Me 28 shkurt përkujtojmë ideologun e Rilindjes Kombëtare, poetin Jeronim de Rada
në përvjetorin e vdekjes. Kur flasim për etërit e kombit shqiptar nuk ka sesi
të mos bjerë në sy fakti se shumë nga frymëzuesit e një Shqipërie të pavarur ishin
poetë me shpirt si Naimi, Pashko Vasa, Fishta e të tjerë. Vend të dukshëm mes tyre
zë Jeronim de Rada, arbëreshi i Makies së Kalabrisë. Vizioni që ai si poet kishte
për një Shqipëri të lirë e të pavarur, u shndërrua në një realitet politik e De Rada
vetë në ideologun e parë të Rilindjes Kombëtare, duke iu imponuar të gjitha planeve
të politikanëve ballkanikë. Ky qe triumfi i shpirtit të dlirë të poetit mbi amullinë
që kishte lënë pas pushtuesi osman por edhe mbi kllapitë e shteteve ballkanike që
ëndërronin të zgjeroheshin në truallin e stërgjyshërve të shqiptarëve. Më 28 shkurt
1903 vdiq Jeronim De Rada. Ai lindi në Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në
kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi
në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori
të parën gazetë shqiptare "L'Albanese d'Italia" , në të cilën shprehu pikëpamjet e
tij për ngjarjet e kohës. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe
ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. De Rada luajti një rol të madh
në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare.
Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin
"Mësues i Popullit". De Rada vdiq me 28 shkurt 1903 dhe nuk e pa pavarësinë e Shqipërisë.
Sot Shqipëria ekziston por shqiptarëve për të qenë të lumtur u nevojitet prapë të
ëndërrojnë bukur e guximshëm si De Rada.