2013-03-07 11:44:34

Dom Gaspër Gjini, meshtar e historian, në përvjetorin e vdekjes


Si sot, më 7 mars 1985 ndërroi jetë prifti e historini i shquar kosovar, dom Gaspër Gjini. Meshtari i jashtëzakonshëm e studiuesi i madh, dr. dom Gaspër Gjinit, nga Kosova, lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë.
Gaspri u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve filozofike e teologjike në Universitetin Papnor Urbaniana, më 1968 mbrojti doktoratën me temën “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”.
Pjesën më të madhe të jetës, dom Gaspër Gjini ia kushtoi veprimtarisë ungjillëzuese e baritore, në fillim si sekretar i ipeshkvit të asaj kohe, më pas si kancelar i dioqezës së Shkup-Prizrenit dhe si famullitar në Ferizaj e së fundi në Shkup. Vite me radhë shërbeu si kryetar i Gjyqit kishtar të dioqezës së përmendur dhe si studiues e bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”. Gjatë kësaj kohe don Gaspër Gjini përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore” dhe shkrime tjera të rëndësishme mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit, duke shpalosur kështu para botës shqiptare mësimet e reformat e rëndësishme kishtare që solli Koncili II i Vatikanit.
Mbylli sytë, si sot, më 7 mars 1985 në spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë shkencore. Don Gaspër Gjini qe njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike, na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren nëpër shekuj", botuar në Zagreb, më 1992.







All the contents on this site are copyrighted ©.