2013-02-24 15:48:45

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit denoncon përpjekjet për të kushtëzuar kardinajtë me lajme të rreme, ose të paverifikueshme


Komunikatë e Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, në të cilën kritikohet roli i mediave, në përpjekjen për të kushtëzuar zgjedhjen e Papës së ardhshëm:
“Liria e Kolegjit Kardinalor, të cilit i takon, sipas ligjit, zgjedhja e Papës së Romës, është mbrojtur gjithnjë fuqishëm nga Selia e Shenjtë, si garanci për një zgjedhje të bazuar mbi vlerësime, që kanë për qëllim vetëm të mirën e Kishës.
Gjatë shekujve, kardinajve u është dashur të përballojnë forma të ndryshme presioni, ushtruar mbi zgjedhës të veçantë, ose mbi vetë Kolegjin, që kishin si qëllim kushtëzimin e vendimeve, duke ua nënshtruar ato logjikës së tipit politik, ose tokësor.
Nëse, në të kaluarën, ishin të ashtuquajturat Fuqi, pra shtetet, që përpiqeshin të kushtëzonin zgjedhjen e Papës, sot, hyn në lojë pesha e opinionit publik, shpesh, e bazuar në vlerësime, të cilat nuk e kapin aspektin tipik shpirtëror të çastit, që po përpjeton Kisha.
Është për të ardhur keq që, me afrimin e kohës së fillimit të Konklavit, kur kardinajtë me të drejtë vote, sipas ndërgjegjes e para Zotit, do t’u duhet të shprehin lirisht vendimin e tyre, shumëfishohet përhapja e lajmeve, shpesh të paverifikuara, ose të paverifikueshme, madje edhe të rreme, që shkaktojnë dëme të mëdha për njerëzit e institucionet.
Kurrë si në këto çaste, katolikët përqendrohen në ç’është më thelbësore: luten për Papën Benedikti XVI, luten që Shpirti Shenjt ta shndrisë Kolegjin e Kardinjave, luten për Papën e ardhshëm, me besim se fatet e barkës së Shën Pjetrit janë në duart e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.