Benedikti XVI falënderon Hyjin për Kishën e frytet hyjnore dhe përshëndet popullin
e Zotit
Një përqafim i ngrohtë, i përzemër e plotë emocione ia i Popullit të Zotit që e përshëndeti
sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papën Benediktin XVI, në audiencën e përgjithshme
të fundit të papnisë së tij. Turma e besimtarëve ardhur nga Vende të ndryshme të botës,
me këngë, kore, në një festë të vërtetë shpirtërore e përshëndeti, duartrokit e falënderoj
Bariun e Përgjithshëm të Kishës katolike. “Jam i emocionuar, e shoh Kishën e gjallë”,
janë fjalët e para të Papës Ratcinger. I buzëqeshur por edhe i emocionuar për një
manifestim kaq madhështor të dashurisë e respektit nga ane popullit të krishterë.
E Papa para se t’i drejton katekizmin e fundit, e përshkoi anë e mbarë Sheshin e Shën
Pjetrit, për t’i përshëndetur të gjithë të pranishmit. Pra Kisha universale u mblodh
sot përreth Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të fundit, për t’i shpreh mirënjohjen,
për të ripohuar nderimin, respektin e dashurinë ndaj tij dhe për ta falënderuar për
këto tetë vjet papnie. E, Populli i Zotit, shprehje e universalitetit të Kishës
së mbarë botës, e dëgjoi sot porosinë e fundit të papnisë së Atit të Shenjtë Jozef
Ratcinger, i cili tha: “nuk e kam braktisur kryqin, po në një mënyrë të re rri pranë
Zotit të Kryqëzuar”. Fjalët që Benedikti XVI ia drejtoi mbarë Kishës, janë fjalë mirënjohjeje,
inkurajimi e feje në Krishtin Zot, që e drejton kurdoherë Kishën e tij. E mase
200 mijë besimtarëve të pranishëm sot në Sheshin e Vatikanit, Papa Ratcinger u tha:
” ju kam dashur e ju kam përherë në zemër dhe në lutje të mia”. Ja fjala që Benedikti
XVI u drejtoi sot të pranishmeve
Vëllezër të nderuar në Episkopat e në Meshtari! Autoritete
të nderuara, Të dashur vëllezër e motra!
Ju falënderoj që keni ardhur kaq
të shumënumërt në këtë Audiencë të Përgjithshme të fundit të papnisë sime. Ju falënderoj
përzemërsisht, jam vërtet i emocionuar.
Ashtu si Pali Apostull në tekstin biblik
që kemi dëgjuar ( nga letra e Kolosianëve 1,9-10), edhe unë ndjej sot në zemër detyrën
për të falënderuar mbi të gjitha Zotin, që e udhëheq dhe e bën të rritet Kishën, që
mbjell Fjalën e tij e kështu e ushqen fenë në Popullin e tij. Në këtë moment, shpirti
im përqafon tërë Kishën e shpërndarë në botë; e falënderoj Zotin për “lajmet” që në
këto vite të shërbimit pjetrin (papnor) kam pasur rastin t’i marr për fenë në Zotin
tonë Jezu Krisht, e për bamirësinë që qarkullon në Korpin e Kishës dhe e bën të jetojë
në dashuri, e për shpresën që na hap zemrat e na orienton drejt jetës në plotësi,
drejt Atdheut Qiellor.
Ndjej në vetvete se ju kam të gjithëve në zemër dhe
ju bart në lutje, në kohën e sotme, që është ajo e Zotit, ku gjej e shijoj çdo takim,
çdo udhëtim, çdo vizitë baritore. Gjithçka e të gjithë i përmend në lutje për t’ia
besuar Zotit: në mënyrë që ta njohim plotësisht vullnetin e tij, me urti e shpresë,
e të jetojmë e të veprojmë në mënyrë të denjë për Zotin e dashurinë e Tij, duke dhënë
fryte me vepra të mira (krh Kol 1.9-10).
