2013-03-01 16:31:18

Benedikti XVI me “Faleminderit”mbyll fjalimin e fundit siç e mbylli të parin si Papë


Kisha pa Benediktin XVI. Më 28 shkurt, në ora 200 u mbyll mandati pjetrin, përfundoi shërbimi papnor i Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, që zgjati gati tetë vjet, e saktësisht shtatë vjet, 10 muaj e 9 ditë. E kështu nga ora 20.00 e ditës së 28 shkurtit, filloi edhe periudha e Selisë Vakante për Kishën Katolike Romake, dreri në zgjedhjen e Papës së ri.
Me një fjalë të thjeshtë, thënë nga zemra, përtej çdo protokolli e riti: “Faleminderit”, Benedikti XVI e përfundoi papninë e tij kur në ora 17.45 nga ballkoni i Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfo tha: “Jam shtegtar i thjeshtë që fillon etapën e fundit të shtegtimit të vet mbi tokë”. Kështu me këto fjalë të përshëndetjes së fundit, drejtuar mijëra besimtarëve që e pritën mbrëmë në lutje e pastaj me brohiritje, në sheshin para Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfi, Benedikti XVI u paraqit si Papë i pensionuar, si Papë tashmë i tërhequr në lutje e meditim, po përherë në gjirin e Kishës dhe pranë Krishtit të Kryqëzuar, siç kujtoi ai personalisht të mërkurën e kaluar, më 27 shkurt, gjatë Audiencë së Përgjithshme të fundit të Papnisë, duke përshëndetur e falënderuar Popullin e Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Mbrëmë, pas bekimit të fundit apostolik si Papë, falënderimi spontan, drejtuar turmës së besimtarëve, për dashurinë e tyre të manifestuar ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit, pamë një ndarje mallëngjyese e një tërheqje të thjeshtë të Bariut shpirtëror të Kishës, të teologut të madh e të profesorit të famshëm, Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, me fjalë të përzemërta atërore: “Ju bekoj të gjithëve, natën e mirë e faleminderit”.
E njëjta thjeshtësi që Benedikti XVI pati edhe në fjalimin e parë papnor ‘Urbi et Orbi’ drejtuar Popullit të Zotit, më 19 prillin e vitit 2005, i posa i zgjedhur Papë, kur nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan tha: “Në gëzimin e Zotit të Gjallë, krejtësisht të mbështetur në ndihmën e Tij të përhershme, të shkojmë përpara. Zoti do të na ndihmojë e Virgjëra Mari Nëna e Shenjtueshme e Tij do të jetë në krahun tonë”.
E dje, përfundoi akoma me atë fjalë, të thjeshtë, të përzemër e plot domethënie: “Faleminderit”.
E dita e djeshme e 28 shkurtit 2013 do të hyjë në histori. E me gjithë se ishte ditë vërtetë historike, Papa Benedikti XVI e deshi dhe e kaloi, për sa qe e mundshme, në mënyrë të zakonshme, të thjeshtë, të përzemërt. Duke u nisur nga takimi me 144 kardinajt, nga lamtumira dhënë Vatikanit ndërsa zëri i kambanave të Kisha të Vatikanit e të Romës e shoqëronin transferimin e tij me helikopter të bardhë mbi Vatikan, mbi Bazilikë të Shën Pjetrit, mbi Romën, qytetin dhe dioqezën e tij e deri te arritja në Kastel Gandolfo. Dita e fundit e papnisë për Papën Ratcinger vërtetë kaloi si çdoherë tjerë me thjeshtësi e dashamirësi atërore.
S’ka dyshim që dita e djeshme e 28 shkurtit 2013 shënon një epokë dhe hap një faqe të re në historinë e Kishës, për të cilën Benedikti XVI vazhdon t’i lutët Zotit dhe për çka na fton të gjithëve të lutemi bashkë me të. E kështu tani e përherë duhet të lutemi për të mirën e Kishën e për Papën e ri, Pasardhësin e tij, të cilin, që dje, Jozef Ratcinger “premtoj se do ta nderojë dhe do t’i bindet pa kushte”.
E mund të themi se teologu Ratcinger ka qenë Papa i fjalës, me tre libra mbi “Jezusin e Nazaretit” që kanë pasur një sukses të madh në mbarë botën dhe tri enciklika, të botuara edhe ato në miliona kopje në gjuhë të ndryshme të botës. Benedikti XVI i mbeti besnik motos së tij ipeshkvnore: “Bashkëpunëtor i së vërtetës”. Një tjetër enciklikë mbi temën e fesë (e cila qe paralajmëruar nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë) do të ishte dashur të botohej në mbyllje të kremtimeve të Vitit të Fesë, që po kremtojmë, me vullnetin e këtij Pape. Po kjo enciklikë do të mbetët në sirtar. Një Papë shkrimtar e teolog por edhe i aftë t’u predikoi turmave të mëdha me përvujtëri e bindje Lajmin e Mirë të Ungjillit të Krishtit, siç dëshmoi edhe Audienca e Përgjithshme e 348-ta dhe e fundit e Jozef Ratcinger, e së mërkurës së 27 shkurtit 2013, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para mase 200 mijë besimtarëve.
E tani, gjatë periudhës së ‘selisë vakante’, e 10 me radhë që bëhet seli vakante nga tërheqja apo dorëheqja e një Papa, pezullohet të gjitha detyrat e postet e zyrat e Krerëve të Dikastereve, së bashku me Sekretarinë e Shtetit. Mbesin në funksion, pra në detyrë Kamerlengu, Pendestari i madh e Dekani i Kolegjit Kardinalor. E kështu, tani i takon Asamblesë së Kardinajve, kryesuar nga dekani kardinali Angelo Sodano, të merret me nevojat e përditshme, të shqyrtojnë gjendjen dhe sfidat e Kishës, si dhe të përcaktojë zhvillimin e Konklavit të ri, për zgjedhjen e Pasardhësit të 265 të Shën Pjetrit, pra ipeshkvit të 266 të Romës.
Takimet zyrtare të Kardinjave do të fillojnë të hënën e ardhshme, më 4 mars, me Kongregacionet apo Mbledhjet “parapërgatitore”, para fillimit të Konklavit, që zhvillohen me ritëm të rregullt çdo ditë, deri në nisjen e Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri. Kongregatat apo Asambletë e përgjithshme të kardinajve nga mbarë bota, mbahet në Pallatin Apostolik e drejtohen nga Dekani i Kolegjit Kardinalor deri në fillimin e Konklavit e të procesit të votimeve për zgjedhjen e Papës së ri. Po më hollësisht mbi këto procedura, do të ju njoftojmë në të ardhshmen. Tani, jemi në periudhën e selisë vakante e heshtja që mbretët nuk është mungesë apo zbrazësi: “Nuk e braktis Kryqin por në një mënyrë të re qëndroi pranë Krishtit të kryqëzuar”, tha Benedikti XVI më 27 shkurt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Në epokën e “eklipsit të Zotit” nga shoqëria bashkëkohore, ky Papë na ka ftuar të zbulojmë domethënien e Hyjit Atë, Krijues e Shpëtimtar, që veprën në botën e jetën tonë, e tani i takon çdo të krishteri të ndjek shembullin e mësimin e tij, të mbështetemi e të kemi besim të plotë në Zotin, që e udhëheq Kishën e njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.