Benedikti XVI Kardinajve: Kisha është e gjallë. Zemra e saj është Krishti
Sot paradite, Papa Benedikti XVI përshëndeti kardinajtë e mbledhur në Sallën Klementine
në Vatikan. Mallëngjimi karakterizoi edhe atomsferën e këtij takimi, siç po ndodh
gjatë këtyre ditëve, në të gjitha veprimtaritë e Jozef Racinger. Papën e përshëndeti
dekani i Kolegjit kardinalor, Anxhelo Sodano. Më pas, Benedikti XVI u foli kardinajve,
duke theksuar edhe një herë, mendimin e tij kryesor të kohëve të fundit: Kisha është
e gjallë, Kisha është e Krishtit. Por ja fjalët e Papës: “Të dashur vëllezër
të nderuar ju takoj me gëzim të madh dhe i drejtoj secilit prej jush përshëndetjet
më të përzemërta. Falenderoj kardinalin Anxhelo Sodano, që, si gjithmonë, diti të
bëhej interpretuesi i ndjenjave të krejt Kolegjit, “Cor ad cor loquitur”. Nga zemra,
faleminderit hirësi. Dua t’ju them, duke pasur si pikë referimi dishepujt
e Emausit, se edhe për mua ka qenë gëzim i madh ta bëja udhën së bashku me ju, gjatë
këtyre viteve, në dritën e pranisë së Zotit të Ringjallur. Siç thashë dje, para mijëra
besimtarëve, që mbushnin Sheshin e Shën Pjetrit, afërsia juaj, këshillat tuaja, më
kanë ndihmuar shumë në shërbimin tim. Gjatë këtyre tetë vjetëve, kemi jetuar me fe
çaste tejet të bukura drite rrezatuese në udhën e Kishës, së bashku me çaste, në të
cilat qielli mbushej me re. Jemi përpjekur t’i shërbejmë Krishtit e Kishës së Tij,
me dashuri të thellë e të madhe, shpirti i ministerit tonë. Kemi dhuruar shpresë,
atë që vjen nga Krishti, e vetmja, që mund ta shndrisë udhën. Së bashku mund ta falenderojmë
Hyjin, që na bashkoi më shumë; së bashku mund ta lusim të rritet ky bashkim i thellë,
në mënyrë që Kolegji i kardinajve të jetë si një orkestër, ku ndryshimet – shprehje
e Kishës universale – të kontribuojnë në krijimin e një harmonie gjithnjë e më të
plotë e më të madhe. Dua t’ju lë një mendim të thjeshtë, që e kam shumë për zemër,
një mendim për Kishën, për shërbimin e saj, që mund të themi se për ne të gjithë është
arsyeja e pasionit në jetë. Po thërras në ndihmë një shprehje të Romano Guardinit,
shkruar pikërisht në vitin, kur Etërit e Koncilit II të Vatikanit, miratonin Kushtetutën
“Lumen Gentium”. Botimi i fundit ka një dedikim personal edhe për mua, prandaj fjalët
e këtij libri më janë fort të dashura. Thotë Guardini: “Kisha nuk është ndonjë institucion
i shpikur dhe i ndërtuar enkas, por një realitet i gjallë. Ajo jeton përgjatë kohës
që vjen, në plotësim e sipër, si çdo qenie gjallë, duke u shndërruar e, megjithatë,
natyra e saj mbetet gjithnjë po ajo. Zemra e saj është Krishti”. Më duket
se kjo ishte përvoja, që përjetuam dje në shesh. Pamë se Kisha është korp i gjallë,
së cilës i jep frymë Shpirti i Shenjtë. Ajo jeton vërtet nga forca e Zotit. Është
në botë, por nuk është e kësaj bote. Është e Zotit, e Krishtit, e Shpirtit, siç e
pamë dje. Prandaj, është e vërtetë dhe mëse e qartë, shprehja tjetër e famshme e Guardinit:
“Kisha rizgjohet në shpirtra”. Kisha jeton, zhvillohet e përtërihet në ato shpirtra
që, si Virgjëra Mari, e pranojnë Fjalën e Zotit dhe mbarsen me Të për vepër të Shpirtit
Shenjt. I ofrojnë Zotit trupin e pikërisht, në varfërinë e përvuajtërinë e tyre, bëhen
të aftë të lindin Krishtin sot në botë. Përmes Kishës, misteri i mishërimit mbetet
i pranishëm përgjithmonë. Krishti vazhdon të ecë nëpër kohra, në të gjitha vendet.
Të dashur vëllezër, le të qëndrojmë të bashkuar me këtë mister, në lutje, sidomos
në Eukaristinë e përditshme e, kështu, t’i shërbejmë Kishës dhe mbarë njerëzimit.
Ky është gëzimi ynë, që askush s’mund të na e shuajë. Para se t’ju përshëndes
një e nga një, dëshiroj t’ju them se do të vazhdoj të jem pranë jush me lutje, sidomos
gjatë ditëve të ardhshme, që të jeni plotësisht gati për dikimin e Shpirtit Shenjt
në zgjedhjen e Papës së ri. Zoti ju tregoftë atë, që do Ai i lumi. Ndërmjet jush,
në Kolegjin e kardinajve, është edhe Papa i ardhshëm, të cilin, që sot, premtoj ta
nderoj dhe t’i bindem pa kushte. Për të gjitha këto, me dashuri dhe mirënjohje, ju
jap nga zemra Bekimin Apostolik”.