2013-02-28 10:30:04

Dita e fundit e Papnisë për Benediktin XVI


Sot përfundon shërbimi papnor i Benediktit XVI, i cili më 11 shkurtin e kaluar njoftoi Kolegjin Kardinalor për vendimin e tërheqjes historike nga selia e Pjetrit, dhe nga ora 20.00 e ditës së sotme, nis periudha e “selisë vakante”. Dje gjatë audiencës së përgjithshme të fundit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilës para mase 200 mijë besimtarëve të ardhur nga mbarë bota, Papa Jozef Ratcinger përshëndeti e la testamentin e tij shpirtëror, duke shpjeguar se gjatë papnisë së tij, Kisha ka pasur momente të mira, por ka përjetuar edhe “momente të vështira”. E lidhur me tërheqjen e tij nga udhëheqja e Kishës, Benedikti XVI pohoi se “nuk e braktis kryqin” po mbetët, pra vazhdon të jetë “në një mënyrë të re” pranë Krishtit të Kryqëzuar. E sot paradite Ati i Shenjtë Ratcinger përshëndetet e ndahet nga kardinajt e pranishëm në Romë dhe nga Kisha mbarë, për të vijuar jetën, siç tha dje, “brenda rrethimit të Shën Pjetrit”, po në një mënyrë tjetër, në lutje e meditim.
Takimi përshëndetës i Papës do të mbahet në ora 11.00 në Sallën Klementina në Vatikan, ku do të marrin pjesë edhe shumë kardinajë që kanë ardhur në Romë nga selitë e tyre nëpër botë për Konklavin. Pasdite në ora 17.00, Papa Benedikti XVI do të le Vatikanit e me helikopter do të transferohet në Kastel Gandolfo, ku do të jetojë muajve të ardhshëm në pritje të sistemimit në ish-manastirin e klauzurë në Kopshte të Vatikanit, pas Bazilikës së Shën Pjetrit. Ky manastir do të jetë banesa e “Papës së pensionuar”, siç ka dashur vet të quhet nga mbrëmja e ditës së sotme e tutje. Rreth orës 17.30, Papa Ratcinger do të përshëndet besimtarët në sheshin para Pallatit të Kastel Gandolfit, e ky moment do të jetë edhe çasti i fundit, në të cilën do ta shohim në cilësinë e Papës së Romës në detyrë.
Në ora 20.00, shenja e vetme e përfundimit të Papnisë së Benediktit XVI do të jetë mbyllja e portës së madhe e pallatit të Kastel Gandolit, dhe ndërrimi i xhandarmerisë së Vatikanit me rojet zvicerane, që lënë shërbimin e tyre e do të kthehen në Vatikan, nga çasti që Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger nuk është më Papë në udhëheqje të Kishës. Nga ai moment fillon periudha e “selisë vakante” e do të nisë rruga apo procedura kanonike për zgjedhjen e Papës së ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.