2013-03-08 17:59:27

Imzot Mambertì: Kisha universale është në shërbim të njeriut


Në ditët që i paraprijnë Konklavit, i cili do të zgjedhë pasardhësin e Benediktit XVI, mjetet e komunikimit dhe opinioni publik po përqendrohen tek shkandujt, që e kanë prekur Kishën në gjirin e saj si dhe tek rreziqet, që mund ta kërcënojnë, në se do të vendoste t’i përjashtonte pyetjet e pashmangëshme, që karakterizojnë shoqërinë e shekullarizuar të Mijëvjeçarit të tretë. Kështu, me frymë të sëmurë, më shumë se me dëshirën për të njohur, shkohet nga përmbajtja e Relacionit mbi rastin “Vatileaks”, tek hamendja se brenda mureve Leonine ka loby gay, tek problemi i pedofilisë, që shtyhet deri në atë masë, sa ta pengojë ndonjë kardinal të hyjë në Kapelën Sikstine, tek lufta për pushtet e për të shtënë në dorë drejtimin e IOR-it, Institutit për Veprat Fetare.
Shumë duket se e kanë harruar rolin universal, “katolik”, rol themelor, që luan Kisha në botë. Posaçërisht në botën e globalizuar e që shprehet jo vetëm përmes funksioneve të Sekretarisë së Shtetit e të nuncëve apostolikë, të pranishëm në të katër skajet e botës (Selia e Shenjtë sot ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me 180 vende, nga 193, që bëjnë pjesë në OKB), por edhe, e sidomos, përmes veprimtarisë së dëshmisë, duke rezistuar shpesh përballë dhunës e forcave të së keqes, të qindra ipeshkvijve e misionarëv, të cilët e ushtrojnë misionin e tyre baritor në rrethana dhune e lufte. Mjafton të mendojmë për trojet e Afrikës saheliane e subsahariane, me shpërthimet e fondamentalizmit islamik; për Azinë e Kinën, ku liria fetare merret nëpër këmbë, në se Kisha nuk i nënshtrohet vullnetit të autoriteteve politike qëndrore; për Amerikën Latine, ku ka ende ndikime të forta të teologjisë së çlirimit e të përkimit të papranueshëm ndërmjet marksizmit, luftës së armatosur e krishterimit.

Duke folur në takimin “Feja e diplomacia”, organizuar nga Universiteti Katolik i Milanos, nën kujdesin e Arkivit Sekret të Vatikanit e të Komitetit Papnor të Shkencave Historike, sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Dominik Mamberti, citoi fjalët e Papës së nderit, Benediktit XVI, në koncistorin e fundit: “Kisha, që në zanafillë të saj, ka prirjen të rrokë mbarë universin”. Ishte vetë Jezusi Ai, që e themeloi teologjikisht këtë universalitet, kur u tha dishepujve të vet: “Shkoni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjitha krijesave”. Të gjithë kanë mundësi ta vlerësojnë, vijoi imzot Mambertì, veprimtarinë e ndërmjetësimit, që kryen diplomacia papnore në rrethanat ndërkombëtare e në të katër anët dëgjohen fjalë lavdërimi kur flet Papa, për të mbrojtur paqen (mjafton të kujtojmë fjalët e Benediktit XVI për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, që nuk janë as të parat e as të fundit).
Gjithsesi jo gjithnjë pranohet se, që ky zë të mund të ngrihet, duhet mbrojtur liria e Kishës e aftësia e saj për të dhënë gjykime morale edhe për çështjet, që kanë të bëjnë me rendin politik, kur kjo kërkohet nga të drejtat themelore të njeriut e nga detyra për të shpëtuar shpirtrat, siç pohohet në “Gaudium et Spes”. Promovimi i lirisë fetare, që ka të bëjë me njeriun e që bazohet mbi vetë natyrën e tij, duke shprehur edhe përmasën shoqërore, shpesh ngatërrohet me ndërhyrjen e Selisë së Shenjtë në punët, që u takojnë autoriteteve civile, me të cilat hyn në kontakt. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndërhyrje, nënvizoi ipeshkvi francez, që drejton ‘Ministrinë e Jashtme’ të Vatikanit që nga shtatori 2006, por për të ndriçuar ndërgjegjet, përmes mbrojtjes së parimeve, që nuk mund të tregtohen, siç janë e drejta për jetën, edukimi si burim i paqes, vlerat e bamirësisë në mbrojtjen e më të ligshtëve. Kështu, liria fetare u paraprin të gjitha lirive të tjera të njeriut, të gjitha të drejtave: është e drejta e parë, sepse secili duhet të jetë i lirë të kërkojë të vërtetën, pa iu kundërvënë ndërgjegjes së vet. Njëri është kusht, për realizimin e gjithë të tjerëve. Prandaj feja nuk mund të kufizohet në sferën private, siç do të dëshironin laicistët, por fe e arsye duhet të bëhen shtyllat, mbi të cilat ngrihet shteti modern i së drejtës, pikërisht sipas mësimeve të papnisë ratcingeriane.

Ndërsa nuk duhet harruar, përfundoi imzot Mambertì, se edhe debati ndërkombëtar përshkohet nga logjika relativistike, që e shikon si të vetmen garanci të bashkëjetesës ndërmjet popujve, mohimin e së vërtetës mbi njeriun dhe mbi dinjitetin e tij. E kjo është edhe sfida më e madhe, që e pret Kishën e Mijëvjeçarit të tretë dhe Papën e ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.