2013-03-06 15:45:22

Ditë zije në Venezuelë për vdekjen e presidentit Hugo Chavez. Të premten, funerali.


Pas një jave paqartësie për gjendjen shëndetësore, dje në orën 16.25 me orën vendase, presidenti venezuelan Hugo Chavez, 58 vjeç, ndërroi jetë. Vendi është në zi e përgatitet për funeralin, që do të mbahet të premten, në Karakas. Sipas presidentit ad interim, Chavez është viktimë e një komploti.
Kështu, presidenti e humbi betejën, duke e lënë Venezuelën në një atmosferë të paqartë, shqetësuese. Si zakonisht, në të gjithë vendin nisën manifestimet, për të shprehur dhimbjen popullore. Ministri i Mbrojtjes njoftoi se forcat e armatosura janë në gatishmëri të plotë për të garantuar rendin dhe mbrojtjen e kushtetutës. Zgjedhjet do të mbahen 30 ditë pas funeralit të Chaves, vendin e të cilit besohet se do ta zërë Maduro, njeriu më i afërt i presidentit të ndjerë e trashëgimtar i ideve të tij. Maduro akuzon opozitën e djathtë dhe imperializmin amerikan si shkaktarë të problemeve ekonomike në vend e deri edhe për sëmundjen dhe vdekjen e udhëheqësit, duke kujtuar edhe fundin e Arafatit. Sipas zëvendës presidentit, që dha njoftimin lidhur me krijimin e një komisioni shkencëtarësh për ta shyrtuar këtë hamendje, kanceri ka shumë mundësi t’i jetë injektuar presidentit, për ta destabilizuar Venezuelën. “Absurditet” e quajti këtë akuzë departamenti i Shtetit amerikan, ndërsa në Karakas dëboheshin dy specialistët ushtarakë amerikanë. Barak Obama dërgoi një mesazh, përmes së cilit shpreh gatishmërinë për marrëdhënie konstruktive në këtë kapitull të ri, që hapet në historinë e Venezuelës, ndërsa vijojnë të arrijnë telegrame ngushëllimi nga e gjithë Amerika Latine e vende të tjera të botës.
Funerali do mbahet të premten e zija kombëtare do të vijojë për shtatë ditë. Mesazhi i fundit i presidentit përmes twitter-it ishte: “Jam i rrethuar nga kujdesi i mjekëve dhe i infermiereve. Do të jetojmë e do të fitojmë!”.
Po situata nuk është aspak e qartë e opozita ka nisur të lëvizë.
Ndërsa Venezuela, në zi, përgatitet për funeralin e jashtëzakonshëm, kardinali Jorge Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit, që ndodhet në Romë, për të marrë pjesë në Konklav, do të kremtojë një Meshë solemne drite për presidentin e vdekur. Vendi e data do të caktohen së shpejti. Sipas agjencisë Fides, kryeipeshkvi i Karakasit i fton të gjithë venezuelanët, që dëshirojnë të marrin pjesë në kremtimin fetar, të luten për pushimin e pasosur të presidentit Chavez.
Kryeipeshkvi i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes së presidentit të vdekur dhe u kërkoi autoriteteve të zbatojnë mekanizmat e parashikuara nga Kushtetuta, për të siguruar qetësinë në të gjithë sektorët e shoqërisë dhe harmoninë në gjirin e popullit. Prelati i lartë bëri thirrje posaçërisht për të shmangur çdo formë të dhunës. Por agjencia Fides njofton edhe se çavistët nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së tij. E tregon qëndrimi ndaj gazetarëve, që ndiqnin ngjarjen pranë spitalit ushtarak, ku ndërroi jetë presidenti: disa gazetarë të një grupi multimedial kolumbian u keqtrajtuan, u rrahën deri në gjakosje e u kërcënuan, në një mjedis shqetësues, me krisma armësh zjarri e ulurima, që nuk premtojnë asgjë të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.