2013-02-22 16:42:35

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Kardinal Ravazi: meshtarët, dëshmitarë në shoqëri, por të lirë nga lidhjet me politikën


Dita e parafundit e ushtrimeve shpirtërore në Vatikan, mbajtur sivjet, nga kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi. Në meditimet e tij, pasi foli mbrëmë mbi diturinë dhe bukurinë si udhë për të shkuar drejt Zotit, kardinali vuri theksin në figurën e meshtarit, por përmendi edhe familjen dhe të moshuarit.
Dy psalme, 16 dhe 73, ishin baza e reflektimit të parë. Në të dyja tekstet meshtarake rrëfehet dobësia e shpirtit, mëkati, por shihet edhe drejt horizontit të fundëm, drejt bashkimit të plotë më Zotin. Duke përshkruar karakteristikat e meshtarit në Torah, kardinali Ravazi u ndal në një pikë themelore:
“Meshtari duhet të jetë i pranishëm në shoqëri, pikërisht sepse është ndërmjetësues mes Zotit dhe popullit e duhet të jetë i lirë nga çdo lidhje dhe interes konkret, nuk duhet të marrë pjesë, nuk duhet të përzihet në çështje politike, megjithëse duhet të jetë i pranishëm me dëshminë e tij”.
Zoti duhet t’u mjaftojë të gjithëve e ky është edhe kuptimi i vargjeve të fundit të Psalmit 16, ku përshkruhet feja në pavdekësinë e saj, që është bashkim i plotë mistik e përqafim me Zotin. Por, në shoqërinë e sotme, vërejti kardinali Ravazi, pavdekësia nuk konceptohet kështu. Njerëzit duan ta fshijnë nga faqja e dheut edhe idenë e vdekjes:
“Pavdekësia e shoqërisë bashkohore është përpjekja për të jetuar më gjatë, për të shëruar organet e trupit, për t’i ndërruar si të ishim makina e kështu, të vazhdojmë jetën. Ky konceptim i pavdekësisë është jashtëzakonisht i mjerë. Që në Enciklikën “Spe Salvi”, Benedikti XVI na kujton se amshimi nuk është vazhdimësia pa fund në kohë. Mund të jetë, madje, mallkim të vazhdosh gjithmonë të jetosh pa cak, në një lloj lëvizjeje të përhershme”.
Në Psalmin 73, vazhdoi meditimin kardinali Ravazi, tregohet udha për t’u kthyer tek Zoti. Çdo besimtar, pra edhe meshtari, mund të kalojë ndonjë krizë feje, por me lutje, rigjen besimin e plotë në Hyjin dhe e lë veten në dorë të Tij, duke ndjekur planin që Zoti ka për të, siç bën meshtari i psalmit:
“Këta meshtarë na ftojnë për një farë qetësie, edhe në realitetin e jetës së përditshme, edhe në gabime – gabime shpirtërore e jetësore – sepse edhe ato shërbejnë për ta ngjeshur më mirë brumin e jetës. Por si mesazh të fundit na thonë të shohim përtej, të shohim përpara e më tej akoma, drejt horizontit të fundëm. Ky s’është tjetër, veçse mesazhi i Pashkëve!”
Në meditimin e dytë, kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, foli për familjen, duke kujtuar përkufizimin, që i pati bërë sociologu i famshëm Levi-Strauss: familja është “bashkim pak, ose shumë i qëndrueshëm, por i pranishëm në çdo shoqëri”. Pavarësisht nga sprovat, ndër të cilat, në kohën e sotme, ka marrë rëndësi të veçantë papunësia, por edhe vetmia:
“Fatkeqësisht, shoqëria bashkohore ka zgjedhur si emblemë ‘portën e blinduar’: kemi frikë nga çdo gjë jashtë saj. Dikur ishte oborri i shtëpive, vendi ku jetonim. Portat ishin të hapura e njerëzit komunikonin. I ndanim bashkë si gëzimin, ashtu edhe lotët, ndërsa tani, jemi “qirinj të izoluar”. Por, duhet të kemi parasysh se flaka jep edhe ngrohtësi, jo vetëm djeg e shkatërron”.
Në Psalmin 128 jepet një imazh i familjes, që ndokush e konsideron si të prapambetur, tashmë. Babai mban familjen, ndërsa nëna, shtëpinë, duke ruajtur intimitetin brenda saj:
“Intimitet, që nuk mbushet vetëm me seksualitet. Shoqëria e sotme e ka copëtuar zinxhirin, që përbëhej prej tri hallkash. Hallka e parë: seksualiteti, por i vetëm nuk mjafton, e kanë edhe kafshët. Hallka e dytë: njeriu është i aftë për ‘eros’, që nuk do të thotë pornografi. Eros-i është zbulimi i bukurisë, i ndjenjës, i pasionit, i dëshirës për të ndenjur bashkë, i mrekullisë në sytë e tjetrit. Por, as kjo nuk mjafton. Njeriu është i aftë – e me këtë hallkë mbyllet zinxhiri – të dashurojë”.
E pastaj fëmijët, shenjë se Krijimi dhe historia e shëlbimit vazhdojnë. E, edhe të moshuarit, dëshmitarë të fuqisë së Zotit, që e kanë provuar në jetë. Një himn i lashtë tibetian, i shërbeu kardinalit Ravazi për të përmbledhur mendimin e tij në këtë frazë, që ua la kardinajve për meditim: “trupi i të moshuarit është arkë e çmuar, peshtaf plot me lavde feje”. Nesër, meditimi i fundit i këtyre ushtrimeve shpirtërore dhe fjala e Papës Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.