2013-02-27 15:02:39

Kisha universale e mbledhur përreth Benediktit XVI


Kisha universale u mblodh sot përreth Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të fundit, për t’i shpreh mirënjohjen, për ta falënderuar e konfirmuar nderimin e dashurinë ndaj tij.
Populli i Zotit, shprehje e universalitetit të Kishës mbarë, e dëgjoi sot porosinë e fundit të papnisë së Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, i cili tha: “nuk e kam braktisur kryqin, po në një mënyrë të re rri pranë Zotit të Kryqëzuar”.
Pra në audiencën e përgjithshme të fundit të Papës Benediktit XVI, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, u pa dhe u përjetuar, në një mënyrë të jashtëzakonshme, universalitetit i Kishës mbledhur përreth Pasardhësit të Pjetrit. Asnjë gjuhë nuk është e panjohur apo e huaj për Papën, sepse ai flet gjuhën e dashurisë së Krishtit. E kështu sot vërtetë patën domethënie të veçantë përshëndetjet në 12 gjuhë që Ati Shenjtë Benedikti XVI i drejtoi shtegtarëve e besimtarëve të ardhur nga mbarë bota, për ta përshëndetur e falënderuar, në mbarim të shërbimit e të misionit të tij papnor.
Të gjitha udhët të çojnë në Romë. Sepse të sjellin te Pjetri. Në Sheshin e madh të Vatikanit rrethuar nga Kolonati i Berninit, sot paradite u dëgjuan gjuhë familjare e të panjohura të popujve të botës. Flamuj të çdo Vendi e Kombi, ndër ta edhe ai shqiptar, valëvitnin në mesin e turmës së madhe të besimtarëve, me veshje e ngjyra që përfaqësojnë kultura e tradita të lashta e të largëta. Është “mrekullia” e vogël që përsëritet për çdo të mërkurë në audienca të përgjithshme në Vatikan. Askush nuk ndjehet i huaj në Sheshin e Shën Pjetrit. Një përmasë që na kujton universalitetin e Kishës, përmasën shpirtërore e vëllazërore që u përjetua sot në mënyrë të jashtëzakonshme e madhështore, që buron nga gëzimi i pashtershëm Ungjillor. E përjetimi i sotëm kishtar pati çastin kulmor në përshëndetjen, gati të dialoguar, që Papa u drejtoi në 12 gjuhë, shtegtarëve të mbarë botës. E mesin e mase 200 mijë të pranishmëve në Vatikan, nuk munguan as besimtarët shqiptarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.