2013-03-02 12:15:48

Shenjtorët e javës


E diel, 3 mars, Kisha katolike kremton të Dielën e Tretë të Krezhmëve. E gjithnjë më 3 mars kalendari kujton edhe shën Kunegonden, bashkëshorte të Enrikut II perandor. Liturgjia na fton të kthehemi në udhën e Zotit e t’i përmbahemi urdhrit të dashurisë së Tij Hyjnore, e kështu na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.
Të hënën më 4 mars, kalendari kishtar përkujton shën Kazimirin. Liturgjia na kujton se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.
Të martën më 5 mars, kalendari kujton shën Lucjanin I Papë, sShën Adrianin martir e shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.
Të mërkurën më 6 mars, kalendari liturgjik përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Boilè, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
Të enjten më 7 mars, kalendari kujton shenjtoret Perpetua e Feliçita. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve.
Të premten më 8 mars, kalendari kujton shën Gjonin e Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve. Liturgjia e ditës na kujton vlerën e bamirësisë, të solidaritetit, se dhe faktin se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.
Të shtunën më 9 mars, kalendari kujton shën Françesken romake, themeluese e Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet Martirët e Sebastes dhe shën Katerinën e Bolonjës. Liturgjia e ditës na kujton se Mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.
Të dielën e ardhshme më 10 mars, Kisha do të kremtojë të dielën e Katërt të Krezhmëve, e gjithnjë më 10 mars kalendari kujton shën Simpliçin, papë dhe shën Gjonin Ogjilviè, meshtar jezuit e martir. Pjesa e Ungjillit të kësaj dite na sjell shëmbëlltyrën e djalitplangëprishës për të na mësuar gëzimin e dashurinë ndaj çdo njeriu që kthehet tek Zoti dhe gëzimin e rikuperimit të çdo marrëdhënie ndër vëllazërore me tjetrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.