Tetë vjet audienca të përgjithshme me Benediktin XVI: Krishti, në qendër të jetës
sonë.
Sot ishte e mërkura e parë pa audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI, që nga
fundi i papnisë së tij: takim kushtuar posaçërisht katekizmit. Të ndryshme, argumentet
e trajtuara në 348 takimet e të mërkurave me besimtarët, më se 5 milionë, gjatë gati
tetë vjetëve të kësaj papnie: nga cikli për apostujt dhe dëshmitarët e fesë, tek Viti
kushtuar Shën Palit, për të kaluar tek katekizmi kushtuar lutjes e, së fundi, Vitit
të Fesë. Në audiencën e tij të parë të përgjithshme, më 27 prill 2005, Papa Ratcinger
shpjegoi pse e zgjodhi emrin Benedikt: në kujtim të Benediktit XVI, Papës së pajtimit
para e gjatë Luftës I Botërore, por sidomos, të Shën Benediktit të Norçies, pajtor
i papnisë së tij, pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, i cili i këshillonte
murgjërit të mos i kundërvinin asgjë Krishtit: “Në fillim të shërbimit tim
si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur
qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona
e në veprimtaritë tona”(27 prill 2005). Në audiencat e mëpasme,
Benedikti XVI plotësoi ciklin kushtuar Psalmeve, nisur nga Gjon Pali II, për të filluar,
pastaj, në vitin 2006, një cikël të ri kushtuar lidhjes së Krishtit me Kishën, që
vijon të pasqyrojë dritën e Zotit të vet, pavarësisht nga kufizimet dhe mëkatet e
njerëzve: “Është e papajtueshme me ndjetin e Krishtit një slogan, në modë
disa vjet më parë: 'Krishti po, Kisha jo!'. Ky Jezus, i zgjedhur sipas dëshirës, është
prodhim fantazie. Nuk mund ta kemi Jezusin, pa realitetin, që krijoi e në të cilin
komunikon. E kjo prani e Tij në bashkësinë, ku Ai na dhurohet gjithnjë, është shkas
i gëzimit tonë. Po, Krishti është me ne! Mbretëria e Zotit vjen!” (15 mars
2006). Më 2007, pasi pati folur për Apostujt dhe dëshmitarët e parë të fesë,
nisi ciklin e katekizmit kushtuar Etërve të shekujve të parë të krishterë, të Lindjes
e të Perëndimit. Me Shën Klementin Romak, Papa tregoi sesi në shekujt e parë të krishterë
sqarohet lidhja ndërmjet Shtetit e Kishës, ndërmjet Cesarit e Zotit. Autoritetet ligjore
duhen respektuar, por… “Cesari nuk është gjithçka; e Vërteta e Zotit ka të
drejtë të dëgjohet nga Shteti” (7 mars 2007). Duke folur për Shën
Agostinin, një nga etërit e Kishës më të dashur për të, kujtoi se feja e arsyeja shkojnë
krah për krah: “Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: Besimi
të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta
shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”(30
janar 2008). Më 2008 nis 20 katekizma tejet të thella për figurën e Shën Palit,
me rastin e Vitit kushtuar Apostullit të Popujve. I fuqishëm e i veçantë ai, që kujton
Koncilin e Jeruzalemit dhe ballafaqimin ndërmjet Pjetrit e Palit në Antioki lidhur
me përfundimin e detyrimit të rrethprerjes për besimtarët, ndeshje me tone të forta
, por gjithnjë e prirë nga Shpirti i lirisë dhe i dashurisë së krishterë. Një leksion,
pohoi Benedikti XVI, që duhet ta nxëmë edhe ne: “Me karizmat e ndryshme,
besuar Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt,
duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet
në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim
me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim
thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin”(1
tetor 2008). Më 2009, pas disa audiencave mbi Vitin meshtarak, mban një katekizëm
mahnitës kushtuar katedraleve romanike e gotike të mesjetës: “Të dashur vëllezër
e motra, Zoti na ndihmoftë ta zbulojmë rrugën e bukurisë, si një nga shtigjet, ndoshta
më tërheqëse e më mahnitëse, në përpjekjen për ta takuar e për ta dashur Hyjin”(
18 nëntor 2009). Më 2010 mban një katekizëm tejet të bukur, kushtuar Shën
Françeskut, që e përtrin Kishën jo duke e kundërshtuar Papën, por bashkë me Të: “Varfanjaku
i Asizit e kishte kuptuar se çdo karizëm e dhuruar nga Shpirti i Shenjtë duhet vënë
në shërbim të Korpit Mistik, që është Kisha; prandaj veproi gjithnjë në bashkim të
plotë me autoritetet kishtare. Në jetën e shenjtorëve nuk ka kontradikta ndërmjet
karizmës profetike dhe karizmës së qeverisjes e, nëse krijohet ndonjë tension, ata
dinë të presin me durim kohën e Shpirtit të Shenjtë” (27 janar 2010). Gjithnjë
më 2010 fillon një cikël katekizmi për gratë e krishtera, duke nënvizuar kontributin
themelor të gjenisë femërore në historinë e Kishës. Më 2010 flet për lutjen, që na
kujton se Zoti duhet vënë gjithnjë në krye të vendit. Të lutesh, pohon, nuk është
diçka që mund ta bësh ose jo, është thelbësore për jetën. Por është Zoti vetë, Ai
që na tërheq misteriozisht: “Njeriu ka në shpirt një etje të pashuar
për pafundësinë, ka mall për amshimin, ka nevojë për bukuri, ka dëshirë për dashuri,
ka uri për dritë e vërtetësi: e pikërisht këto ndjesi e shtyjnë drejt Absolutit: njeriu
e ka në vetvete dëshirën për Zotin. E njeriu e di, në një farë mënyre, se mund t’i
drejtohet Zotit, e di se mund të lutet”(11 maj 2011). Rikujtoi,
kështu, atë që thoshte Toma i Akuinit, i cili e quan lutjen: “Shprehje e dëshirës
së njeriut për Zotin”. Më 2012 nisi ciklin e fundit të katekizmave të tij, kushtuar
Vitit të Fesë, duke uruar që të ndihmojë për të përtërirë entuziazmin e besimit në
Jezusin: “Nuk është fjala për takimin me një ide a me një plan jete, por
me një Vetje të gjallë, që na shndërron thellësisht, duke na zbuluar identitetin tonë
të vërtetë, si Bij të Zotit. Takimi me Jezusin i përtërin lidhjet tona njerëzore,
duke i orientuar, ditë për ditë, drejt solidaritetit e vëllazërisë më të madhe, në
logjikën e dashurisë. Është një shndërrim, që përshkon gjithë jetën tonë, gjithë qenien
tonë: ndjenja, zemër, mendje, vullnet, korp, emocione, marrëdhënie njerëzore” (17
tetor 2012). Më27 shkurtin e kaluar, audienca e fundit
e përgjithshme e papnisë. Ja edhe fjalët e tij të mbrame: “Të dashur miq!
Zoti i priftë Kishës së Tij, e mbështetët gjithnjë edhe e sidomos, në çastet më të
vështira. Nuk duhet ta humbasim kurrë këtë vizion të fesë, që është vizioni i vetëm
i vërtetë i udhës së Kishës e të botës. Në zemrën tonë, në zemrën e secilit nga ju,
qoftë gjithnjë siguria e gëzueshme se Zotin e kemi përkrah, nuk na braktis, është
pranë e na mbështjell me dashurinë e tij. Faleminderit!” (27 shkurt 2013).