2013-02-28 17:17:15

Atë Lombardi: Benedikti XVI do ta marrë vesh emrin e Papës së ri, vetëm kur ta shpallë Protodiakoni


“Qe një gjest shumë i bukur për të vazhduar shpjegimin e sjelljes së tij dhe mënyrën si ka ndërmend ta jetojë Benedikti XVI, gjendjen e veçantë të Papës së nderit. Nuk synon aspak të ndërhyjë në vendimet e Pasardhësit e, si çdo anëtar i Kishës, tha qartë se njeh autoritetin e Bariut suprem të saj… Ishte komunikim i veçantë, shumë origjinal dhe i thellë, për Kolegjin e kardinajve. Gjest i papritur, i paparashikuar, jashtëzakonisht shprehës për mënyrën e sjelljes së Benediktit XVI”.
Sot, në orën 13.00, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi u shpjegoi me këto fjalë gazetarëve, premtimin e sotëm të Benediktit XVI për ta nderuar e për t’iu bindur Papës së ardhshëm, gjest përvuajtërie, që siç e thamë, nuk përmbahet në asnjë protokoll. Pasi përmendi atmosferën e krijuar dje në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së fundit të përgjithshme të Benediktit XVI, atë Lombardi njoftoi se Papës i kanë ardhur mesazhe e letra nga e gjithë bota. Në mënyrë të veçantë, përmendi letrën e një grupi ipeshkvijsh, laikësh e besimtarësh nga Kina, e cila shpreh mirënjohjen për vëmendjen, që i ka kushtuar këtij vendi të madh, Jozef Racinger.
Në orën 20.00 – fundi i papnisë së Benediktit XVI – u mbyll Porta e Pallatit Apostolik në Kastelgandolfo, ndërsa në Vatikan, u mbyllën me dryn e me vulë apartamenti i Papës dhe ashensori, që shkon drejtpërdrejt në këtë apartament, siç shpjegoi paradite, atë Lombardi. Unaza e peshkatarit, vula e Benediktit XVI, do të bëhet e papërdorshme. Mund të mos shkatërrohet plotësisht, sqaroi atë Lombardi, por mund të gërvishtet, ose të copëtohet pjesërisht, që të mos jetë më e vlefshme:
“Me sa di unë, në të kaluarën, si vula e zakonshme, ashtu edhe vula e plumbit e unaza nuk janë shkatërruar, aq sa të mos u mbetet asnjë copë. Mjafton të dëmtohen, në mënyrë që të mos shërbejnë më për funksionin e mëparshëm”.
Zëdhënësi i Vatikanit njoftoi se e gjithë kjo periudhë, pas tërheqjes së Papës Racinger e deri në zgjedhjen e Papës së ri, po ndiqet masivisht nga mediat. Deri më sot, janë akredituar mëse 3.500 gazetarë, që përfaqësojnë gati njëmijë media të ndryshme, në 24 gjuhë, nga 61 kombe. E veçanta e kësaj epoke dixhitale është akreditimi i 115 gazetarëve të mediave, që botohen vetëm në internet, pra gazetarë të uebit. Të gjithëve do t’u sigurohet një vizitë në Kapelën Sikstine për të parë vendin ku do të mblidhet Konklavi, sapo të përfundojnë punimet përgatitore.
Mesha “pro eligendo Pontifice” do të kremtohet nga dekani i Kolegjit kardinalor, Anxhelo Sodano. Kongregacionet e kardinajve para Konklavit do të fillojnë javës që vjen e kësaj radhe, parashikohet të dalin edhe disa informacione zyrtare jashtë mbledhjes, për gazetarët, siç nuk është bërë kurrë. Përsa u përket rendit, me të cilin kardinajtë e pranishëm do të kryesojnë ritet e ditëve të ardhshme, atë Lombardi sqaroi se kjo varet nga urdhëri të cilit i përkasin, por edhe nga data e krijimit si kardinaj:
“Kardinajtë ipeshkvij janë ata me tituj në dioqezat suburbikare, pra në dioqezat e lashta përreth Romës. Presbiterët janë ata me tituj në kishat e Romës, veçanërisht në kishat famullitare, por janë barinj të dioqezave nëpër botë. Ndërsa kardinajtë diakoj janë titullarë të kishave në Romë, që mund të mos jenë kisha famullitare. Ata kryejnë shërbime të ndryshme në Kishë, si krerë dikasteresh të Kuries Romake ose si drejtues në dioqezat e mëdha. Pra, kemi urdhërin e ipeshkvijve, të presbiterëve dhe të diakojve, që ndikon edhe në përparësitë brenda Kolegjit kardinalor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.