2013-03-01 16:53:36

Të gjitha udhët të çojnë te Pjetri. Përshëndetja e Benediktit XVI për mbarë botën, në javën e fundit të papnisë


Nuk kishte ndodhur kurrë të përjetonim javën e fundit të një papnie, me Papën gjallë. Në shekujt e epokës moderne, Kisha Katolike ka marrë pjesë në netët e agonisë, në funeralet e në përkujtimet e papëve të vdekur, që e kanë lënë Selinë e Shën Pjetrit Vakante, pasi janë bashkuar me Atin Qiellor. Por kësaj radhe, patëm një papë krejtësisht të vetëdijshëm, në gjendje të ecë e të lëvizë, të mendojë e të veprojë; një papë, që javën e kaluar përgatiti valixhet për të shkuar nga Vatikani në Kastel Gandolfo, ku porta e mbyllur të enjten, 28 shkurt, në orën 20.00, shënoi edhe fundin e papnisë e fillimin e Selisë Vakante. Javë e jashtëzakonshme, historike, emocionuese, që nuk do të harrohet kurrë. E gjesti i vetëdijshëm i Benediktit XVI për t’u tërhequr nga shërbimi i tij në krye të Kishës ka dhënë që tani, të paktën dy fryte: bota mbarë u shtrëngua rreth Atit të Shenjtë, për t’i shprehur dashurinë, por sidomos duke e ndjerë veten, më shumë se kurrë, Kishë e Krishtit; dhe së dyti, besimtarët iu kthyen lutjes, atij gjunjëzimi para Zotit, që Jozef Racinger e pati predikuar shpesh gjatë papnisë. “Papa lutet – thoshin njerëzit nëpër rrugë. Edhe ne me të! Nuk do ta lemë vetëm!” Por, ta përshkojmë së bashku javën e kaluar.
Të hënën, Benedikti XVI priti tre kardinajtë e Komisionit “Vatileaks”, Herranz, Tomko e De Giorgi. Aktet e këtij Komisioni, që hetoi për çështjen e dokumenteve të dala jashtë apartamentit papnor dhe të botuara në shtyp, do të mbeten në dispozicion vetëm të Papës së ardhshëm.
Të mërkurën, në audiencën e fundit të përgjithshme të Benediktit XVI, u prek me dorë dhe u përjetua universaliteti i Kishës, së mbledhur rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit. Asnjë gjuhë nuk është e huaj për një papë, sepse ai flet gjuhën e dashurisë së Krishtit. Në atë ditë të mrekullueshme, plot diell, bekim prej Zotit, Jozef Racinger i tha Kishës Katolike, por edhe gjithë botës, se nuk e ka ndërmend të zbresë nga Kryqi i Krishtit, por të qëndrojë pranë Hyjit, në një formë tjetër, me lutje.
Mesazhi i Benediktit XVI qe i fuqishëm:
“Zoti e udhëheq Kishën, e mban gjithnjë, edhe, e sidomos në çastet e vështira. Të mos e humbasim kurrë këtë këndvështrim bazuar në fe, i vetmi këndvështrim i vërtetë për udhën e Kishës e të botës. Në zemrat tona, në zemrën e secilit prej nesh, të banojë gjithnjë siguria e lume se Zoti është pranë nesh, nuk na braktis, është afër e na përqafon me dashurinë e Tij”.
Të gjitha udhët çojnë në Romë, thotë një fjalë e urtë romake. Në Romë, domethënë te Shën Pjetri. Njerëzit e ardhur nga e gjithë bota për audiencën e fundit të përgjithshme të Benediktit XVI sollën në Vatikan gjuhë e idioma të njohura e të panjohura. Shiheshin flamuj nga çdo vend, edhe flamuri shqiptar; veshje e kapela nga të gjitha llojet e ngjyrat, që flisnin për kultura e tradita të afërta e të largëta. Është “mrekullia” e vogël, që ndodh çdo të mërkurë: askush nuk e ndjen veten të huaj në Sheshin e Shën Pjetrit. Është përmasa e universalitetit të Kishës, që të mërkurën e kaluar, përjetoi një nga çastet e saj kulmore. E kjo u duk edhe në përshëndetjet e Benediktit XVI, në 12 gjuhë të ndryshme, për shtegtarët e të gjithë botës:
“Je vous remercie pour le respect…”
“Ju falenderoj – tha në frëngjisht – për respektin dhe mirëkuptimin, me të cilin e pranuat tërheqjen time”. Pastaj nënvizoi se do të vazhdojë ta shoqërojë Kishën me lutje e reflektime. I inkurajoi besimtarët ta kenë zemrën plot me gëzim e me sigurinë se Zoti do ta mbajë gjithmonë Kishën.
Benedikti XVI iu drejtua bashkombasve të tij, gjermanëve, të cilët, spontanisht i kushtuan një këngë, para se t’u fliste:
“Wie Petrus und die Jünger…”
“Ashtu si Pjetri dhe dishepujt në barkën mbi liqenin e Galilesë – u tha – unë e dija se Zoti ndodhej në Barkë, e cila është e Tij. Asgjë s’mund ta errësojë këtë bindje”.
