2013-03-07 15:43:23

Kongregacionet e kardinajve me 7 mars: gjithnjë në pritje të datës së Konklavit. Atë Lombardi: konfrontime mbi tema të forta për Kishën


Sot me 7 mars paradite, në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, u mbajt Kongregacioni i pestë i përgjithshëm i Kolegjit kardinalor, në pritje të Konklavit. Pasdite, Kongregacioni i gjashtë. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, u takua përsëri me gazetarët: pohoi, sidomos, se nuk është marrë ende asnjë vendim për datën e mbledhjes së Konklavit. 152 kardinaj ishin të pranishëm në Kongregacionin e pestë. Mungon ende vetëm një kardinal me të drejtë zgjedhore, vietnamezi Pham Minh Man, që duhet të arrijë sot.

Atë Lombardi, pastaj, përgënjeshtroi lajmin e një agjencie, sipas së cilës “Ceremonierët papnorë kanë prenotuar një Meshë ‘Pro eligendo Pontefice (Për zgjedhjen e Papës) në Bazilikën e Vatikanit për të hënën pasdite. Prej këndej, Konklavi do të nisë të hënën”.
Imzot Marini, Mjeshtër i Kremtimeve papnore, i pyetur nga atë Lombardi, saktësoi se nuk ka bërë kurrfarë prenotimi për këtë Meshë të hënën pasdite. Ndërmjet tjerash, vijoi atë Lombardi, nuk është detyrë e Mjeshtrit të Kremtimeve të prenotojë Bazilikën e Shën Pjetrit; ky është njoftim, që pason vendimin e Kolegjit të kardinajve. Prandaj, pohoi, lajmi nuk ka kurrfarë baze. Më pas drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit sqaroi se një Meshë për zgjedhjen e Papës mund të kremtohet nga të gjithë meshtarët këto ditë, për t’iu lutur Shpirtit Shenjt që ta ndihmojë Kishën në këtë situatë. Pra nuk është e thënë që çdo ‘Missa Pro eligendo Pontefice’, të jetë edhe Meshë e fillimit të Konklavit.
Sot u hodh shorti për tre anëtarët e tjerë, që do të ndihmojnë kardinalin kamerleng. Janë: kardinali Rai, për Urdhërin e Ipeshkvijve; patriku maronit, kardinali Monsengwo, për Urdhërin e Presbiterve dhe kardinali De Paolis, për Urdhërin e Diakonëve, të cilët zunë menjëherë vend në kryesi. Detyra e tyre do të vijojë tri ditë.

Dje, tha atë Lombardi, u kërkuan informacione për një mesazh a telegram të mundshëm, me rastin e vdekjes së presidentit venezuelan, Hugo Chavez: e sot paradite kardinali dekan lexoi tekstin e një telegrami, që iu dërgua, në emër të Kolegjit kardinalor, qeveritarëve të Venezuelës, konkretisht, Maduros, në krye të detyrës, në këtë çast, pas vdekjes së Presidentit Chavez.

Sot paradite u mbajtën 16 diskutime: tre të parët, nga ana e drejtuesve të dikastereve ekonomike, kardinajve Versaldi, Calcagno e Bertello. Versaldi është Prefekt i Prefekturës për Çështjet Ekonomike; Calcagno, President i Administratës të Pasurisë së Selisë Apostolike (Apsa); Bertello, president i Governatoratit. Në Kushtetutën Apostolike ‘Pastor Bonus’, në numrin 117, vijoi atë Lombardi, shkruhet se kamerlengu, në rastin e Selisë vakante, duhet të parashikojë organizimin e relacioneve informative për gjendjen materiale ekonomike të Selisë së Shenjtë (Pastor Bonus, neni 171, paragrafi 2).
Prej këndej, në përkim me këtë nen, sot paradite kamerlengu kërkoi t’u jepej fjala, gjë që u pranua, tre krerëve të dikastereve kompetente, të cilët diskutuan shkurtimisht, pa u zgjatur e sipas kompetencave të tyre. Natyrisht kardinajtë janë në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Kolegjit për njohjen më të thellë e të detajuar të problemeve, që u interesojnë.

Kuptohet, shtoi atë Lombardi, se procedura për t’i pasur të gjitha bilancet në formë të plotë, kërkon kohë të ndryshme çdo vit; prej këndej, kjo ishte procedurë për të dhënë njoftime themelore e përmbledhëse, në një kohë të shkurtër.
Ndërmjet tjerash, tha atë Lombardi, fjalimet u mbajtën sipas rendit të kërkesës për të folur e jo sipas tematikës së diskutimit. Kështu u prekën përsëri temat e Ungjillëzimit, të impenjimit të Kishës në botën e sotme, të profilit e të shpresave për zgjdhjen e Papës së ri etj etj… Sot paradite u fol edhe për dialogun ekumenik si dhe për bamirësinë dhe impenjimin e Kishës në ndihmë të të varfërve. Atë Lombardi nënvizoi se pati edhe një ndërprerje prej një gjysëm ore, gjatë të cilës kardinajtë mundën të shkëmbejnë mendime, të caktojnë takime ose të kërkojnë informacione të tjera plotësuese për problemet, që u interesojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.