2013-03-05 11:35:22

Dom Lazër Shantoja, prift e poet, në përvjetorin e vrasjes


Si sot, më 5 mars 1945, u pushkatua martiri i Kishës katolike shqiptare, dom Lazër Shantoja. Figurë poliedrike kjo e dom Lazër Shantojes, meshtar, atdhetar, njëri nga stilistët më të spikatur të letrave shqipe, mbet i panjohur e i mbuluar me baltë, deri ditën kur emri i tij, i masakruar, ashtu si trupi i tij, me këmbë e krahë të sharruara me sharrë druri, u riduk plot shkëlqim në listën e martirëve të diktaturës komuniste në Shqipëri, ndërmjet emrave të 40-tëve, çështja e kanonizimit Kishtar të të cilëve tashmë ka kaluar pranë Vatikanit.
Dom Lazër Shantoja lindi më 2 shtator 1892, u pushkatua më 5 mars 1945. La pas gjurmë të pashlyeshme feje e kulture kudo jetoi e punoi: që nga Austria, ku kreu studimet, në Shkodër, ku shërbeu si sekretar i kryeipeshkvit, në fshatrat e Veriut, ku shërbeu si prift famullitar e në Zvicër, pas ikjes nga Shqipëria si antizogist, ku kreu të njëjtin mision, për t’u kthyer në Shqipëri e pikërisht në Tiranë, ku i vunë prangat e martirizimit.
Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngusht me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin.
Në fjalimin mbajtur mbi varr të Avi Rustemi, vrarë nga Zogu, dom Lazri, pa e ditur se priste një fund edhe më tragjik, pati thënë mes tjerash: “...gjaku i martirëve asht ai qi shëlbon kombet!”..E sot po i përsërisim, në kujtim të tij, këto fjalë, që i shkojnë aq shumë për shtat e të cilit i jemi mirënjohës për punën, guximin, qëndresën e dëshminë që dha për Fe e Atdhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.