Fjalët e fundit të Benedikti XVI: “Jam shtegtar i thjeshtë, që fillon etapën e fundit
të shtegtimit të tij mbi tokë”. Në orën 20.00, Selia Vakante
“Faleminderit, të dashur miq. Jam i lumtur që ndodhem mes jush, rrethuar nga bukuria
e Gjithësisë, Krijim i Zotit, e nga simpatia juaj, që më bën shumë mirë. Faleminderit
për miqësinë e dashurinë tuaj!” Këto qenë fjalët e para, që Benedikti XVI u tha
besimtarëve, që e kishin mbushur plot e përplot oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel
Gandolfos. “Ju e dini se kjo ditë e imja është e ndryshme nga të mëparshmet:
do të jem Papë i Kishës Katolike deri në orën 8 të mbrëmjes, pastaj jo më. Tani, jam
thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fundit të shtegtimit të tij në këtë botë.
Dua të punoj akoma me zemër, me dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha forcat
e brendshme, dua të punoj për të mirën e përbashkët, për të mirën e Kishës e të njerëzimit.
Dhe e ndjej se simpatia juaj më mbështet. Të shkojmë përpara së bashku me Zotin, për
të mirën e Kishës e të botës. Faleminderit!” Pas këtyre fjalëve, Papa Benedikti
XVI u dha të gjithëve Bekimin e tij të fundit Apostolik, duke dalë nga skena në majë
të gishtave, por pa zbritur nga Kryqi i Krishtit. Papa mbërriti në heliportin
e Vilave Papnore, në Kastel Gandolfo, në orën 17.23, i shoqëruar nga tingujt e këmbanave
të dioqezës së Albanos, pasi ishte larguar nga Vatikani në orën 17.07, gjithnjë nën
tingujt e këmbanave. Helikopteri u rrotullua disa herë mbi Sheshin e Shën Pjetrit,
për të përshëndetur besimtarët e mbledhur, që shtrëngoheshin për herë të fundit rreth
Ipeshkvit të Romës, të cilit i shprehën me të gjitha mënyrat, mirënjohjen e tyre të
thellë e të ndjerë. Helikopteri u ngrit mbi Koloseum e mbi Bazilikën e Shën Gjonit
në Lateran: të mrekullueshme, imazhet e transmetuara nga Qendra Televizive e Vatikanit. Pak
para orës 17.00, në oborrin e Shën Damazit, Benedikti XVI u përshëndet nga krerët
e Sekretarisë së Shtetit, udhëhequr nga kardinali Bertone, kardinajtë Valini e Komastri
dhe nga Roja Zvicerane. Mallëngjyese, përshëndetja e shoferit të makinës, i cili ndjeu
nevojën t’i puthte dorën Atit të Shenjtë, në një gjest të përlotur, që kërkonte siguri.
Makina, pasi kaloi para Shpellës së Lurdës në Vatikan, ndaloi në heliportin e vogël
të këtij shteti 1 kilometër katror, ku Benedikti XVI u prit nga kardinali dekan Anxhelo
Sodano dhe nga kardinali Lajolo, për t’u nisur me helikopter për në Kastel Gandolfo. Këtu,
Jozef Racinger u prit nga kardinali Bertelo, imzot Shaka, nga ipeshkvi i Albanos,
nga drejtori i Villave Papnore, nga kryetari i bashkisë dhe nga famullitari. Benedikti
XVI do të qëndrojë në Kastel Gandolfo dy muaj, për t’u kthyer pastaj në Vatikan si
Papë nderi, me banesë në Kuvendin e klauzurës “Mater Ecclesiae”. Në orën 20.00, papnia
e tij merr fund dhe fillon periudha e Selisë Vakante. Që prej 400 vjetësh, Papët
shkojnë në Kastel Gandolfo për verim, por sot, qyteza e qetë laciale përjetoi emocione
të papara. Në shesh, për të përshëndetur Papën, famulli të tëra, familje, rregulltare,
lëvizje e shoqata katolike, të rinj, ardhur në shtegtim. T’i dëgjojmë zërat e tyre:
Erdha, sepse doja të isha më pranë Papës.
Faleminderit
për fenë e për mësimet.
Jemi
nga të gjitha vendet e botës: Peru, Argjentinë, Bregu i Fildishtë, Filipine, Brazil…
e duam t’i shfaqim Benediktit XVI afërsinë tonë në lutje e t’i themi se do të vazhdojmë
të mësojmë nga magjisteri i tij. Na ka shndritur në këto tetë vjet: e kemi ndjerë
si atin tonë. Si të ishte katekist, na mori për dore e na udhëhoqi gjatë këtyre viteve.
Duam t’i themi se e duam fort e i kërkojmë
të lutet për ne.
Jemi këtu
për t’i treguar Papës përkrahjen tonë.
Sidomos,
e konsiderojmë privilegj përjetimin e këtij çasti historik, me të njëjtin qëndrim
si Papa: duam të rizbulojmë marrëdhëniet me Zotin, pra, thelbin e jetës.
Na mëson ta vendosim Zotin në plan të parë,
por na tregon edhe si të jemi të përvuajtur.
Kemi
shpresë, sepse besojmë në Zotin.
Nuk
mund të kemi frikë nga asgjë. Jam e lumtur, që ndodhem këtu.
“Përvuajtëria
të bëri të madh. Ki besim në lutjen tonë”, lexohej në parrullat, që njerëzit mbanin
në duar.“Faleminderit” është fjala më e dëgjuar e këtyre ditëve.