Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Papa: e keqja e njollos bukurinë e Zotit, por
kush beson e sheh të vërtetën dhe dashurinë
Në një botë që e “njollos” bukurinë e Hyjit, të besosh do të thotë ta “prekësh” dorën
e Tij e ta shohësh dashurinë e Tij. Kështu pohoi sot paradite në Vatikan Papa Benedikti
XVI, në përfundim të ushtrimeve shpirtërore të kohës së Krezhmëve, të cilat sivjet,
para Papës e anëtarëve të Kuries Romake, u predikuan gjatë tërë kësaj jave nga kardinali
Gianfranco Ravasi. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger falënderoi bashkëpunëtorët e tij
që gjatë këtyre viteve kanë nda bashkë me të përgjegjësinë e misionit pjetrin, përgjegjësinë
e shërbimit papnor. Terri e ndyrësia. E keqja vepron për të vë në hije, për të
njollosur bukurinë e Zotit. Por nga errësira e nga balta dilet me fe, e besimi është
busulla që na ndihmon ta gjejmë, në mesin e territ, dorën e Zotit, e të rizbulojmë
dashurinë dhe të vërtetën. Imazh i thjeshtë e i fuqishëm ky që përdori Papa Benedikti
XVI për t’i dhënë zë eksperiencës shpirtërore që u përjetua këtyre ditëve në Vatikan,
duke dëgjuar e reflektuar mbi meditimet krezhmore të kardinalit Ravasi. Që në çastin
kur Hyji e krijoi botën, për të konstatuar më pas, në fund, se gjithçka “është shumë
e bukur”, pikërisht kjo mahnitje, ky konstatim “shumë e bukur”, pohoi Papa “në mënyrë të
përhershme kundërshtohet e luftohet nga e keqja e kësaj bote, nga vuajtja, nga korrupsioni...aq
sa gati të thuash se i keqi (djalli) e njollos gjithmonë krijimin, për ta kundërshtuar
Zotin e për të bërë të shpërfytyrohet, pra të mos njihet e vërteta e tij e bukuria
e tij”. E gjatë fjalës së tij, duke përmendur se fili udhërrëfyes i ushtrimeve
shpirtërore ishte “Arti i besimit, arti i lutjes”, Benedikti XVI tha se ka menduar
që teologët mesjetarë e kanë përkthyer fjalën greke Logos, jo vetëm me Verbum – që
shqip do të thotë Fjalë, por edhe me ars, që do të thotë “art”, duke i konsideruar
“ndërthurshmërinë”, “ndërkëmbyeshmërinë” mes tyre. Këtë për të thënë, vijoi Papa,
se “Logosi nuk është vetëm arsyetim matematikor: Logosi ka një zemër; Logosi është
edhe dashuri. E vërteta është e bukur dhe e vërteta e bukuria shkojnë së bashku: bukuria
është vula e së vërtetës”. Në fillim të fjalës, Benedikti XVI falënderoi kardinalin
Ravasi që propozoi, përmes Psalmeve, një udhëtim të bukur “në gjithësinë e fesë”.
“Kemi mbetur të mahnitur – shpjegoi Ati i Shenjtë Ratcinger – nga pasuria, nga thellësia,
nga bukuria e këtij universi të fesë e jemi mirënjohës sepse Fjala e Zotit na ka folur
në mënyrë të re, me forcë të re”. Por edhe fjalët e fundit të Papës janë fjalë
mirënjohjeje. Një mirënjohje që tejkalon kufijtë e Kapelës Redemptoris Mater në Vatikan,
ku gjatë kësaj jave u mbajtën ushtrimet shpirtërore, e që dëshiron të ripohoi se mbarimi
e fillimi i ri tashmë i afërt, në zemër të Papës, do të jenë përherë klithje për të
ecur edhe më tej në vazhdimësi, të “këtij universi të mistershëm të fesë, për të
qenë kurdoherë të aftë për t’u lutur, për të punuar, për të kumtuar, për të qenë dëshmitarë
të së vërtetës, që është e bukur, që është dashuri”. “Së fundi, të dashur
miq, dua t’u falënderoj të gjithë ju e jo vetëm për këtë javë, por këto tetë vjetët,
gjatë cilave bashkë me mua keni bartur, me kompetencë të madhe, me përzemërsi, me
dashuri, me fe, peshën e misionit pjetrin. Kjo mirënjohje mbetët në mua megjithëse
tani përfundon pamja e jashtme e bashkimit, por – siç tha kardinali Ravasi – mbetët
afërsia shpirtërore, mbetët bashkimi i thellë në lutje. Me këtë bindje të shkojmë
përpara, të sigurt në fitoren e Zotit, të sigurt në të vërtetën e bukurisë e të dashurisë”.
Faleminderit ju të gjithëve!