2013-02-26 16:34:36

Detyra e Kolegjit kardinalor në Kishë


Ja disa shënime historike e dispozita të Kodit të së drejtës kanonike kishtare mbi Kolegjin e Kardinajve. Kolegjit të Kardinajve, në kohën kur Selia Apostolike e Kishës së Romës është vakante, pra e lirë, i besohet qeverisja e Kishës vetëm për udhëheqjen e çështjeve të rëndomta e për përgatitjen e asaj që nevojitet për zgjedhjen e Papës së ri. Gjatë Selisë Vakante, i tërë pushteti civil i Papës, konkretisht qeveria e Qytet-Shtetit të Vatikanit, i takon Kolegjit Kardinalor, i cili pavarësisë se ka këtë detyrë, nuk mund të dekretojë ligje përveç në raste të ndonjë nevoje urgjente e vetëm për kohën sa zgjat periudha e Selisë Vakante e Selisë së Shenjtë.
Që në shekullin VI, me emrin kardinal thirrej presbiteri ose diakoni që, falë aftësive të tij, caktohej në shërbim të Kishës Katedrale dhe bënte pjesë në këshillin e ipeshkvijve.
Kategoritë e kardinajve në Romë ishin tri:
kardinaj diakonë, që kujdeseshin për pallatin lateranens, për shtatë departamentet e Romës dhe të varfrit e tyre;
kardinaj presbiter, që kujdeseshin për pesë Kishat e mëdha të Romës ( Kishën e Shën Pjetrit, të Shën Palit, të Shën Lorencit jashtë mureve, të Shën Marisë së Madhe e të Shën Gjonit në Lateran) ku zhvillonin e dhe shërbimin e tyre liturgjik;
dhe kardinaj ipeshkvij, që ndihmonin Papën gjatë kremtimeve liturgjike në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Të tria kategoritë bënin pjesë në Këshillin ose në Senatin e Papës së Romë, të cilin e ndihmonin për të drejtuar jo vetëm Kishën e Romës, por mbarë Kishën universale. Kështu, që nga shekulli XI, nisi veprimtaria e Kolegjit Kardinalor.
Kardinajtë emërohen nga Papa në Koncistor. Në vitin 1958, Gjoni XXIII e kapërceu kufirin e 70 kardinajve dhe vendosi që kardinajtë e tre urdhrave të kishin dinjitetin e ipeshkvijve. Më 1970 Pali VI, me Motu Proprio-n “Ingravescentem aetatem” vendosi që kardinajtë mbi 80 vjeç të mos kishin të drejtë të merrnin pjesë në Konklav, në sa numri i pjesëmarrësve do të ishte 120, gjë që u konfirmua edhe nga Gjon Pali II në Kushtetutën “Universi Dominici gregis”. .
Mund të themi, prandaj, se kardinajtë janë bashkëpunëtorët kryesorë të Papës, si kur drejtojnë dikasteret e Kuries Romake dhe Qeverinë e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, ashtu edhe kur janë titullarë të selive më të rëndësishme ipeshkvnore të botës. Kolegjialisht luajnë rolin e organit këshillimor për çështjet më të rëndësishme të drejtimit të Kishës, përmes Koncistoreve, që thirren nga Papa ose nga Qeveria e Kishës dhe e Qytet-Shtetit të Vatikanit gjatë Selisë Vakante. Por detyra më e rëndësishme e më delikate për kardinajtë, është ajo e zgjedhjes së Papës së ri në konklav.
E pikërisht para një detyre të tillë ndodhen kardinajtë, të cilët nesër do të mblidhen në Kapelën Sikstine, në sa mbarë bota është në pritje të Papës së ri.
E tani, pas Papës Benedikti XVI, brenda gjysmës së parë të marsit, portat e Kapelës Sikstine do të hapen për 116 kardinajtë votues të cilët do të mblidhen në Konklavin e ri për të zgjedhur pasardhësin e Papës Jozef Ratcinger – Benediktit XVI.

Gjatë zhvillimit të Konklavit, kardinajtë zgjedhës dhe të gjithë ata që janë thirrur të bashkëpunojnë për zhvillimin normal të zgjedhjeve, vendosen në mjedise të përshtatshme të Qytet Shtetit të Vatikanit, brenda mureve të tij, në izolim të plotë. Kardinajtë zgjedhës sistemohen në Domus Sanctae Marthae, ndërtuar kohët e fundit brenda në Qytetin e Vatikanit.
Ndërsa zgjedhjet bëhen në Kapelën Sikstine, ku kardinajtë përgatiten shpirtërisht për të pritur dhuratën e Shpirtit të Shenjt e ku gjithçka të ushqen vetëdijen e pranisë së Zotit, para Fytyrës të të cilit do të paraqiten të gjithë një ditë, për t’u gjykuar.

Kujtojmë se Kapela Sikstine nuk është tjetër veçse Kapela e Madhe, e themeluar në vitin 1357 nga Urbani V, rindërtuar nga Siksti IV, nga i cili mori edhe emrin ndërmjet viteve 1475 – 1480. Muret anësore u pikturuan me afreske nga piktorë të famshëm toskanë e umbrë, si Pinturikio, Cosimo Rosselli, Botticelli, Ghirlandaio e Perugino. Balaustra, që e ndan më dysh Kapelën dhe këngtoria janë vepër e Mono da Fiesole, Giovanni Dalmatas e Bregnois. Më pas këtu punoi kryeveprat e veta Mikelanxhelo Buonarotti, i ngarkuar me këtë detyrë nga papa Juli II. Qe ai që, duke mbuluar afreskun e Peruxhinos, realizoi, nën papninë e Palit III, në faqen e murit të Elterit, veprën e famshme “Gjyqi Universal” dhe vijoi të punojë edhe në mjedise tjera të kapelës. Në qendër të afreskut është Krishti gjykatës së bashku me Virgjërën Mari; rreth tyre, një lëvizje formash njerëzore: të vdekur që rigjejnë trupat e tyre, të tjerë në ngjitje drejt qiellit, shenjtorë të panjohur ose të njohur nga mjetet me të cilat u munduan, engjëj, fanfara engjëllore, legjione qiellore që rrokullisin në ferr shpirtra të dënuar, të cilët luftojnë me dëshpërim për të shpëtuar nga djajtë. Pamje madhështore, para së cilës papa Pali III kremtoi për herë të parë lutjet mbrëmësore. Pikërisht gjatë këtyre lutjeve Gjyqi Universal u zbulua para syve të mrekulluar të të pranishmëve. E edhe sot e kësaj dite mrekullohet çdo sy, që e shikon këtë kryevepër të papërsëritshme arti, disa prej figurave lakuriqe të së cilës qenë veshur nga Daniele da Volterra, me urdhër të Piut IV, në vitin 1565.
Kapela është restauruar disa herë, për shkak të dëmtimit nga tymi i qirinjve, nga lagështira që hyn prej çatisë dhe elementë të tjerë. Reastaurimi i fundit, nën papninë e Gjon Palit II, zgjati 13 vjet e përfundoi me një kremtim solemn eukaristik më 6 prill 1994.







All the contents on this site are copyrighted ©.