Nësa në Vatikan tashmë janë mbledhur pothuajse të gjithë kardinajtë e pritur e nisin
hapat e para drejt një papnie të re, ne kthehemi mbrapa, për të përshkuar, me kujtime,
18 ditët e fundit të një papnie, që do të kujtohet gjatë në historinë e Kishës e të
njerëzimit, sepse krejt e pazakontë, krejt e ndryshme edhe me atë të Papës Çelestini
V. 18 ditë, që i bënë besimtarë e jo besimtarë, të mblidhen vazhdimisht në Sheshin
e Shën Pjetrit, me sy ngulur te dritarja e studios së takimeve, e para ekraneve, për
ta ndjekur me lot në sy, por jo pa shpresë, Benediktin XVI, deri në çastin e lamtumirës,
kur porta e madhe e Kastel Gandolfos u mbyll, si të donte të kumtonte, me kapakët
e vet të drunjtë, se po përfundonte një etapë e rëndësishme historike, po mbyllej
libri i papnisë së Jozefit Ratcinger. Po porta e madhe, e drunjtë, do të hapet përsëri,
për të nisur historinë e një papnie të re. E atëherë ne do të flasim gëzueshëm për
një fillesë, për një Kishë, në të cilën çdo fund, sado i trishtuar, pasohet nga një
nisje gazmore, plot premtime:
“Plena liberate declaro me ministerio Episcopi
Romae, Successoris Sancti Petri…renuntiare …” Benedikti XVI i njofton kardinajtë,
mbledhur në Koncistor, për vendimin e tij: dorëheqjen nga ministeri papnor. Është
dita e përkujtimit të Zojës Lurdë: pas pak, më 16 prill, në festën liturgjike të Shën
Bernardetës, do të mbushë 86 vjeç. Forcat, që ligështohen, e pengojnë fort për ta
vijuar si duhet ministerin. Ia beson Kishën Kryebariut të tij, Krishtit. Ashtu
si e gjithë papnia e Benediktit XVI, edhe 18 ditët e fundit e dëshmojnë qartë fenë
e tij të thellë, të patundshme. Kujtojmë fjalët, që shqiptoi në audiencën e përgjithshme
të 13 shkurtit: “Më ndihmon e më shndrit siguria se Kisha është
e Krishtit, i Cili nuk do ta lërë kurrë pa drejtim e kujdes. Vijoni të luteni për
mua, për Kishën, për Papën e ardhshëm. Zoti do të na prijë!”. Në katekizëm
kujton se nuk është pushteti i kësaj toke, ai që shëlbon, por pushteti i Kryqit, i
përvujtërisë, i dashurisë. I fton të gjithë ta vënë Zotin në krye të vendit. Gjatë
Meshës për të Mërkurën e Përhime, flet për nevojën e pendesës, vepër e mëshirës hyjnore,
në një botë, që shpesh ka prirjen vetëm të dënojë: “Në të vërtetë, edhe
në ditët tona, shumë janë të gatshëm të “grisin petkat” përballë shkandujve e padrejtësive
- natyrisht, të kryera nga të tjerët - por pak duken të gatshëm për të vepruar mbi
‘zemrën e tyre’, mbi ndërgjegjen e tyre e mbi ndjetet e tyre, duke e lënë veten në
dorë të Zotit, që t’i shndërrojë, t’i përtërijë, t’i kthejë në rrugën e vet”. I
fton besimtarët të mos e përçudnojnë fytyrën e Kishës me përçarje, duke vënë mbi gjithçka
vetveten e duke luftuar për t’i bërë nder vetes. Sa më pak ta kërkojmë lavdinë tonë,
aq më e besueshme do të jetë dëshmia, pohon. Më 14 shkurt takohet me meshtarët
e Romës, të cilëve u flet lirisht, pa tekst, për 45 minuta. Argumenti: Koncili. Kujton
shpresat për ardhjen e Rrëshajëve të reja të Kishës që, thekson, është realitet jetik,
i cili hyn në shpirtin tonë: “Ne jemi Kisha, Kisha nuk është strukturë;
vetë ne të krishterët, së bashku, jemi të gjithë, korpi i gjallë i Kishës. E, natyrisht,
kjo vlen në kuptimin se ne, besimtarët, së bashku me ‘Unin’ e Krishtit, jemi Kisha.
