Filluan sot paradite Kongregacionet e përgjithshme të kardinajve
Në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, sot paradite u mbajt Kongregacioni i parë i
përgjithshëm i Kolegjit kardinalor. Pasdite, pastaj, duke nisur nga ora 17.00, takimi
i dytë. Janë takime, që i paraprijnë të tjerave, gjatë të cilave kardinajtë do të
caktojnë, ditët e ardhshme, datën e fillimit të Konklavit për zgjdhjen e Papës së
ri. Në takimin me gazetarët, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko
Lombardi, njoftoi se sot ishin të pranishëm 142 kardinaj, nga të cilët, 103 me të
drejtë zgjedhore, ndërsa duhet të arrijnë në Romë (sot pasdite deri nesër paradite),
edhe 12 kardinaj zgjedhës: kujtojmë se në Konklav priten 115 kardinaj .Takimi nisi
me lutjen Veni Sancte Spiritus (Eja Shpirt i Shenjtë). Në fjalën e përshëndetjes,
kardinali dekan, Anxhelo Sodano, foli kryesisht për domethënien e kësaj ngjarjeje.
Pastaj kardinajtë bënë, njëri pas tjetrit, betimin. Kardinali kamerleng, Tarçizio
Bertone, propozoi që atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, të mbajë pasdite,
meditimin e parë të Kongregacioneve të përgjithshme. Propozimi u pranua njëzëri. Kolegji
i kardinajve miratoi, pastaj, edhe propozimin e kardinalit dekan Sodano për t’i drejtaur
një mesazh Papës së nderit, Benediktit.
Atë Lombardi njoftoi edhe se sot paradite
Kongregacioni zgjodhi, me short, tre ndihmësit e kamerlengut. Në Kushtetutë flitet
për Kongregacionin e veçantë, i cili trajton argumente të karakterit më praktik, prirë
nga kamerlengu, me pjesëmarrjen e tre kardinajve, ndihmës të tij, që zgjidhen me short
ndërmjet kardinajve të pranishëm në Romë. Kardinajtë e zgjedhur sot janë: kardinali
Re, për Urdhërin e Ipeshkvijve; kardinali Sepe, për Urdhërin e Presbiterëve dhe kardinali
Rodè, për Urdhërin e Diakonëve. Këta, për tri ditë, do të jenë ndihmësit e kamerlengut
në Kongregacionin e veçantë. Pas tri ditësh do të hidhet shorti për tre të tjerë,
në mënyrë që të ketë qarkullim. Paradite folën 13 kardinaj, që mbajtën reflektime
të shkurtëra, por të thella. Atë Lombardi saktësoi se në ditët e ardhshme do të
caktohet edhe data e fillimit të Konklavit.