Më 28 shkurt kalendari përkujton shën Romanin abat.
Shën Romani është një nga figurat më të njohura të monakizmit lindor. E, për ta kuptuar
veprimtarinë e tij, duhet kujtuar se takimet e murgjërve lindorë me murgjërit perëndimorë
u thelluan edhe si pasojë e internimeve të shpeshta, me të cilat u dënua Shën Atanazi.
Kështu, në shekullin IV nisi lulëzimin edhe monakizmi perëndimor, që ndikoi fuqimisht
në jetën shpirtërore e civile, duke krijuar kushte për lulëzimin e një qytetërimi
të ri. Mjafton të kujtojmë Shën Benediktin. Manastiri i parë në Gali lindi
në vitin 371, falë veprimtarisë së Shën Martinit të Turit. Pastaj nisën të lulëzojnë
më shumë abacitë, ndërmjet të cilave, ajo e Ainai, pranë Lionit, ku në fillim të shekullit
V jetoi murgu Roman. I pakënaqur nga rregulli, ndonëse tejet i rreptë, sipas të cilit
jetonin murgjërit e manastirit, në fillim deshi të ikte e të jetonte në vetmi të plotë
në pyjet e pashkelura për rreth. Por pastaj vendosi t’i kërkonte leje e abatit. Si
e siguroi këtë leje, duke marrë me vete vetëm një tekst të Shkrimit Shenjt e veglat
e punës, ngarkuar mbi shpinë, u nis drejt maleve të pazbuluara të Xhurës. E i humbën
gjurmët. Pikërisht zhdukja e tij kaq e çuditshme e shtyu të vëllain, Lupiçinin, i
cili sapo kishte mbetur i vejë, të nisej për ta kërkuar. E zbuloi strehën primitive,
ku jetonte, dhe u bashkua me të, duke tërhequr pas vetes edhe disa burra të tjerë.
Lindi, atëherë, nevoja për të ndërtuar dy manastire, një në Kondat e një tjetër, në
Lukon. Pastaj me ta u bashkua edhe një nga motrat e u ngrit edhe manastiri i tretë,
femëror, pak më larg manastireve mashkullore, në një zonë të quajtur Bom, ku motra
u zgjodh abateshë. Dy vëllezërit drejtonin, në harmoni të plotë, të dyja bashkësitë.
Temperamentet e tyre, krejt të kundërta, plotësonin njëri-tjetrin: Romani kishte shpirt
tolerant, pajtohej shpejt, donte me gjithë zemër e ishte gati gjithnjë për t’i ndihmuar,
ata që ia kërkonin ndihmën. Lupiçini ishte njeri i rreptë, që nuk pranonte asnjë shkelje
të rregullit, të cilin ai vetë, i pari, e zbatonte fjalë për fjalë. Kështu, pas një
korrjeje të begatë, kur murgjërit i harruan rregullat e rrepta të agjërimit e hëngrën
më shumë se duhet, Lupiçini i flaku të gjitha rezervat ushqimore në përrua e dha urdhër
që në sofër të shërbehej vetëm supë elbi. Dymbëdhjetë murgjër, të lënduar nga ky teprim,
u larguan nga kuvendi, por Romani, me lot në sy, i ndoqi pas e iu lut të riktheheshin.
E ata iu përgjigjen lotëve të tij, me dashuri vëllazërore. E u kthyen. Kështu mirësia
e butësia fituan mbi rreptësinë. Më vonë Shenjti u nis për shtegtim tek varri i Shën
Morisit, në Gjenevë, në shoqëri me një murg tjetër. Gjatë rrugës, shtegtarët u strehuan
në një kasolle, ku banonin dy të gërbulur. Romani, sa i pa, nuk ngurroi t’i përqafonte.
Të nesërmen ata panë, të mrekulluar, se ishin shëruar plotësisht. Vrapuan, atëherë,
në qytet, për t’ua treguar të gjithëve mrekullinë. Shumë punë të bindshme ndodhën
gjatë këtij shtegtimi. Pastaj Romani i ëmbël e mëshirshëm, u rikthye përfundimisht
në vetminë e Konadit, prej nga u nis për qiell para të vëllait e së motrës, në vitin
463. Kishte lindur rreth vitit 390. Jetën e Shenjtit e mësojmë përmes leximit të
veprës hagjiografike “La Vita Patrum Jurensium”, shkruan prej njërit nga ndjekësit
e tij.