“Në këtë moment posaçërisht të rëndësishëm, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit
bashkohet me mbarë Kishën në lutje për Papën e ardhshëm”. Kështu lexohet në tweetin
e parë të faqes zyrtare të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit @TerzaLoggia (nga emri
ku gjendet Sekretaria e Shtetit në Pallatin Apostolik në Vatikan). Pra vazhdon vëmendja
e Selisë së Shenjtë ndaj botës së social network, që muajve të kaluar pati kulmin
me hapjen e faqes zyrtare të Papës, që mbeti aktive deri në ditën e fundit të papnisë
së Benediktit XVI. “Faleminderit për dashurinë tuaj e mbështetjen tuaj – shkroi atë
ditë Benedikti XVI – Urimi për ju është ta përjetoni përherë gëzimin në vendosjen
e Krishtit në qendër të jetës tuaj”.