën me shpresën se do të jetë më i lirë dhe se do të dijë ta organizojë jetën e tij larg Atit. Këtu del në pah një karakteristik e Atit që është ajo e lirisë. Zoti është i lirë dhe na ka krijuar të lirë e ma le të lirë në vendimet e veprimet tona. Ai nuk bën asgjë pa lejen e pëlqimin tonë, brenda nesh. Por ajo që na bën të reflektojmë është fakti se çfarë sjell një liri e jetuar larg Zotit dhe një liri e jetuar me Zotin. Duke ndjekur ngjarjet e djalit plangprishës shikojmë se shkëputja nga i Ati e çon atë drejt degradimit total, drejt shthurjes dhe varfërimit total, drejt humbjes së identitetit të tij. Nga biri i një babe ai kthehet në skllav të kujtdo që i jepte diçka për të mbushur barkun, madje nuk mund të hante as ushqimin e kafshëve.
Pasoja e parë e shkëputjes dhe jetimit te lirisë larg Zotit është pikërisht humbja e identitetit qe njeriut i vjen vetme nga krijuesi i tij. “Liria nga Zoti” shkakton tek njeriu skllavërinë, pamundësinë dhe paaftësinë totale. Sa herë e ndjejmë veten skllevër të mëkatit pikërisht sepse kemi dashur të jetojmë vetëm me aftësinë tone për te rregulluar jetën, pa e ulur kurrë kokën dhe pa pranuar qe Zoti është ai qe na udhëheq dhe qe i jep kuptim jetës tone? Larg Zotit nuk mund te këtë veçse skllavëri, veçse varësi nga gjera qe nuk janë Zot. Dhe kjo mund te dallohet shume lehte sepse do te jemi gjithnjë te pangopur, gjithnjë e me shume ne kërkim te gjerave qe me pas do te na lënë me bosh se përpara. E atëherë rruga e kthimit...! Ne degradimin e tij total, një mendim i lumtur për djalin plangprishës. Kujton shtëpinë e te Atit, kujton se atje edhe shërbëtorët hane me mire se ai. E atëherë dëshiron te jete me mire një shërbëtor i te Atit se sa skllav i dikujt tjetër, i një te huaji, i një te pa emër. Atëherë kthehet, merr rrugën e kthimit. Sigurisht ne nuk na përshkruhet rruga e kthimit por sigurisht do te këtë qene një rruge e vështirë. Kujdesi i ungjilltarit është te na tregoje se çfarë e priste ne shtëpi. Djali ishte përgatitur te kërkonte falje, t'i thoshte të Atit që ta pranonte te paktën si një shërbëtor të vetin, por gjendet përballë një befasie te mrekullueshme. I Ati e priste, Zoti na pret. Ai na shikon nga larg. Ka kohe qe është te dera dhe pret e na sheh nga larg. Një shenje fare e vogël e pendesës sonë dhe ai është gati për te na marre me vete. Nuk ka nevoje as për shume fjale, sepse ai njeh çdo gjë te zemrës tone sepse ai “na njeh dhe na shqyrton, e di kur ulemi dhe kur çohemi...”.
Në vend të dënimit djali i vogël gjen krahët e hapur të Atit dhe festën qe ai përgatit për te. “Ka me shume gëzim ne qiell për një mëkatar qe kthehet se sa për 99 te drejte”. Pajtimi me Hyjin është se pari një feste e Zotit. Është ai qe organizon festen, është ai qe gëzohet i pari, është ai qe merr iniciativën, sepse ka gjetur birin e tij. Djalit i kthehet edhe një here dinjiteti dhe identiteti bijësor. Ai tani nuk është me skllav, as shërbëtor. Ai tani është bir. Ka kuptuar se liria e vërtetë qëndron pranë Zotit. Edhe njëherë mëshira e Zotit fiton mbi mëkatin e njeriut, mbi largimin e njeriut nga burimi i dashurisë drejt joshjeve te mëkatit. Por ende historia nuk ka mbaruar...! E si gjithnjë misteri i jetës me Zotin mbetet mister deri ne fund.
