2013-03-08 15:49:35

Atë Lombardi: ka shumë mundësi që Konklavi të nisë nga fillimi i javës së ardhshme.


Sot paradite me 8 mars drejtori i Sallës Vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi e nisi takimin tradicional me gazetarët, në përfundim të Kongregacionit të shtatë të përgjithshëm të Kolegjit Kardinalor, duke njoftuar se gjatë ditës do të votohet për caktimin e datës së fillimit të Konklavit. Ka shumë mundësi, tha Atë Lombardi, që Konklavi të nisë në fillim të javës së ardhshme.

Sot paradite ishin të pranishëm 153 kardinaj dhe të gjithë 115–të kardinajtë zgjedhës. Akti i parë i rëndësishëm i paradites së sotme, tha atë Lombardi, lidhej me Kushtetutën “Universi Dominici Gregis”, sipas së cilës, Kolegji i Kardinajve duhet të njohë arsyet e mungesës së zgjedhësve, që nuk erdhën. Janë dy zgjedhës, të cilët njoftuan se nuk do të vinin, tha atë Lombardi: kardinali i nderit i Xhakartës, Julius Darmaatmadja dhe kardinali O’Brien, për shkaqe, të cilat i komunikuan. I pari, për arsye sëmundjeje e i dyti, për arsye personale. Kolegji Kardinalor i pranoi, me votë, këto arsye.

Sot paradite pati 18 diskutime, kështu këto ditë kanë diskutuar gjithsejt më se njëqind kardinaj. Janë të paktë kardinajtë, që e morën fjalën dy herë, tha atë Lombardi. Ndërmjet argumenteve, për të cilat u fol sot paradite, kujtojmë dialogun ndërfetar, bioetikën, drejtësinë në botë. Atë Lombardi shtoi se u fol edhe për rëndësinë e kumtit pozitiv të krishterimit, të kumtimit të dashurisë e të gëzimit, që buron prej tij e kumtimin e mëshirës, duke kujtuar Gjon Palin II dhe temën e mëshirës. U fol edhe për kolegjialitetin, temë që, tha drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, rikujtohet shpesh në drejtimin e Kishës. E kardinajtë nuk harruan të theksojnë edhe rolin e gruas në Kishë e në botë, pikërisht sot, që gratë janë në festë.

Nesër paradite, njoftoi atë Lombardi, do të mbahet Kongregacioni, ndërsa pasdite nuk do të ketë takim të ri. Të gjithë kardinajtë, kujtoi atë Lombardi, janë titullarë të një kishe të Romës e, prej këndej, kanë lidhje shpirtërore me këtë kishë. Një aspekt tjetër i vogël interesant, vijoi atë Lombardi, është nisma e kanalit të internetit “Adopt Cardinal”, në të cilin aderojnë shumë njerëz, që marrin emrin e një kardinali, për të cilin luten posaçërisht. Më se 220 mijë njerëz u shkruan e marrin pjesë në këtë lëvizje lutjeje, me ndihmën e këtij kanali.







All the contents on this site are copyrighted ©.