2013-02-22 17:09:54

Konferencë shtypi mbi Kushtetutën “Universi Dominici Gregis” për normat e Konklavit


Kushtetuta apostolike “Universi Dominici Gregis” e Gjon Palit II ishte sot në qendër të takimit me gazetarët, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. I pranishëm, sekretari i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, imzot Juan Ignacio Arrieta.
Kushtetuta në fjalë, miratuar nga Karol Vojtila më 22 shkurt 1996, përcakton normat për zgjedhjen e një pape. Në të parashikohet Selia Vakante edhe në rastin e tërheqjes së Papës nga shërbimi papnor. Gjatë Selisë Vakante, sqaroi imzot Arrieta, udhëheqja e Kishës i besohet Kolegjit kardinalor vetëm për punët e zakonshme të përditshme. Para zgjedhjes së Papës së ri, kardinajtë mblidhen në atë, që në gjuhën kishtare, quhet Kongregacion, pra mbledhje, asamble. Parashikohen dy lloje Kongregacionesh. I pari është i përgjithshëm dhe marrin pjesë të gjithë kardinajtë. I dyti, quhet “i veçantë” dhe u rezervohet çështjeve me rëndësi më të vogël. Në të marrin pjesë kardinali – kamerleng i Kishës dhe tre kardinaj me të drejtë vote, që zgjidhen çdo ditë me short.
Në Kushtetutë, numri maksimal i kardinajve me të drejtë vote është 120. Përjashtohen nga votimi, kardinajtë që kanë mbushur moshën 80 vjeç, në ditën e fillimit të Selisë Vakante. Konfirmohet Kapela Sikstine si vend për Konklavin dhe banesa e kardinajve në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Një nga risitë e kësaj Kushtetute është shfuqizimi i zgjedhjes me brohoritje, ai me votim unanim jo të fshehtë dhe ai me kompromis, që u rezervohej vetëm disa prelatëve, që përfaqësonin të gjithë kardinajtë me të drejtë vote. E vetmja formë e ligjshme është ajo e votës së fshehtë.
Imzot Juan Ignacio Arrieta kujtoi se Benedikti XVI mund të miratojë një Motu Proprio për Konklavin, para se të fillojë Selia Vakante:
“Papa mund të ndryshojë ligjin për Konklavin, para fillimit të Selisë Vakante. Pra, mund të vendosë hapjen e tij, duke bërë një përjashtim nga Kushtetuta, në mënyrë që kardinajtë të mos qëndrojnë 15 ditë më shumë jashtë selisë së tyre… Kjo është e mundur, por nuk është e thënë që Papa ta bëjë”.
Asnjë kardinal me të drejtë vote nuk mund të përjashtohet nga votimi. Tërheqja, që duhet pranuar nga Kolegji i kardinajve, mund të bëhet për arsye shëndetësore të provuara, ose për ndonjë arsye tjetër të rëndë. Prelatët që, në një mënyrë ose në një tjetër, japin lajme jashtë për zgjedhjen e papës së ri mund të shkishërohen. Gjithsesi, edhe kur shkishërohet, kardinali gëzon të drejtën e votës. Ja ç’tha atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë:
“Besoj se e kemi dëgjuar të gjithë se kardinali i Xhakartës, në Indonezi, ka paraqitur vështirësitë e veta, për arsye shëndetësore. Por, pranimi i këtyre arsyeve, vlerësimi nëse mund të justifikohet ose jo, varet nga Kolegji kardinalor”.
Sipas Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”, pasi kalojnë 15 ditë, maksimumi 20, nga fillimi i Selisë Vakante, të gjithë kardinajtë me të drejtë vote duhet të procedojnë me zgjedhjen e papës së ri. Ditën e parë të Konklavit parashikohet vetëm një votim, pastaj, katër votime në ditë, dy paradite e dy pasdite. Kardinajtë nuk duhet të mbajnë korrespondencë me të tjerë, me letra, me telefon, ose me ndonjë mjet tjetër komunikimi.
Skeda e votimit ka formë katërkëndëshi. Në pjesën e sipërme, shkruhet mundësisht me shkronja shtypi: “Eligio in Summum Pontificem”. Në gjysmën e poshtme, çdo kardinal shkruan emrin e të zgjedhurit të vet. Mbushja e skedave duhet të bëhet në mënyrë të fshehtë, me shkrim sa më të kuptueshëm, nga secili prej kardinajve.
Ndryshimi i vetëm i Kushtetutës “Universi Dominici Gregis” është bërë nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007, me Motu Proprio “De Aliquibus mutantionibus in normis de electione Romani Pontifici”. Ajo rikthen normën, sipas së cilës, çdo votim është i vlefshëm vetëm me dy të tretat e votave. Pas votimit të 34-t (ose të 35-të, nëse është votuar ditën e hapjes së Konklavit) vazhdohet me “ballotazhin” ndërmjet dy kardinajve, që kanë marrë më shumë vota. Gjithsesi, që votimi i mëpasëm të jetë i vlefshëm duhen dy të tretat e zgjedhësve.








All the contents on this site are copyrighted ©.