Më 6 mars kalendari kujton të Lumen Rozë nga Viterbo
Më 6 mars kalendari i Kishës katolike përkujton të Lumen Rozë nga Viterbo.
Roza lindi më 1233 nga prindërit Gjoni e Katerina, bujqër të kamur, që jetonin në
Santa Maria in Pogjo. Sapo i kishte mbushur 17 vjet, u sëmur për vdekje. Një vegim
që pati gjatë sëmundjes e nxiti të hynte në të Tretin Urdhër të Shën Françeskut, duke
vijuar të jetojë në familje. Në këtë periudhë bëri pendesë të rëndë e sidomos,
shtegtime të shumta në vende të ndryshme simbolike. Sapo u shërua, nisi të përshkojë
rrugët e Viterbos me një kryq ose një figurë në dorë, duke u lutur me zë të lartë
e duke i ftuar të gjithë ta donin Krishtin, Zojën e Bekuar e Kishën. Askush nuk e
kishte ngarkuar ta kryente një detyrë të tillë. Ndërkaq Viterbo kalonte një periudhë
krize, për shkak të konfliktit ndërmjet Selisë së Shenjtë e perandorit Federiku III.
Konflikti përfundoi me pushtimin e qytetit nga perandori në vitin 1240, pushtim që
zgjati deri më 1247. Roza nisi një fushatë të zjarrtë për të përforcuar fenë katolike,
duke iu kundërvënë grupeve që nuk besonin, në një qytet ku sundonin gibelinët, të
lidhur me perandorin e armiq të papës. Ishte një nismë shpirtërore, por e lidhur ngusht
me situatën politike, prandaj ndërsa ashpërsohej gjithnjë më tepër lufta ndërmjet
Guelfëve e Gibelinëve, Roza u internua së bashku me familjen. U kthye në atdhe
vetëm pas vdekjes së Federikut III, kur Viterbo kaloi përsëri në duart e papës. Por
banorët e qytetit nuk e dëgjuan më zërin e Rozës udhëve. Jeta e vajzës qe tepër e
shkurtër. Ajo mbylli sytë më 6 mars 1251. U varros pa arkivol, drejt e në tokë, në
varrezën pranë Kishës së Zojës në Pogjo. Një vit më vonë varri u hap e trupi i së
Lumes u gjet krejtësisht i patretur. Më 1252 Papa Inoçenci IV urdhëroi që ky trup
të mbartej brënda në Kishë, mendoi ta shpallte Rozën shenjtore dhe urdhëroi të fillonte
procesi kanonik, që nuk filloi kurrë. Kjo nuk e pengoi famën e shenjtërisë së saj
të përhapej aq me shpejtësi, sa në vitin 1457 Kalisti III kërkoi fillimin e një procesi
të ri. Por menjëherë pas kësaj kërkese, Papa vdiq. Gjithnjë më 1457 papa Aleksandri
IV urdhëroi që trupi i Rozës të rivarrosej në kuvendin e klariseve. E ka shumë mundësi
të ketë qenë i pranishëm në mbartjen e relikeve të së Lumes, sepse duke qenë Roma
krejt e pasigurtë, papët banuan në Viterbo deri në vitin 1281. Ndonëse Roza nuk u
shpall shenjte me rit solemn, emri i saj u radhit ndërmjet shenjtorëve në botimin
e vitit 1583 të Mesharit romak. Pak nga pak nisën t’i kushtoheshin Kisha, kapela e
shkolla në Itali e vende të tjera, deri në Amerikën latine. E Lumja Rozë përkujtohet
më 6 mars, ditën kur lindi për qiell, por festimet më të njohura për nder të saj kremtohen
në shtator, për të përkujtuar mbartjen e trupit të së Lumes në Shenjtëroren që i është
kushtuar. Prandaj në këto festime trupi i Rozës, i mbajtur mbi supe, shetitet nëpër
rrugët e Viterbos. Në vitin 1922 papa Benedikti XV e shpalli Rozën pajtore të
të rejave të veprimit katolik. Rozë do të thotë trëndafil, po simboli i së Lumes është
një lule tjetër, zëmbaku i bardhë, simbol i të gjitha virgjërave. Në Martiriologun
Romak për të shkruhet: “E lumja Roza, virgjër e të Tretit Urdhër të Shën Françeskut,
zelltare e flaktë në vepra bamirësie, e kreu shtegtimine saj të shkurtër mbi këtë
tokë, kur ishte vetëm 18 vjeçe”.