Secili nga ne, jo ‘një ne’, një grup, që deklarohet Kishë. Jo: kjo ‘ne jemi Kisha’
kërkon pikërisht përfshirjen e besimtarit në bashkësinë e besimtarëve të të gjitha
kohëve, të të gjitha vendeve”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 17 shkurtit,
nënvizon se kthimi në rrugën e Zotit kërkon një ndryshim të vërtetë, të thellë shpirtëror: “Në
çdo çast ndodhemi para një udhëkryqi: duam të ndjekim vetveten apo Zotin? Cila është
e mira e njëmendtë: interesi vetjak apo e Mira e vërtetë?”. Në përfundim
të Ushtrimeve shpirtërore, më 23 shkurt, shpjegon se e vërteta është e bukur, sepse
Zoti është bukuri. Por djalli nuk fle. Punon, e shumë madje, për ta njollosur këtë
bukuri, që njerëzit të mos mund ta dallojnë e ta njohin Krijuesin: kështu Biri i
Hyjit u kurorëzua me ferra, u mbërthye mbi kryq: “E pikërisht kështu,
në këtë figurë të vuajtur të Birit të Hyjit, nisim të shikojmë bukurinë më të thellë
të Krijuesit e Shpërblyesit tonë: mundemi, në heshtjen e errët të “natës së zezë”,
ta dëgjojmë “Fjalën e Zotit”. Të besosh nuk është tjetër veçse, në errësirën e botës,
të prekësh dorën e Zotit e kështu, në heshtje, të dëgjosh Fjalën, të shikosh Dashurinë”. Më se 100 mijë vetë marrin pjesë në lutjen e fundme të Engjëllit të Tënzot,
më 24 shkurt. Benedikti XVI shpjegon sërisht pse e ‘nisi ngjitjen mbi Malin e lutjes’: “Po
kjo nuk do të thotë ta braktisësh Kishën, përkundrazi, nëse Zoti ma kërkon këtë, e
bën që unë të shërbej përsëri me të njëjtin përkushtim e të njëjtën
dashuri, me të cilën u përpoqa t’i shërbej deri më sot, por në një mënyrë më të përshtatshme
për moshën time, për forcat e mia”. Në audiencën e fundme të përgjithshme,
më 27 shkurt, para më se 150 mijë besimtarëve, Benedikti XVI kujton çastet më të
gëzueshme të papnisë së Tij, por edhe çastet e stuhive, kur barka kërcënohej nga
dallgët mal e Zoti dukej sikur flinte: “Por e kam ditur gjithnjë se në këtë
barkë ishte Zoti, ashtu si e kam ditur se barka e Kishës nuk është imja, nuk është
jona, është e Tija. E Zoti nuk e le kurrë të fundoset!”. Prandaj e desha
Vitin e fesë, që ta përforcojë besimin tonë në Zotin, pohoi: “Do të dëshiroja
t’ju ftoj të gjithëve për ta përtërirë besimin e patundur në Zotin, për t’u lëshuar
si fëmijë në krahët e Tij, të sigurtë se këta krahë na mbështesin përgjithmonë e na
mbajnë në këmbë çdo ditë, edhe kur jemi të lodhur e të këputur nga udha e gjatë. Do
të dëshiroja që secili ta ndjente sa e do ai Zot, që dhuroi të Birin për ne, duke
na dëshmuar kështu, një dashuri pa cak. Do të desha që secili ta ndjente gëzimin,
që buron nga feja e krishterë”. Pastaj, edhe një herë, shpjegon pse hoqi
dorë nga papnia: “Ta duash Kishën, do të thotë edhe të marrësh guximin për
të zgjedhur rrugë të vështira, që nuk zgjidhen lehtë, duke pasur gjithnjë parasysh
të mirën e Kishës e jo të vetvetes. Nuk po zbres nga Kryqi, por po rri në një mënyrë
të re pranë Zotit të kryqëzuar”. Duke u takuar, pastaj, për herë të fundit
me kardinajtë, nuk harron të thotë dhe një fjalë për Konklavin: “Uroj që
Zoti t’ju tregojë atë që do. E ndërmjet jush, në Kolegjin kardinalor, është edhe papa
i ardhshëm, të cilit, që në këtë çast, i premtoj nderim e bindje të pakushtëzuar”. Përqafimi
i fundit, ai me besimtarët e Kastel Gandolfos: Benedikti XVI nuk është më Papa i Kishës
katolike, por shtegtar i thjeshtë, që nis “etapën e parafundit” të shtegtimit të tij
mbi tokë.Porta e madhe e Kështjellës mesjetare, që ka pritur e ka përcjellë 265 papë,
u mbyll pas figurës së bardhë të Ipeshkvit të 266 të Romës. Së shpejti do të hapet
përsëri. Por besimtarët, në festë, në sa do të duartrokasin papën e ri, nuk do ta
harrojnë kurrë çastin, kur Benedikti XVI u mbërthye vullnetarisht, “në një
mënyrë të re, pranë Zotit të kryqëzuar”.