2013-03-07 11:27:20

Atë Luigji Paliq, martir, në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 7 mars, përkujtojmë Atë Luigjin Paliq, në përvjetorin e martirizimit të tij për Fe e Atdhè.
Martiri i Krishtit dhe i Kombit, Atë Luigji lindi në Janjevë të Kosovës më 21 shkurt 1879.
Pas shkollës fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri ku hyri në Urdhrin e Françeskanëve, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë), ku bëri edhe noviciatin. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta shembullore e Shën Luigj Gonzagës. Vazhdoi studimet filozofike e teologjike në Itali gjatë viteve 1896- 1901. U shugurua meshtar më 21.09.1901.
Pas shugurimit meshtarak shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës, atë të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shëna Ndout në Gjakovë.
Pas shugurimit meshtarak u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studimi pas-universitare. Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në kryeipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 qe rektor i shenjtërores së shën Antonit në Gjakovë(Kosovë).
Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, derisa po vizitonte shqiptarët katolikë e myslimanë të shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar që mos të pranojnë fenë ndërrimin e fesë e as të kombit, atë çka kërkon e synonin malazezet me dhunë për t’ia bënin shqiptarëve. Po Atë Luigji guximtar aspak nuk u tremb sepse ai ishte në shërbim të Zotit e popullit, e betimi i tij që ishte bërë në ditët e para të tija si françeskan e meshtar, ishin, betohem se do i shërbej Zotit e popullit.

Nuk kaluan shumë ditë pas burgosjes së tij kur kërkuan nga ai të mohonte publikisht fenë katolike dhe kombin shqiptar për të kaluar në ortodoksizëm dhe të sllavizohet, por Atë Luigj Paliqi qëndroi e nuk pranoi assesi.
E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje, por ky prapë qëndroi, së fundi e nisën këmbë e zbathur bashkë me 52 të burgosur të tjerë, nga Gjakova për në Pejë.

At Luigji ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më nga të rrahurat e ushtarëve malazez. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë.

Një pop sllav i bëri thirrjen të ndërronte fenë, e të kalon në atë ortodokse-sllave dhe të bëhej prift ortodoks, se përndryshe do ta humbiste kokën por edhe shpirtin. Frati katolik shqiptar nuk pranoi dhe u tregoi ushtarëve të cilët ishin të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. Kjo i çmendi ushtarët të cilët me bajonetat e tyre e shporuan Atë Luigjin në fshatin Janosh afër Gjakovës. Ishte dita e 7 e muajit marsit të vitit 1913. Trupi i tij më vonë i transferua në varrezat e Shën Gjergjit të Zymit.







All the contents on this site are copyrighted ©.