2013-02-21 16:12:27

Indiferenca dhe cektësia, të këqiat e vërteta të kulturës së sotme: kështu kardinali Ravazi, në ushtrimet shpirtërore në Vatikan


Pajtimi e pendesa, heshtja e Zotit dhe hiçi. Mbi këto tema u përqendrua meditimi i sotëm i kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili po mban ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.
Mëkati, vuri në dukje prelati, është vepër personale e lind nga liria, që Zoti i ka dhënë njeriut. Nganjëherë, njeriu e shpërdoron këtë liri e rebelohet, revoltohet, por s’bën tjetër, veçse largohet nga Hyji i vet:
“Mëkati është para së gjithash e sidomos, një realitet teologjik; mund të ketë edhe aspekte psikologjike, por është teologjik. Prandaj, Sakramenti i Pajtimit nuk mund të barazohet kurrë me psikoanalizën, sepse është absolutisht themelore vetëdija që ka mëkatari për Zotin”.
Udha e drejtë, vazhdoi kardinali Ravazi, gjendet në kthimin e zemrës, që na bën ta ndryshojmë mendësinë e të lemë pas gjërat, pas të cilave ishim kapur me thonj e me dhëmbë. Natyrisht, nuk është e lehtë. E këtu, kardinali Ravazi u lexoi të pranishmëve Letrën e dytë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve, duke nënvizuar një term juridik, që shpreh lidhjen ndërmjet njeriut e Zotit:
“Katalaso, katalagè: kjo fjalë teknike është folja, që tregon aktin e gjykatësit, i cili përpiqet të pajtojë dy bashkëshortë, që s’merren vesh ndërmjet tyre. Është gjesti, tashmë i famshëm – pjesë e jurisprudencës në shumë vende të botës – në rastet e ndarjes e të divorcit: zakonisht, gjykatësi, në mënyrë formale, pyet nëse palët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje. Shën Pali përdor këtë fjalë të pajtimit juridik, të themi; prandaj, është fjalë që ka pas vetes përmasën bashkëshortore – pra, atë lidhje që ne kishim me Zotin – lidhje martesore, që prishet me anë të mëkatit”.
Në udhën e lodhshme drejt faljes, nuk mungon tensioni, pritja, “drithërima e thellë” e emocionit, tha kardinali Ravazi, për t’u bërë njerëz të rinj:
“Në shoqëri, jo gjithmonë të jepet mundësia t’ia nisësh nga fillimi: disa njollosen përgjithmonë, pavarësisht se ligji parashikon përpjekje për ta ndrequr e për t’ia propozuar sërish shoqërisë, njeriun që gabon. Por, mbetet gjithnjë një lloj vule mbi atë, që ndoshta me të drejtë, është gjykuar si fajtor. Ndërsa në Bibël nuk është kështu; sidomos në Isainë Profet, kemi figurën e Zotit, që i hedh pas shpine mëkatet e njerëzve, që të mos i shohë më. Pra, ato mëkate nuk ekzistojnë më për Hyjin. Kjo është shlyerja e vërtetë e tyre”.
Mungesa, apo heshtja e Zotit dhe hiçi: temë tjetër e meditimit të kardinalit Ravazi, i cili u bazua në Psalmet 14 dhe 53. Dy termat duken të ngjashme, por nuk janë e njëjta gjë. Duke e thjeshtuar çështjen, mungesa e Zotit sjell nostalgjinë për Të, ndërsa asgjëja, hiçi është e keqja e vërtetë e kulturës së sotme. Jo kur mendojmë se Zoti hesht, por kur mendojmë se nuk ekziston, hyjmë në botën e ateizmit praktik:
“Është indiferenca, është cektësia, është banaliteti. Si mund të ndikojmë në këtë lloj mjegulle, në këtë lloj përzierjeje; është diçka elastike, e squllët, që nuk përmban asnjë nostalgji brenda vetes, është asgjëja, hiçi, e jo boshllëku i pritjes. Nga pikpamja baritore, ne meshtarët, fatkeqësisht, hasim më shpesh këtë formën e dytë të ateizmit”.
Pastaj, duke folur për heshtjen e Zotit, kardinali Ravazi vërejti sa herë e ndjen këtë besimtari:
“Ta mendojmë vetveten, sa herë e kemi provuar heshtjen e Zotit, mungesën e Tij, ndoshta përmes shkurajimit e mosbesimit. Për ne, Hyji nuk zhduket krejtësisht nga horizonti, por nuk e ndjejmë më. Do të dëshiroja që ne të gjithë, që jemi ipeshkvij, të mendojmë pak edhe për klerin, për të gjithë ata meshtarë që jetojnë këtë përvojë e nuk kanë aftësi ta përtypin si duhet, aftësi, që ne duhet t’u japim atyre, sidomos përmes dëshmisë”.
E megjithatë, psalmisti, pasi provon heshtjen e Zotit, në përfundim të Psalmit 22, arrin të thotë plot gëzim: “Ti m’u përgjigje!” Ashtu si për të, për të gjithë besimtarët, lutja drejtuar Hyjit bëhet himn falenderimi, shenjë besimi pas orëve të heshtura, dëshmi se lutja nuk bie në vesh të shurdhër. Kardinali Ravazi dha një shembull kuptimplotë. Dramaturgu i teatrit absurd, Eugene Ionescu, ateist, para së të vdiste shkroi këtë frazë:
“T’i lutem. Nuk di kujt. Shpresoj, Jezu Krishtit”.
Ndërkaq, mbrëmë, kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës e përqendroi vëmendjen në kategoritë e dhimbjes e të izolimit. Zoti, në Jezu Krishtin, nënvizoi prelati, duke shpjeguar këndvështrimin e krishterë për këto argumente, përkulet mbi njeriun dhe e merr mbi vete vuajtjet e kufizimet e tij. Jezusi provon krejt gamën e errët të dhimbjes: frikë, vetmi, izolim, tradhëti, vuajtje fizike, heshtje e Zotit, vdekje. Gjithë dhimbjet e njeriut i bart mbi trupin e vet, si shpërblim për mëkatet e shumë vetëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.