Në këtë moment, kam një besim të
madh, sepse di, e dimë të gjithë ne, se Fjala e vërtetë e Ungjillit është forca e
Kishës, është jeta e saj. Ungjilli pastron e përtërin, sjell fryte, kudo ku bashkia
e besimtarëve e dëgjon dhe e pranon Hirin e Zotit në të vërtetën dhe jeton në dashuri.
Ky është besimi im, ky është gëzimi im.
Kur, më 19 prill, para gati tetë vjetësh,
e pranova shërbimin pjetrin (papnor), gjithmonë e kam pasur këtë bindje të patundur
që më ka shoqëruar. Në atë moment, siç jam shprehur disa herë, fjalët që jehonin në
zemrën time kanë qenë: O Zot, ç'kërkon prej meje? Është një peshë ajo që më vë mbi
shpatulla, po nëse Ti ma kërkon këtë, mbi fjalën tënde do ti hedh rrjetat, i sigurtë
se Ti do të më udhëheqësh. E me të vërtetë, Zoti më ka udhëhequr, ka qenë pranë meje,
çdo ditë e kam ndjerë praninë e tij. Kjo periudhë ka qenë një copë udhë e Kishës,
gjatë së cilës kam pasur çaste gëzimi e drite, por edhe çaste jo të lehta: Zoti më
ka dhuruar kaq shumë ditë dielli e puhie të lehtë, ditë në të cilat peshkimi ka qenë
i begatshëm; por ka pasur edhe momente me ujëra të trazuara e me erën kundër, si gjatë
tërë historisë së Kishës, e Zoti dukej sikur flinte. Por e kam ditur se Zoti është
në atë barkë dhe gjithmonë e kam ditur se barka e Kishës nuk është imja, nuk është
jona, por është e Tij e Ai nuk e le të fundoset: është Ai që e udhëheq, pa dyshim
edhe përmes njerëzve që i ka zgjedhur, sepse kështu ka dashur. Kjo ka qenë edhe bindja,
që asgjë nuk mund ta errësojë. E pikërisht për këtë, sot, zemra ime është përplot
me mirënjohje ndaj Hyjit, që kurrë, nuk e ka lënë Kishën e as mua pa ngushëllimin
e Tij, pa dritën e Tij, pa dashurinë e Tij.
Jemi në Vitin e Fesë, të cilin
e kam dashur për të përforcuar pikërisht fenë tonë në Zotin në rrethana, që përherë
e më shumë duket se e vënë fenë në plan të dytë. Dua t'i ftoj të gjithë ta përtërijnë
fenë e tyre të bindur në Zotin, të lëshohen plot besim, si fëmijë, në duart e Zotit,
të bindur se ato duar na mbështesin gjithmonë e pikërisht ato na mundësojnë të ecim
çdo ditë edhe ndër mundime e vështirësi. Do të doja që çdonjëri ta ndjejë se Zoti
e do, se për ne Ai ka dhuruar Birin e Tij dhe na ka treguar dashurinë e tij të pakufishme.
Do të doja që çdonjëri ta ndjente gëzimin e të qenurit të krishterë. Një lutje e bukur,
për t’u shqiptuar çdo ditë në mëngjes, thotë: “Të adhuroj, o Zoti im, e të dua me
gjithë zemër. Të falënderoj që më ke krijuar, më ke bërë të krishterë...”. Po, jemi
të lumtur për dhuratën e fesë; është një pasuri e çmueshme, të cilën askush nuk mund
të na e marrë! Falënderojmë Zotin për këto ditë, me uratë e me jetë të ndershme të
krishterë. Zoti na do, por pret që edhe ne ta duam!
