2013-03-07 15:44:05

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, kardinajtë dje u gjunjëzuan në lutje për Kishën


Me rastin e Kongregacioneve të përgjithshme të Kolegjit kardinalor, dje pasdite, pranë Elterit të Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, u mbajt një kremtim lutjeje. Bazilika madhështore u mbush plot me besimtarë, që u bashkuan me kardinajtë, pjesëmarrës, këto ditë, në Kongregacionet e përgjithshme në pritje të Konklavit. Lutjet mbrëmësore i kryesoi kardinali Anxhelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit.

Era e fortë dhe shiu i rrëmbyer nuk i penguan besimtarët të bashkohen me kardinajtë, në lutje për Kishën. Në bazilikën e Shën Pjetrit, kardinaj e besimtarë thanë së bashku Rruzaren Shenjte, paraprirë nga Misteret e Lumnisë, shqiptuar në latinisht e italisht. Pastaj fretërit e Sakrestisë ekspozuan të Shenjtnueshmin Sakrament. Ekspozimi u pasua nga disa çaste adhurimi, gjatë të cilave të gjithë të pranishmit u gjunjëzuan para Krishtit. Ndjehej fort në Bazilikë nevoja për t’iu lutur Zotit, në këtë kohë kaq të rëndësishme për jetën e Kishës. E pikërisht këtë theksuan besimtarët e pranishëm, rregulltarët, rregulltaret e laikët, të rinjtë e pleqtë. Të dëgjojmë si po e jetojnë këtë çast:

Përgjigje: - Me shumë lutje, me lutje të posaçme. Në këtë çast duhet t’i lutemi Shpirtit Shenjt t’i shndrisë kardinajtë, që të zgjedhin një Papë sipas zemrës së Krishtit, një Papë, si ai që kishim.

Përgjigje: - Mendoj se lutja është gjëja më e rëndësishme, që duhet bërë këto ditë; pikërisht për të ka më shumë nevojë Kisha. Edhe Papa i ri do të ketë nevojë për lutjet tona, për lutjet e të gjithë besimtarëve...

Pyetje: - Pse erdhët këtu, në Shën Pjetër: të luteni me kardinajtë?

Përgjigje: - Sepse kështu shprehet më mirë bashkimi, që duam të kemi me Kishën, me kardinajtë...

Përgjigje: - Më duket e nevojshme që kardinajtë dhe besimtarët të gjunjëzohen së bashku në lutje, në pritje të Konklavit e deri në përfundim të tij, kur do të kemi Papën e Ri!







All the contents on this site are copyrighted ©.