Përkujtojmë sot 101 vjetorin e botimit të fletëpalosjes “Fiala e T’in’ Zot”,
të arbëreshëve të Sicilisë. Më 25 shkurt të vitit 1912 nisi të dilte fletëpalosja
e parë “Fiala e T’in’ Zot” në fshatin e Arbëreshëve ‘Hora e Arbëreshëve’, mbi Palermo,
një revistë për të ndihmuar besimtarët të merrnin pjesë në kremtimin e Meshës së Shenjtë,
në gjuhën arbënore. Prandaj “Fiala e T’in’Zoti” ka një meritë të jashtëzakonshme,
me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e krishterët me fletën e përshtatshme,
që t’u mundësonte besimtarëve një pjesëmarrje më të gjallë e në mënyrë aktive në kremtimet
liturgjike si ajo e Fjalës Hyjnore dhe e Eukaristisë së Shenjtë. Natyrisht, ishte
tepër shpejt të pretendohej për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë,
që nisi të dilte në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo, tek Hora e Arbëreshëve më datën
25 shkurt të vitit 1912, përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të
Kreshmëve (Jani (Gjoni) 1,44-52), komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment
nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb 11,24-26;32-49). Si fletëpalosje “Fiala e
T’in’ Zot” kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte Pal
Schiroi me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrotën dhe priftit papas Gjergj
Dorangrikjen. Kujtojmë se përpjekjet e para për t'i pajisur besimtarët me fletëpalosje
të Meshës në Shqipëri, do të ishin fryt i penës të Atë Vinçenc Prennushit, i cili
nisi ta botonte fletëpalosjen e vet, tri vjet pas mbylljes së fletpalosjes arbëreshe,
më 1918, duke e quajtur krijesën e vet njëlloj: "Fjala e Tynzot".