2013-02-26 10:43:45

Ekzekutimi i 22 intelektualëve nga regjimi komunist më 26 shkurt 1951


Shqipëri: 26 shkurt 1951 regjimi komunist ekzekuton 22 intelektualë shqiptarë. Pra, si sot, më 26 shkurt 1951nga regjimi komunist i Tiranës u pushkatuan 22 intelektualë shqiptarë, pa ditur përse-në, pa avokat, pa prokuror, pa gjyq, pa vendim, thjeshtë sepse byroja politike komuniste kishte vendosur dhe se i duheshin disa të ekzekutuar.
Kështu, më 26 shkurt 1951 u ekzekutuan 22 intelektualë shqiptarë nga regjimi komunist me pretekstin se në 21 shkurt kishin shpërthyer një bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.
Diktatura komuniste inskenoi në stilin e saj të ashtuquajturën bombë për justifikimin e një vale të re terrori që ndërmorri kundër figurave, të cilëve mund t'u njohim vetëm një faj, patriotizmin, antikomunizmin dhe formimin e tyre në vende të zhvilluara perëndimore.
Preteksti absurd për hedhjen e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike, kur këta njerëz nuk kishin lidhje me këtë incident, erdhi si pasojë e kthesës politike të ish-ushëheqësit komunist Enver Hoxha drejt politikës së Moskës.
Në këtë ngjarje gjetën zbatim në mënyrë perfekte zbatimi i urdhrave dhe taktikave sovjetike në eliminimin e kundërshtarëve, duke ia kaluar madje edhe vetë udhëheqësit shpirtëror, Stalinit. Kjo masë e marrë nga sistemi jashtë ligjeve në fuqi solli pushkatimin e intelektualëve nga familje fisnike shqiptare dhe kjo do të vazhdonte edhe në të ardhmen me spastrimin, internimin e këtyre familjeve në breza dhe fis.
Intelektualët e vrarë nga diktatura komuniste 57 vjet më parë ishin; Sabaha Kasimati, Mehmet Shkupi, Ali Qoralliu, Anton Delhysa, Gafur Jegeni, Fadil Dizdari, Gjon Temali, Haki Kodra, Jonuz Kaceli, Lluka Rankoviç, Manush Peshkopia, Myftar Jegeni, Niko Lezo, Pjerin Guraziu, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Tefik Shehu, Thoma Katundi. Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, në kujtim të 22 intelektualëve , "viktima të terrorit komunist", sot ndodhet një memorial, i ngritur në vitin 1993.Masakra e 26 shkurtit 1951 është një përvjetor të një reflektimi të madh të shoqërisë shqiptare për të gjithë historinë tonë, kjo merr një vlerë reflektimi edhe më të lartë.







All the contents on this site are copyrighted ©.