Djali i madh është pjesa tjetër e historisë. Ai qe ka qene afër Atit gjithë kohen qe djali tjetër ishte duke jetuar një jete te shfrenuar. Ai gjithmonë i ka shërbyer te Atit, ka qene besnik ne çdo gjë. Vete ungjilli na tregon se atë dite ai po kthehej nga puna. Ka qene duke kryer detyrat e tij te ditës.
Mund te themi me shume bindje se ai është besimtari i përsosur, formalisht i patëmetë. Kryen gjithçka ne rregull. Shkon ne meshe çdo te diele, rrëfehet rregullisht, është një meshtar apo rregulltar qe këshillat e ungjillit, pastërtinë, dëgjesën, varfërinë i jeton ne mënyrën me te mrekullueshme. Nuk ka çfarë të thotë asgjë askush për te. Por valle pse ai ngurron dhe nuk e pranon vëllain e tij? A do te hyje valle ne shtëpinë e te Atit për te festuar bashke me te dhe me te vëllain? Ungjilli nuk na e tregon, nuk na thotë asgjë dhe për ne mbetet një mister. Pse valle vepron kështu? Sigurisht kush nuk e ka jetuar shërbimin ndaj Zotit dhe marrëdhënien me te si një marrëdhënie dashurie, por vetëm një marrëdhënie formale, nuk do te kuptoje kurrë arsyet e dashurisë se Atit i cili pranon një mëkatar. Djali i madh kishte harruar qe “Zoti nuk do vdekjen e mëkatarit, por qe ai te kthehet dhe te jetoje”. Ndoshta nuk kishte dëgjuar fjalën e Zotit qe thotë: “Mos shqyeni petkat, por zemrat tuaja”. Ndoshta sepse me shume kishte qene një skllav i ligjit se sa një bir i Atit.
Jemi te thirrur te gjithë te meditojmë gjate e te gjejmë vendin tone ne ketë shëmbëlltyrë kaq te bukur. Ne jo vetëm jemi nevojtare për kthim te Zoti dhe për këtë duhet te bindemi çdo çast te jetës tone, po jemi te fundit qe duhet te japim leksione morali. Te shohim me pare traun ne syrin tonë se sa lëmishten ne syrin e tjetrit. Sa here endemi larg burimit te jetës dhe ushqehemi vetëm me bindjet tona, me ndjesitë tona, me planet dhe programet tona, me krenarinë tone. Sa here harrojmë te ushqehemi me ushqimin e vërtetë qe është Fjala e Hyjit dhe Eukaristia e shenjte. Sa here e marrim te padenje këtë ushqim e për këtë kemi me te vërtetë një guxim te jashtëzakonshme...! Te gjejmë rrugën e kthimit dhe te nisemi drejt shtëpisë se Hyjit. Mund te jemi te lodhur te rraskapitur nga jeta dhe nga mëkati. Nuk ka problem. Ati na pret... me krahë hapur! Nuk ka asnjë fjale dënimi për ne vetëm fjale dashurie. Një here qe na ka prekur kjo dashuri dhe na ka përfshirë tërësisht duhet te jemi te vetëdijshëm se si te krishtere na thotë Shën Pali “jemi ambasadore te dashurisë se Hyjit”, për te pajtuar boten me te, për te pajtuar te tjerët me te. Dhashtë Zoti qe te gjejmë rrugën e kthimit dhe te gëzohemi bashke me Zotin për çdo njeri qe kthehet edhe pse mund te kemi paragjykime për te, për te kaluarën e tij, edhe sepse ndoshta dimë shume gjera qe ai apo ajo ka bere. Para Zotit nuk ka rendësi e pse duhet te këtë për ne? “Na ndihmo o Zot te gjejmë rrugën e kthimit dhe te pajtimit me ty, qe te jemi ne vete shpallës te dashurisë tende, jo pse e kemi mësuar diku, por sepse e kemi provuar ne zemrën tone. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.