Më 7 mars kalendari kujton shenjtoret Perpetua e Feliçita
Më 7 mars kalendari Kishtar përkujton shenjtoret Perpetua e Feliçita, martire.
Të arrestuara, në sa ishin ende katekumene, Perpetua, nënë njëzetedyvjeçare e një
ferishteje, ende për gjinit dhe skllavja e saj, Feliçita, edhe ajo nënë e re e një
foshnjeje, lindur në qelitë e burgut, u pagëzuan me ujin e sakramentit pak para se
të pagëzoheshin me gjakun e tyre, derdhur për t’i qëndruar besnike Krishtit. U munduan
t’i bindnin për të hequr dorë nga feja e krishterë: armiqtë e Zotit - me tortura e
me vdekje; familjarët - me lutje e me lot. Për të shpëtuar jetën mjaftonte vetëm një
fjalë, vetëm një gjest: t’i thonin “jo” Krishtit e të gjunjëzoheshin para idhujve.
Dy Martiret - siç na kujtojnë Veprat e Martirëve, shkruar nga Tertuliani, shkuan
krah për krah drejt vdekjes, ashtu siç shkohet në një festë. Ishte data 7 mars e vitit
203. Ato i priste një shfaqje e tmerrshme, tragjike, organizuar në amfiteatër, ku
personazhet ishin dy nënat e reja e bishat e egra. Vdekje spektakolare. Perpetua e
Feliçita hynin në Kishë me martirizimin, që fillonte në arenë, ku bishat rrëzonin
përdhé të dënuarit me vdekje. Perpetua pa Feliçitën duke rënë, e larë në gjak, nën
goditjen e brirëve të buallit të egër. U përpoq ta mbështesë, po brirët nisën vallen
e vet mbi veshjet e saj prej matrone e mbi trupin e saj të brishtë. Qëndrimi i nënës
së re tronditi edhe turmën armike, duke krijuar çaste emocioni e mëshire. Por pastaj,
e dehur nga gjaku i martireve, turma rifilloi ulërimën, kërkoi vdekjen e dy nënave
të përqafuara, shndërruar në një grumbull mishi të përgjakur, që përpëlitej për tmerr.
Atëherë një ushtar me shpatë zhveshur iu afrua martireve: dy koka u rrokullisen në
arenë, për të ngopur etjen e turmës për gjak. Kjo, që po tregojmë, ngjau në kohën
e sundimit të Septim Severit, në Kartagjenë, në veri të Afrikës. Nuk është përrallë,
as emfazë: është një e vërtetë historike, që flet vetë për madhështinë e fesë së krishterë. Dy
nënat e shenjta u martirizuan bashkë, bashkë u lartuan në nderimet e elterit e po
bashkë kremtohen sot nga Kisha. Emri Feliçita vjen nga latinishtja e do të thotë
“e kënaqur, e lumtur”; në sa Perpetua - gjithnjë nga latinishtja - do të thotë “me
fe të patundur”.Të dyja shenjtoret kanë si simbol palmën e martirizimit.