2013-03-05 15:47:23

Kongregacioni III i kardinajve. Atë Lombardi: të pranishëm 110 zgjedhës. Ende e papërcaktuar data e fillimit të Konklavit.


Sot në ditën e pestë të selisë vakante, ndërsa priten kardinajt e fundit, paradite, në Sallën e Sinodit në Vatikan u mbajt, Kongregacioni i tretë i kardinajve, në përgatitje të Konklavit, që do të zgjedhë papën e ri. Kongregacioni i tretë, sipas njoftimit të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, u mbajt ndërmjet orës 9.30 e 12.40, me një pushim prej rreth një gjysmë ore. Edhe këtë herë u betuan disa kardinaj të sapoardhur në Vatikan. Dy janë me të drejtë zgjedhore: Béchara Boutros Raì, Meisner, Woelki, Sarr, Duka, Grocholewski e Ruoco Varela.
Në Kongregacion e sotëm ishin të pranishëm 110 kardinaj zgjedhës, ndërsa gjithsejtë, 148 kardinaj, njoftoi Atë Lombardi, e në vijim lexoi një mesazh, përmes të cilit kardinajtë i shprehën mirënjohjen e tyre Papës së nderit Benedikti XVI për shembullin e fisëm dhe papninë e tij të ndritur.
Në Kongregacionin e paradites, njoftoi atë Lombardi, folën 11 kardinaj. Ndërmjet argumenteve, veprimtaria e Selisë së Shenjtë dhe e dikastereve të ndryshme të Vatikanit si dhe lidhjet e tyre me episkopatet e ndryshme të botës; përtëritja e Kishës në dritën e Koncilit II të Vatikanit, gjendja në Kishë dhe kërkesat e Ungjillëzimit të ri në botë, në situata të ndryshme kulturore. Gjithsejtë dje e sot u mbajtën 33 diskutime, përmes të cilave u dëgjua fjala e të pesë kontinenteve. Tani për tani nuk ka asnjë kufizim për kohën e diskutimeve.
Data e fillimit të Konklavit, vijoi të sqaronte atë Lombardi, pritet të caktohet nga vetë kardinajtë. Deri tani nuk është marrë ndonjë vendim.
Drejtori i Sallës vatikanse të Shtypit njoftoi edhe se nesër pasdite, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Elterin e Katedrës, kardinajtë do të kremtojnë Lutjet Mbrëmësore. Do të ketë edhe një çast lutjeje, kryesuar nga Kardinali Dekan. Kardinajtë do ta ftojnë mbarë Kishën të lutet e ta jetojë në uratë këtë kohë përgatitjeje për një vendim kaq të rëndësishëm, siç është zgjedhja e Papës.
Sot pasdite, gjithnjë sipas atë Lombardit, nisën përgatitjet e Kapelës Sikstine: prej këndej, Kapela nuk do të vizitohet më nga turistët e do të nisin me shpejtësi punimet në pritje të Konklavit.
Atë Lombardi njoftoi, në përfundim, të rejat për praninë e shtypit në zgjedhjen e Papës së ri.
Deri tani janë akredituar 4432 gazetarë të përkohshëm; të përhershëm: për shtypin, fotot e videot, 600. Është kaluar, kështu, pragu i pranisë së 5 mijë vetëve. Përfaqësohen 65 kombe e 24 gjuhë të ndryshme.

Kujtojmë se seria e Kongregacioneve u hap paraditen e djeshme e vijoi edhe pasdite, me meditimin e atë Raniero Kantalamesës, predikatar i Shtëpisë Papnore. Ishte i pari, nga dy meditimet e parashikuara prej Kushtetutës Apostolike. Sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u vendos që sot e nesër takimet të mbahen vetëm paradite.
Dje ishin të pranishëm 103 kardinaj me të drejtë zgjedhore, domethënë me moshë nën 80 vjeç. Mungonin 12-të, por katër të tjerë arritën në mbrëmje, dhe bënë menjëherë betimin. Janë: Patriku maronit libanez, Bechara Rai; kardinali i Këlnit, Meisser; kardinali i Berlinit, Woelki dhe kardinali i Dakarit, Sarr.

Ja edhe teksti i betimit:
“Ne, kardinajtë e Kishës Shenjte Katolike Romake, të Urdhërit të Ipeshkvijve, Presbiterëve e Diakonëve, premtojmë, zotohemi e betohemi, të gjithë e secili, t’i respektojmë saktësisht e besnikërisht të gjitha normat, që përmban Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis e Papës Gjon Pali II e ta ruajmë me përpikmëri sekretin mbi gjithça që ka lidhje me zgjedhjen e Papës së Romës, ose që, për vetë natyrën e vet, lidhet me Selinë vakante Apostolike dhe kërkon të njëjtin sekret”.

Secili kardinal, pasi shqipton emrin e mbiemrin, vijon me fjalët: “Premtoj, zotohem e betohem”. E, duke vënë dorën mbi Ungjill, shton: “Kështu! Më ndihmoftë Zoti e këta Ungjij të Shenjtë, që po i prek me dorën time”.
Këtë betim e bënë të gjithë kardinajtë, që arritën në Romë. Pesë kardinajë janë për udhë. Plotësohet kështu, dalëngadalë, numri 115 i kardinajve zgjedhës, që do të hyjnë në Kapelën Sikstine, prej ku, nga gjiri i tyre, do të dalë Papa i ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.