Më 27 shkurt kalendari kujton shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme
Kalendari kishtar më 27 shkurt përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar.
Françesko Posenti lindi në Asizi në vitin 1838. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma.
Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme.
Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët.
Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale
( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Vdiq në vitin 1862, 24
vjeç, në Izola del Gran Saso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël, pra pa u bërë
rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar. Në Gran Saso nderohet shumë, në
shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur
shenjt në vitin 1920. Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht
Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të
uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtërueshmes
Zojë të Dhimbshme. Për ditët tona figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes”
është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të
gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin
e Jetës, Krishtin.