2013-02-28 17:48:12

Letër e klerit dhe e besimtarëve katolikë kinezë për Papën: “Faleminderit, na e ke lehtësuar kryqin”


Në fund të papnisë së Benediktit XVI, kanë mbërritur shumë letra e mesazhe, nga të cilat, pasi ju kemi njoftuar me letrën e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, veçojmë letrën e një grupi anëtarësh të klerit e besimtarësh kinezë, vlerësuar shumë nga Jozef Racinger. Ata falenderojnë për vëmendjen e mbështetjen e vazhdueshme të Kishës Katolike në Kinë.
Përdorin fjalë të ndjera, shkruajnë me mallëngjim, katolikët kinezë. “Shenjtëria Juaj – lexohet në mesazh – është përpjekur të nxisë dialogun dhe të na e lehtësojë kryqin, që mbajmë mbi supe, duke treguar shqetësim, por edhe duke e bekuar gjithmonë vendin tonë”. Rreshta, që prekin zemrën e Papës. Faleminderit për bekimet e urimet e Vitit të Ri hënor – vazhdojnë kinezët – për ato të Lojrave Olimpike të Pekinit 2008; faleminderit për mesazhin e Krishtlindjes së kaluar, për lavdërimet pas botimit të Mesharit në gjuhën kineze të thjeshtuar, për përshëndetjet drejtuar krerëve politikë e akoma, faleminderit – thonë katolikët, që vuajnë akoma nën komunizmin ateist, pavarësisht se të veshur me petkat e demokracisë – për letrën e gjatë historike drejtuar klerit dhe besimtarëve kinezë, për lutjen, që Benedikti XVI shkroi për Kinën, pasu u ngjit në fronin e Shën Pjetrit.
Pastaj, përmenden të gjitha organizmat bamirëse të Kishës, që punojnë në Kinë, për ndihmën që japin, duke dalluar, ndër të tjera, impenjimin me rastin e përmbytjeve në Gansu, të tërmetit në Yushu e në Sichuan. E më tej, falenderimi për veprimtarinë e Papës në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të së vërtetës, të vlerave të fesë e në promovimin e ungjillëzimit të ri.
“Qëndrimi i lirë dhe i hapur, – shkruajnë katolikët kinezë - që keni treguar para pushtetit, nderit e statusit dhe përgjigjja juaj e fuiqshme, këmbëngulëse përballë sfidave, ju kanë bërë të fitoni respektin e të gjithëve e kanë mallëngjyer botën mbarë”. Prekëse, ndër faqet e kësaj letre, kërkesa për falje për të gjitha dobësitë, konfliktet, vështirësitë, problemet e shqetësimet, të cilave Papa u është përgjigjur gjithnjë me dashuri atërore. Në fund, siguria e bashkimit në lutje e premtimi i dashurisë së ndërsjelltë, që nuk do të shuhet kurrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.