Ja sepse, një Papë nuk është kurrë vetëm në udhëheqjen e grigjës së Zotit. E në anglisht, u tregoi besimtarëve se ndjehej si Shën Pali Apostull, i cili e kishte zemrën plot me mirënjohje ndaj Zotit, që gjithmonë e udhëheq Kishën:
“In union with Mary and all the saints…”
“Në bashkim me Marinë e me të gjithë shenjtorët – ftoi Jozef Racinger – besojani me shpresë vetveten Zotit, i cili vazhdon të vigjëlojë mbi jetën tonë, mbi udhën e Kishës e të botës, përgjatë shtigjeve të historisë”.
Fjalët e Papës ndërpriteshin nga duartrokitjet, nga koret, që thoshin “faleminderit” në të gjitha gjuhët e globit. Edhe në spanjisht e protugalisht, gjuhë të folura nga shumica e katolikëve të botës, Benedikti XVI shqiptoi fjalë shprese për të ardhmen:
“En este Año de la fe invito a todos…”
“Në këtë Vit të Fesë, i ftoj të gjithë të rinovojnë besimin e plotë në Zotin, me sigurinë se Ai na mban e na do”.
Jozef Racinger u kërkoi të gjithëve ta dëshmojnë krishterimin me gëzimin tipik të fesë në Krishtin. Sheshi u përlot e u mallëngjye, por nuk shihej trishtim në sytë e njerëzve, pavarësisht se po merrnin pjesë në audiencën e fundit të papnisë së Benediktit XVI. Përshëndetja e këtij populli shumëkombësh për Papën nuk ishte “lamtumirë” e as “mirupafshim”, pasi siç tha ai vetë në kroatisht, “nën mbrojtjen e Nënës qiellore, mbetemi të bashkuar në lutje e në fe, në Krishtin e ringjallur”.
Në mbrëmjen e së mërkurës, filloi nata e fundit e Benediktit XVI në Vatikan. Rreth 3 mijë rregulltarë e shumë të rinj të organizatës kishtare “Papaboys” u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit e, me qirinj ndër duar, tri kitarra e zemrën mbushur me mirënjohje, organizuan një Ditë të vogël Botërore të Rinisë. Më të vendosurit, ndenjën aty deri në orën 23.45, çasti kur sekretari personal i Papës, don Georg doli në dritare për t’i përshëndetur me dorë. Dritat e apartamentit papnor u fikën e të rinjtë u larguan gati në majë të gishtave, për të mos prishur me zhurmë, natën e fundit të një pape.
Të enjten, dita e fundit e papnisë së Benediktit XVI, takimi me kardinajtë dhe përqafimi me besimtarët në Kastel Gandolfo.
“Jemi përpjekur t’i shërbejmë Krishtit e Kishës së Tij, - u tha Jozef Racinger kardinajve - me dashuri të thellë e të madhe, shpirti i ministerit tonë. Kemi dhuruar shpresë, atë që vjen nga Krishti, e vetmja, që mund ta shndrisë udhën”.
E pastaj, bindja e tij më e thellë:
“Kisha nuk është ndonjë institucion i shpikur dhe i ndërtuar enkas, por një realitet i gjallë. Ajo jeton përgjatë kohës që vjen, në plotësim e sipër, si çdo qenie gjallë, duke u shndërruar e, megjithatë, natyra e saj mbetet gjithnjë po ajo. Zemra e saj është Krishti”.
Kisha, u tha kardinajve Benedikti XVI, përtërihet në bijtë e vet, në të gjithë ata, që ia hapin zemrën Fjalës së Zotit dhe e bëjnë Krishtin të lindë sërish në botë, me po atë përvuajtëri, që pati Shën Maria Virgjër kur pranoi planin e Hyjit për të.
Në orën 17.07, helikopteri me Jozef Racinger ngrihet në qiellin e Romës për të shkuar në Kastelgandolfo. Të mrekullueshme imazhet e këtij fluturimi mbi Qytetin e Amshuar, të transmetuara nga Qendra Televizive e Vatikanit. Pastaj, përqafimi me besimtarët e mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik, në qytezën laciale. Të shumtë e të përlotur, dëgjojnë Benediktin XVI, që s’pushon së falenderuari:
“Tani, jam thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij në këtë botë. Dua të punoj akoma me zemër, me dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha forcat e brendshme, dua të punoj për të mirën e përbashkët, për të mirën e Kishës e të njerëzimit”.
Në orën 20.00, imazhet sugjestive të mbylljes së portës së Pallatit Apostolik në Kastel Gandolfo shënuan fundin e papnisë së Benediktit XVI. Filloi Selia Vakante.







All the contents on this site are copyrighted ©.