Benedikti XVI falënderon rregulltarët e rendit kundrues: Konkalvi mbështetet në lutjen
tuaj të fuqishme drejtuar Hyjit për Kishën
Benedikti XVI falënderon Manastiret e jetës kundruese të mbarë botës për lutjen që
i lartojnë Hyjit në këtë moment të veçantë të jetës së Kishës. Kështu bëri të ditur
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në një mesazh dërguar
rregulltarëve e rregulltareve të klauzurës në mbarë botën. “E tërë Kisha – shkruan
kardinali Bertone – ndjek me ankth e me vëmendje të veçantë ditët e fundit të papnisë
së ndritur” të Benediktit XVI dhe pret ardhjen e Pasardhësit të tij, që kardinajt
e mbledhur në Konklav, “të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, do të zgjedhin, pas të kenë
shqyrtuar së bashku shenjat e kohëve të Kishës dhe të botës”. Kardinali Bertone përsërit
edhe një herë thirrjen për lutje drejtuar Hyjit, që Benedikti XVI u bëri të gjithë
besimtarëve që “ta shoqërojnë në momentin e dorëzimit të misionit pjetrin (papnor)
në duar të Zotit, e të presin me durim ardhjen e Papës së ri”; kjo thirrje e Benediktit
XVI për t’u lutur, në mënyrë të veçantë u drejtohet kundruesve. “Prej jush, prej Manastrive
femërore e mashkullore të përhapura në mbarë botën” - shpjegoi kardinali Bertone
– Papa “është i bindur se mund të nxjerr burimin e çmuar, atë të fesë së lutur, që
gjatë shekujsh e ka shoqëruar dhe mbështetur udhën e Kishës. Konklavi i ardhshëm –
shtoi Bertone – do të mund të mbështetët, në mënyrë të veçantë, mbi lutjen tuaj të
pastër që buron nga zemra si himn lavdi”. Për kardinalin Bertone “shembulli më
domethënës i këtij lartësimi shpirtëror, që tregon përmasën më të vërtetë e të thellë
të çdo akti kishtar, atë të Shpirtit Shenjt që e udhëheq Kishën”, na ofrohet nga vet
Benedikti XVI “që, pasi ka qeverisur Barkën e Pjetrit ndër tallaze të historisë,
ka vendosur t’i përkushtohet sidomos lutjes, kundrimit të të Tejlartit dhe reflektimit”.
Papa – përfundon kardinali Bertone – falënderon të gjithë rregulltarët e rregulltaret
e rendit kundrues, duke ripohuar “dashurinë dhe konsideratën” e madhe që ka për ta.