Benedikti XVI: lutja, vepër e Shpirtit Shenjt në ne.
Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 16 majit 2012, duke u ndaluar
posaçërisht tek vendi i lutjes në Letrat e Shën Palit, Benedikti XVI shpjegoi kuptimin
e dhuratës, që buron prej saj. Për Apostullin e Popujve, lutja është fryt i pranisë
së gjallë, reale, frymëzuese të Atit qiellor e të Jezu Krishtit në shpirtin tonë,
për virtyt të Shpirtit Shenjt: është, pra, veprim i Shpirtit të Atit e të Birit. Duke
analizuar posaçërisht Letrën drejtuar Romakëve, Papa shpjegoi se në lutje mund t’ia
hapim zemrën Zotit, duke e lënë gjithë kohën tonë në duart e Tij. Kështu ne provojmë,
më shumë se në përmasa të tjera të ekzistencës e të jetës së krishterë, ligështinë
tonë, varfërinë tonë; ndjejmë se jemi krijesa të natyrshme, vënë përballë gjithëpushtetit
të Zotit të mbinatyrshëm. Sa më shumë përparojmë në dëgjimin e zërit të Zotit e në
dialogun me Të, aq më shumë, shtoi Papa, e perceptojmë ndjesinë e cakut tonë, jo vetëm
përballë situatave konkrete të çdo dite, por edhe në vetë marrëdhëniet me Zotin. Rritet,
kështu, në ne, dëshira për ta lëshuar vetveten në dorë të Hyjit e për t’i besuar gjithnjë
më shumë Atij, që ndriçon mendje e zemra: “E Shpirti Shenjt na ndihmon në
paaftësinë tonë, na i ndriçon mendjet e na i ngroh zemrat, duke na marrë për dore,
për të na çuar drejt Zotit. Për Shën Palin, lutja është sidomos ndikim i Shpirtit
Shenjt mbi natyrën tonë njerëzore. Shpirti i Zotit merr mbi vete ligështinë tonë,
për të na shndërruar nga njerëz të lidhur me realitete materiale, në njerëz shpirtëror”. Prej
këndej, Shpirti Shenjt na shndërron e, në praninë e tij realizohet bashkimi ynë me
Krishtin, sepse është fjala për Shpirtin e Birit të Zotit, në të cilin edhe ne bëhemi
bij. Pra Shën Pali, shpjegoi Benedikti XVI, flet për Shpirtin e Krishtit, e jo vetëm
për shpirtin e Hyjit: “Jo vetëm Hyji Atë u bë i dukshëm në Mishërimin e Birit, tha
Papa, por edhe Shpirti i Hyjit dëftohet në jetën e në veprimtarinë e Krishtit të kryqëzuar,
të vdekur e të ngjallur. Pra është Shpirti ai, që e drejton zemrën tonë kah Jezu Krishti. Në
se shqyrtojmë sjelljet e njeriut kur, në jetën e tij të krishterë, e lë të veprojë
Shpirtin e Krishtit në shpirtin e tij, në gjithçka mendon, bën e thotë; në punë e
në lutjen e frymëzuar, nënvizoi Papa, vërejmë se ai është në gjendje ta mposhtë çdo
lloj frike e skllavërie e të jetojë në lirinë e vërtetë të Bijve të Zotit. Është Shpirti
Shenjt ai, që na çliron nga ndeshjet e ashpra shpirtërore, të cilat na mundojnë në
çdo hap të jetës. Është Fryma e Shenjtë, e jo vullneti ynë, që na qetëson zemrat e
na ndriçon mendjet: “Përmes lutjes provojmë lirinë e dhuruar nga Shpirti:
liri e vërtetë, e çliruar nga e keqja e nga mëkati, për të mirën e jetës, për Hyjin.