Por, në këtë moment, nuk
dua të falenderoj vetëm Zotin, sepse një Papë nuk është i vetëm në udhëheqje të barkës
së Pjetrit, megjithëse përgjegjësia kryesore është e tij; e unë nuk jam ndjerë kurrë
vetëm në bartjen e gëzimit e të peshës së shërbimit papnor: Zoti më ka vënë pranë
shumë njerëz, të cilët, me bujari e dashuri ndaj Zotit e Kishës, më kanë ndihmuar
e kanë qenë pranë meje. Para së gjithash ju, të dashur Vëllezër Kardinaj: urtia juaj,
këshillat tuaja, miqësia juaj për mua kanë qenë tejet ë çmueshme; Bashkëpunëtorët
e mi, duke filluar nga Sekretaria e Shtetit, që më ka shoqëruar gjatë këtyre viteve
me besnikëri; Sekretarinë e Shtetit e mbarë Kurien Romake, si dhe të gjithë ata që,
nuk dalin në pah, që mbesin në hije, po pikërisht në heshtje, me përkushtim të përditshëm,
me frymën e fesë e të përvuajtërisë kanë qenë për mua mbështetje e sigurtë dhe e besueshme.
Një mendim të veçantë ia drejtoj Kishës së Romës, Dioqezës sime! Nuk mund t’i harroj
Vëllezërit e mi në Episkopat e në Meshtari, njerëzit e shuguruar e të përkushtuar
dhe mbarë Popullin e Zotit: gjatë vizitave baritore, gjatë takimeve, gjatë audiencave,
gjatë udhëtimeve, gjithmonë e kam ndjerë vëmendjen e madhe e dashurinë e thellë; po
edhe unë ju kam dashur shumë të gjithëve e secilin, pa dallim, me atë dashuri baritore,
që është në zemrën e çdo Bariu, sidomos në atë të Ipeshkvit të Romës, e Pasardhësit
të shën Pjetrit Apostull. Çdo ditë, secilin prej jush e kam pasur në lutjen time,
në zemrën atërore.
Dua që përshëndetja dhe falënderimi im t’u arrijë
të gjithëve: zemra e Papës hapet për të gjithë botën. E dua t’i shpreh mirënjohjen
Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, që e bën këtu të pranishme familjen e madhe
të kombeve. Mendoj edhe për të gjithë ata, që punojnë për një komunikim e informim
të saktë, të cilët i falënderoj për shërbimin e tyre të rëndësishëm. Pastaj, dua
të falënderoj me gjithë zemër, edhe njerëzit e shumtë në të gjithë botën, që gjatë
javëve të fundit më kanë treguar shenja mallëngjyese kujdesi, miqësie dhe janë lutur
për mua. Po, Papa nuk është kurrë vetëm, tani edhe një herë po e provoj kaq madhërishëm,
sa më prek zemrën. Papa u përket të gjithëve e shumë njerëz e kanë ndjerë veten pranë
tij. Është e vërtetë se marr letra nga të mëdhenjtë e kësaj bote – nga krerët e shteteve,
nga krerët fetarë, nga përfaqësuesit e botës së kulturës, etj.. Por marr edhe shumë
letra nga njerëz të thjeshtë, që më shkruajnë drejtpërdrejtë nga zemra e tyre e më
bëjnë ta ndjej dashurinë, që lind nga bashkimi me Jezu Krishtin, në Kishë. Këta njerëz
nuk më shkruajnë, ashtu siç i shkruhet, për shembull, një princi, apo ndonjë të madhi,
që nuk e njeh. Më shkruajnë si vëllezër e motra, ose si bij e bija, me ndjenjat e
lidhjes familjare, plot dashuri. Këtu preket me dorë ç’është Kisha – jo organizatë,
jo shoqatë më qëllime fetare ose humanitare, por një korp i gjallë, një bashkim vëllezërish
e motrash në Korpin e Jezu Krishtit, që i bën një, të gjithë. Ta përjetosh Kishën
në këtë mënyrë e të prekësh me dorë forcën e së vërtetës dhe të dashurisë së saj,
është burim e arsye gëzimi, në një kohë kur shumë flasin për rënien e saj. Por shohim
se Kisha është gjallë sot.
