2013-02-25 15:47:55

Konferencë shtypi e imzot Çelatës dhe e atë Lombardit


Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi mbajti sot një konferencë shtypi për të folur mbi tema të ndryshme. Kryesorja, Motu Proprio e Papës Benedikti XVI dhe ndryshimet në procedurën e zgjedhjes së Papës së ri. Pastaj, takimi i Atit të Shenjtë me kardinajtë e Komisionit hetimor për daljen e dokumenteve të rezervuara jashtë apartamentit papnor, si edhe tërheqja e kardinalit skocez Keit O’Brajën, i cili nuk do të marrë pjesë në Konklavin e ardhshëm.
Benedikti XVI – shkruhet në komunikatën, që u lexua gjatë takimit me gazetarët – falenderoi kardinajtë e Komisionit hetimor për punën e bërë “duke shprehur kënaqësinë për rezultatet e hetimit”. Në dokumentin, që i është dorëzuar Papës nga tre kardinajtë – që kujtojmë janë Herranz, Tomko dhe De Giorgi – përkrah kufizimeve dhe të metave karakteristike të komponenteve njerëzore të çdo institucioni, vihet në dukje edhe bujaria, ndershmëria dhe përkushtimi i sa e sa punonjësve të Selisë së Shenjtë. Papa – shkruhet më tej në komunikatë – vendosi që aktet hetimore, përmbajtjen e të cilave e di vetëm Shenjtëria e Tij, të mbeten në dispozicion vetëm të Papës së ardhshëm. Atë Federiko Lombardi sqaroi:
“Këtu përfundon mandati i Komisionit, pra “pas plotësimit të detyrës’. Prandaj, Komisioni është shpërndarë që sot paradite. Papa vendosi që raporti të jetë në dispozicion të pasardhësit të tij”.
Përsa i përket tërheqjes së kardinalit O’Brajën, të cilën Papa e ka pranuar, atë Lombardi tha:
“Komunikata jonë nuk i referohet pjesëmarrjes në Konklav. I referohet drejtimit të dioqezës së Edimburgut, udhëheqje që përfundon përmes kësaj tërheqjeje”.
Imzot Pierluigji Çelata, zv.kamerleng i Kishës së Shenjtë Romake, shpjegoi më pas Motu Proprio-n e Benediktit XVI, me të cilën ndryshojnë disa norma të Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”, miratuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1996:
“Synimi kryesor i Atit të Shenjtë, sqarohet fare mirë prej tij: duke marrë parasysh rëndësinë e këtij problemi, të sigurohet zhvillimi më i mirë i mundshëm i gjithçkaje, që ka të bëjë me zgjedhjen e Papës së Romës, veçanërisht, një interpretim dhe zbatim më i saktë i disa prej normave të vetë Kushtetutës”.
Atë Federiko Lombardi theksoi se do të jenë mbledhjet e kardinjave, pas fillimit të Selisë Vakante, ato, që do të përcaktojnë datën e Konklavit:
“Natyrisht, nuk mund të mblidhet para 1 marsit, sepse kardinjatë nuk mund të takohen para 1 marsit. Është e nevojshme të thirren për kongregacionin e parë të përgjithshëm e, ndoshta, nuk do të vendosin në atë mbledhje për Konklavin. Prandaj, mendoj se duhet të presim kalimin e ditëve të para të marsit, për të pasur një vendim formal”.







All the contents on this site are copyrighted ©.