2013-02-26 15:23:48

Atë Lombardi: sot ditë lutje e përgatitje për nesër e pasnesër. Benedikti XVI do të thirret Papë nderi


Në konferencën e sotme të shtypit në Vatikan, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi dha disa sqarime të reja për Papën Benedikti XVI. Pas fillimit të Selisë Vakante, Ati i Shenjtë do të vazhdojë të quhet Shenjtëria e Tij Benedikti XVI, por edhe Papë nderi, siç ka kërkuar ai vetë. Do të vishet gjithnjë me petkun e bardhë, por pa mantelin e purpurtë e pa këpucët e kuqe. Jozef Racinger është shumë i kënaqur me këpucët, që i patën dhuruan në Leon të Meksikës e vazhdon të mbajë ato.
Do të shkatërrohet unaza e Peshkatarit, që është tipike për çdo papë, pasi mban stemën e papnisë, e cila përdoret edhe si vulë për dokumentet. Kamerlengu së bashku me Dekanin e Kolegjit kardinalor e kanë për detyrë ta thyejnë atë plotësisht, sipas normave të Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”. Përsa i përket Selisë Vakante, atë Lombardi shpjegoi se kardinali dekan do t’u dërgojë më 1 mars, një fletë-thirrjeje të gjithë kardinajve, pra një letër, me të cilën u kërkon të vijnë në Vatikan. Kongregacionet, pra mbledhjet e kardinajve, do të fillojnë më 4 mars. Gjatë ditëve të mëpasme do të merret vesh numri i kardinajve të pranishëm, sa prej tyre janë betuar e, lajme të tjera si këto. Vendi ku do të mblidhen kardinajtë për të diskutuar e shoshitur punët e Kishës, para Konklavit, do të jetë salla e re e Sinodit. Ata nuk do të shkojnë në Shtëpinë e Shën Martës deri pak para fillimit të Konklavit. Dhomat në këtë shtëpi caktohen me short, gjatë kongregacioneve.
Në fillim të konferencës për shtyp, atë Federiko Lombardi falenderoi rektorin dhe bashkësinë akademike të Universitetit Papnor Gregorian për meshën e djeshme të falenderimit për Benediktin XVI, që u kremtua në kishën e Jezusit në Romë, kishë e mbajtur nga jezuitët. Pastaj sqaroi se sot, Papa nuk ka ndonjë veprimtari të veçantë, por do ta kalojë ditën në lutje e në përgatitje për të shkuar në Kastel Gandolfo, pas dy ditësh.
Nesër, audienca e tij e fundit e përgjithshme, në të cilën parashikohet pjesëmarrje e jashtëzakonshme. Vetëm bileta, janë shpërndarë 50 mijë! Skema nuk ndryshon nga e zakonshmja, vetëm se Papa do të bëjë një xhiro më të madhe me papamobil. Nuk do të zhvillohet ceremonia e puthjes së dorës, në përfundim të audiencës, por do të ketë një audiencë private me autoritetet në Sallën Klementina. Ndër të tjerë, të pranishëm, presidenti i Sllovakisë, ai i Bavarisë, Princi i Andorrës dhe përfaqësues të Republikës së San Marinos.
Të enjten, në orën 11.00, Ati i Shenjtë do të përshëndesë kardinajtë, prej të cilëve do të flasë Dekani i Kolegjit Kardinalor. Në orën 16.55, Benedikti XVI do të niset me makinë për në heliport, nga ku me helikopter do të shkojë në Kastel Gandolfo. Parashikohet të arrijë rreth orës 17.15. Në vend, do ta presin ipeshkvi i Albanos, famullitari, autoritetet dhe besimtarët, që edhe këtu, mendohet të jenë të shumtë. Pikërisht ata do të përshëndesë Papa në orën 17.30, kur do të dalë në ballkonin e Pallatit Apostolik. Në orën 20.00, Rojet Zvicerane do të mbyllin portën e Pallatit Apostolik në Vilat Papnore, duke i dhënë fund kështu, zyrtarisht, papnisë së Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.