2013-02-28 10:45:05

Prof. Injac Zamputti, në përvjetorin e vdekjes


Më 28 shkurt kujtojmë studiuesin e madh prof. Injac Zamputtin, në përvjetorin e vdekjes së tij. Studiuesi i madh prof. Injac Zamputti ka lënë pas trashëgim një vepër shumë vëllimshme letrare e historike, ishte ekspert i madh i historisë mesjetare të Shqipërisë, siç dëshmojnë veprat e tij mbi Dokumentat nga shek. XV deri në shek. XVII për Historinë.
Botoi 10 vëllime në të cilat transkriptoi, përktheu e komentoi relacione, regjistra e shënime të ndryshme nga arkivat mesjetare të Raguzës, të Venedikut e të Vatikanit. Pastaj kujtojmë veprat tjera novelistike “Zemra njerëzish” (1940); “Atje nën hijen e Rozafës” (1944), dramën “Damjani himarjot” dhe “Guri i Themelit”, deshifrimin e Anonimit të Elbasanit, veprën “Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shekullin XVI-XVII”.
Botoi edhe studime mbi veprën e dom Gjon Buzukut, “Meshari”, të Budit, Bardhit, Bogdanit dhe përktheu “Burgimet e mia” të Pashko Vasë Shkodranit. Në moshë të shtyrë botoi veprat “Eskursion në dy vepra të Kadaresë”, “Fishta – koha, njeriu, vepra” dhe bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” të paskomunizmit.
Në moshën 83 vjeçare, përlot me Shqipërinë, gjuhën, historinë e letërsinë e saj, vendosi të largohet nga atdheu për në Itali. U vendos në Tivoli, pranë Romës ku edhe ndërroi jetë më 28 shkurt 1998, i ngushëlluar me të gjitha sakramentet e dashurinë e familjes së tij të dashur.







All the contents on this site are copyrighted ©.