Gjatë këtyre muajve të fundit, ndjeva se forcat
po më linin dhe, i kërkova Zotit me këmbëngulje, në lutje, të më shndrisë me dritën
e Vet, që të marr vendimin më të drejtë, jo për të mirën time, por për të mirën e
Kishës. E bëra këtë hap, me vetëdije të plotë për rëndësinë dhe për risinë e tij,
por me qetësi të thellë në shpirt. Ta duash Kishën do të thotë edhe të kesh guximin
për të marrë vendime të vështira, të vuajtura, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën
e Kishës e jo vetveten.
Këtu, më lejoni të kthehem edhe një herë te 19 prilli
i vitit 2005. Pesha e vendimit kuptohet edhe nga fakti se, që nga ai çast e më pas,
isha i impenjuar përherë e përgjithmonë për Zotin. Gjithmonë – kush e merr përsipër
ministerin pjetrin nuk ka më jetë private. U përket përherë e me gjithë vetveten të
tjerëve, mbarë Kishës. Jeta e tij, si të thuash, privohet krejtësisht nga përmasa
private. Munda të provoj, e po e provoj edhe tani, se njeriu e fiton jetën, pikërisht
kur e dhuron atë. Më parë, thashë se shumë njerëz e duan Zotin, duan Pasardhësin e
Shën Pjetrit dhe ndjehen të lidhur me të; se Papa ka shumë vëllezër e motra, bij e
bija në të gjithë botën dhe, ndjehet i sigurt në përqafimin tuaj, në bashkim me ju;
sepse nuk i përket më vetvetes, u përket të gjithëve e të gjithë i përkasin atij.
“Përherë”
do të thotë se është “përgjithmonë” – nuk mund të kthehesh më në jetën private. Vendimi
im për t’u tërhequr nga ushtrimi aktiv i shërbimit, nuk e ndryshon këtë. Nuk kthehem
në jetën private, apo në jetën e udhëtimeve, të takimeve, të pritjeve, të konferencave
etj.. Nuk e braktis Kryqin, por mbetem, në një mënyrë të re, pranë Zotit të Kryqëzuar.
Nuk kam më pushtetin zyrtar për qeverisjen e Kishës, por me lutje – shërbim tjetër
ky – mbetem, si të thuash, brenda rrethimit të Shën Pjetrit. Shën Benedikti, emrin
e të cilit e mbaj si Papë, do të jetë një shembull i madh për t’u ndjekur. Ai na dëshmon
udhën për një jetë, e cila, aktive apo pasive, i përket krejtësisht veprës së Hyjit.
Ju
falënderoj të gjithëve dhe secilin, edhe për respektin dhe mirëkuptimin me të cilat
e pritët këtë vendim, kaq të rëndësishëm. Unë do të vazhdoj ta shoqëroj udhën e Kishës
me lutje e reflektime, me atë përkushtim për Zotin dhe Nusen e tij, që jam munduar
ta jetoj deri tani, çdo ditë, e që do të dëshiroja ta jetoj përgjithmonë. Ju kërkoj
të më kujtoni para Zotit e, sidomos, të luteni për Kardinajtë, të thirrur në një detyrë
kaq të rëndësishme, si edhe për Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull: Zoti e ndihmoftë
me dritën dhe forcën e Shpirtit të Vet.
T’i lutemi për ndërhyrjen amnore Virgjërës
Mari, Nënës së Zotit dhe të Kishës, që ta shoqërojë secilin prej nesh e mbarë bashkësinë
kishtare; Asaj ia besojmë vetveten, me fe të thellë.
Të dashur miq! Zoti e
udhëheq Kishën, Ai e mban dhe mbështet gjithmonë, edhe e sidomos në çaste të vështira.
Të mos e humbasim kurrë këtë vështrim të fesë, që është i vetmi këndvështrim i vërtetë
për udhën e Kishës e të botës. Në zemrat tona, në zemrën e secilit prej jush, të qoftë
përherë siguria e lume se Zoti është pranë nesh, nuk na braktis, është afër e na përqafon
me dashurinë e Tij. Faleminderit!