2013-03-02 12:00:10

Selia Vakante e Kishës sipas Kushtetutës “Universi Dominici Gregis"


Me përfundimin e Papnisë së Benediktit XVI, kardinajtë mblidhen në Romë, pas marrjes se fletë-thirrjes dërguar atyre nga kardinali dekan, Anxhelo Sodano. Kështu fillon përgatitja e Konklavit, data e të cilit vendoset nga kardinajtë në Kongregacionet e përgjithshme duke u nisur nga dita e hënë 4 mars. Në mbledhjet e përgjithshme që nisin javën e ardhshme, kardinajtë do të diskutojnë për Kishën Katolike dhe sfidat, synimet e problemet e saj, në përpjekjen për të përvijuar, me ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, profilin e Papës së ardhshëm, që i nevojitet krishterimit e Kishës.

Po si duhet ta kalojnë besimtarët këtë periudhë, para zgjedhjes së Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit? Na ndihmon për këtë Kushtetuta Apostolike “Universi Diminici Gregis”, me të cilën i Lumi Gjon Pali II miratoi normat e Konklavit, që janë në fuqi edhe sot. Në të përshkruhet se me ç’ndjenja duhet ta shoqërojnë besimtarët, këtë periudhë të rëndësishme të Kishës.

nenin 84, thuhet: “Gjatë kohës së Selisë Vakante, e sidomos gjatë periudhës së zgjedhjes së Pasardhësit të Shën Pjetrit, Kisha bashkohet në mënyrë të veçantë me barinjtë e saj e veçanërisht, me kardinajtë zgjedhës të Papës dhe, i lutet Zotit t’i japë Papën e ri, dhuratë e mirësisë dhe e provanisë së Tij. Vërtet, sipas shembullit të bashkësisë së parë të krishterë, për të cilën flitet në Veprat e Apostujve (shih 1,14), Kisha universale, shpirtërisht e bashkuar me Marinë, Nënën e Jezusit, duhet të vazhdojë të lutet unanimisht; kështu, zgjedhja e Papës së ri nuk do të jetë një fakt i izoluar nga Populli i Zotit, që ka të bëjë vetëm me Kolegjin e kardinajve me të drejtë vote, por, në një farë kuptimi, do të jetë veprim i krejt Kishës. Prandaj – shkruan Papa Gjon Pali II në Kushtetutë – në të gjitha qytetet e në vendet e tjera, të paktën në ato më të shquarat, sapo të merret vesh lajmi i Selisë Apostolike Vakante… t’i drejtohen lutje të përvuajtura e të vazhdueshme Zotit (shih Mt 21,22; Mk 11,24), që të shndrisë shpirtin e zgjedhësve dhe t’i bëjë të merren vesh për detyrën e tyre, në mënyrë që të arrihet në zgjedhjen unanime e të frytshme, ashtu siç e kërkon qetësia e shpirtrave dhe e mira e gjithë Popullit të Zotit".

Neni 85 vazhdon, gjithnjë me fjalët e të Lumit Gjon Pali II: “Ua këshilloj këtë me gjithë shpirt e me përzemërsi etërve të nderuar kardinaj që, për arsye moshe, nuk e gëzojnë më të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjen e Papës. Për hir të lidhjes shumë të veçantë, që ka purpuri kardinalor me Selinë Apostolike, të jenë të gatshëm për ta udhëhequr Popullin e Zotit, të mbledhur veçanërisht në Bazilikat Patriarkale të qytetit të Romës dhe në vendet e kultit të Kishave të tjera, që me lutje të vazhdueshme dhe intensive, sidomos gjatë procesit zgjedhor, të nxjerrin nga Zoti i Gjithpushtetshëm ndihmën dhe shndritjen e Shpirtit Shenjt, të nevojshme për sivëllezërit me të drejtë vote, duke marrë pjesë kështu frytshëm dhe me të vërtetë në detyrën e vështirë për t’ dhënë Kishës universale Bariun e vet".

E së fundi, në nenin 86, përshkruhen ndjenjat me të cilat Papa Gjon Pali II shkruante këtë Kushtetutë: "I lutem, pastaj, atij, që do të zgjidhet, të mos tërhiqet nga kjo detyrë, në të cilën është i thirrur, nga frika e peshës së saj, por t’i nënshtrohet me përvuajtëri planit të Vullnetit Hyjnor. Vërtet, Hyji, kur ia imponon këtë detyrim, e mban me dorën e Vet, që të jetë në lartësinë e duhur për ta plotësuar; duke i dhënë këtë detyrë të rëndë, i jep edhe ndihmën për ta kryer e, duke i dhuruar këtë dinjitet, i jep edhe forcën, që të mos tutet nën peshën e këtij ministeri".







All the contents on this site are copyrighted ©.