2013-03-01 17:15:36

Atë Kantalamesa: Papë i përvuajtur, papni e thellë, fara e mbjellë do të lulëzojë


Emocioni i thellë, mallëngjimi, mirënjohja, qenë ndjenjat që përfshinë të gjithë besimtarët, që erdhën të shumënumërt nga e gjithë bota, për të përshëndetur Papën Benedikti XVI, duke marrë pjesë, si kurrë ndonjëherë, në veprimtaritë e fundit të papnisë. Me këto ndjenja e shoqëruan Jozef Racingerin edhe bashkëpunëtorët e tij në Vatikan e kleri i Kishës Katolike. Ia drejtuam mikrofonin predikatarit të Shtëpisë Papnore, atë Rabiero Kantalamesës, për ta pyetur si e priti vendimin e Atit të Shenjtë për t’u tërhequr nga shërbimi pjetrin:
E prita me qetësi; mund të parashikohej nga shumë gjëra, sidomos nga ç’kishte shkruar e thënë në intervista; dukej se ky do të ishte vendimi i tij, në rast se forcat nuk do t’i mjaftonin më. Mendoj se dha një shembull të jashtëzakonshëm shkëputjeje të plotë nga pushteti, sepse është e qartë: është më lehtë të kapesh pas pushtetit e jo e kundërta. Kthimi në jetën e thjeshtë, kundruese – siç thotë vetë – është leksion për të gjithë Kishën. Ne kemi nevojë për një kohë kundrimi të Zotit. Nëse e ndjen këtë Papa, që punon për Krishtin ditë e natë, aq më shumë duhet ta ndjejnë të tjerët kohën për t’u ngjitur në Malin Tabor, siç tha Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës.
Cilat janë kujtimet me të cilat do ta mbani mend këtë papni?
Admiroj përvuajtërinë, më parë të kardinalit Racinger, i cili kur ishte në Romë, ndodhej gjithnjë në rreshtin e parë, gjatë predikimeve të mia, nuk mungonte kurrë! E pastaj, edhe si Papë, ka qenë gjithnjë i pranishëm. Në të vërtetë, ky akt i papëve, të cilët shkojnë për të dëgjuar predikimin e një meshtari të thjeshtë, vazhdon të më mahnisë edhe pas 34 vjetësh, që jam në këtë detyrë.
Si mund t’i shoqërojë Kisha Katolike besimtarët e shumtë, që në këtë çast, përjetojnë ndoshta, edhe një farë çorientimi?
Mendoj se ky çorientim mund të shndërrohet në çast të favorshëm për Kishën, sepse na bën të kuptojmë – siç na e kujtoi edhe Papa – se kreu i vërtetë i Kishës është Jezu Krishti, pra selia e shën Pjetrit nuk është vakante, nuk është vërtet bosh! Sepse Krishti është gjallë, është ringjallur, është Ai, që e udhëheq Kishën, përmes lëvizjeve e njerëzve, që pasojnë njëri-tjetrin.
Cili është bilanci i kësaj papnie, ashtu siç e ndjeni ju?
Mendoj se askush s’mund të bëjë bilance tani. Papnia është diçka e madhe, që ka nevojë për kohë që të vlerësohet si duhet. Por, kjo papni ka qenë e thellë, me ide e parime, të cilat kanë hedhur një farë, që, pa dyshim, do të lulëzojë.
Sipas jush, si e komentoi shtypi botëror tërheqjen e Benediktit XVI. A ka ndonjë aspekt, që nuk u vlerësua si duhet?
Shtypi merret me gjërat e jashtme, me atë që sheh me sy… e ndoshta nuk e kupton botën e brendshme të këtij njeriu: atë botë intelektuale e shpirtërore, që shprehet pa zhurmë e bujë, tipike për një personalitet me përshpirtëri të thellë.







All the contents on this site are copyrighted ©.