Liria e Shpirtit, vijon Shën Pali, nuk njëjtësohet kurrë me shthurjen, e as me mundësinë
për të zgjedhur rrugën e së keqes; ajo njëjtësohet me frytin e Shpirtit Shenjt, që
është dashuri, është gëzim, paqe, shpirtmadhësi, bujari, mirësi, besnikëri, butësi
e vetësundim. Kjo është liria e vërtetë. I lirë është ai, që mund të realizojë vërtetësisht
dëshirën për të bërë mirë, ai që mund të provojë gëzimin e vërtetë të bashkimit me
Zotin, që nuk shtypet nën peshën e rrethanave, të cilat i prijnë në drejtime të tjera”. Në
se e lëmë Shpirtin e Krishtit të veprojë në shpirtin tonë, shtoi Papa, edhe vetë lidhja
me Zotin bëhet tejet e thellë. Atë nuk mund ta këpusë më asnjë realitet e asnjë situatë.
Kuptojmë, atëherë, se përmes lutjes u çliruam nga provat e vuajtjet, ndërsa mund të
jetojmë në bashkim me Krishtin, me vuajtjen e tij, të bindur se në të ardhmen do të
mund të jetojmë edhe me lumninë e Tij. Shumë herë në lutjen tonë, kujtoi Papa,
i lypim plot besim Zotit hirin të na çlirojë nga e keqja fizike e shpirtërore e nga
i keqi, e megjithatë, shpesh kemi përshtypjen se Ai nuk na e vë veshin. Atëherë e
humbasim guximin, dëshpërohemi, e britma jonë drejtuar nga qielli, bëhet lot i hidhur
në sy: “Por, s’ka britmë njerëzore, që nuk arrin para fronit të Zotit, e
pikërisht gjatë lutjes së përhershme e besnike, kuptojmë, njëherësh me Shën Palin,
se vuajtjet e së sotmes, nuk e pengojnë lumninë e së ardhmes, që do të rrezatojë dritë
në shpirtin tonë”. Prej këndej, mund të themi se lutja nuk na e shkarkon
barrën e provës e të vuajtjes, por na ndihmon ta jetojmë e ta përballojmë me forcë
të re, me atë besim, që pati vetë Jezusi në ditët e shtegtimit të tij tokësor, kur
lartonte sytë nga Ati e i lutej me gjithë zemër të mos e braktiste: “Përgjigjja
që Hyji Atë i dha Birit, britmave të tij tronditëse e lotëve të tij, nuk ishte çlirimi
i menjëhershëm nga vuajtjet, nga kryqi, nga vdekja, por përmbushje e një dëshire shumë
më të madhe, shumë më të thellë. Përmes Kryqit e vdekjes, Hyji iu përgjigj Birit me
Ngjalljen, me jetën e re. Lutja e frymëzuar nga Shpirti Shenjt na ndihmon edhe ne
ta jetojmë plot shpresë e besim çdo ditë të shtegtimtit mbi tokë, me provat e vuajtjet
e saj, të bindur se Hyji do të na përgjigjet një ditë, ashtu si iu përgjigj të Birit”. Përveç
kësaj, duhet kujtuar se lutja, e ndihmuar nga Shpirti i Krishtit, nuk mbyllet kurrë
në vetvete, por e nxit njeriun t’ia hapë zemrën të mjerëve, t’ua dëgjojë britmat e
të marrë pjesë në vuajtjet e tyre e të botës sonë. Bëhet, kështu, vijoi Benedikti
XVI, ndërmjetësim për të tjerët, kanal shprese për gjithë krijesën, shprehje e asaj
dashurie, me të cilën Zoti i mbush përplot zemrat tona, përmes Shpirtit Shenjt, që
na u dhurua. Pikërisht me urimin për t’i kushtuar sa më shumë kohë lutjes, si prani
e veprimtarisë së Shpirtit Shenjt, që na bashkon me Zotin me gjithë zemër e me gjithë
vetveten, e përfundoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger audiencën e përgjithshme të 16
majit 2012, duke u kujtuar besimtarëve se Shpirti Shenjt bëhet forca e lutjes sonë
të ligshtë e se nuk duhet të ndjehen kurrë vetëm.