Atë Luigj Paliqi, martir, në përvjetorin e lindjes
Sot më 21 shkurt kujtojmë përvjetorin e lindjes së martirit Atë Luigj Paliqit.
Atë Luigji lindi në Janjevë, dioqeza e Shkupit, më 21 shkurt 1879. Prindërit Toma
e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare
në radhët e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku
më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e përkohshme i bëri më
23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas meshës së parë, kremtuar
më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e
njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të fshatin
Gllogjanit. Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve
katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos
në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme,
për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë
publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj
e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të
tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Patër Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me
plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më.
Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte
vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit
të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i
cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet
e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të
feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e
shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një
martir të ri Kishës katolike në Shqipëri. Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin
këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të
ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia
prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve
në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht nga serbët, do të binin në fushën
e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë. E Evropa,
rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej
duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun
për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo, edhe për një
Evropë më të krishterë, më të mirë!Shumë bujë bëri vdekja e tij. E shumë hetime e
bisedime diplomatike shkaktoi. Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit
austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, Imzot Lazër
Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës
së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër
Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri
me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" . Ky varr,
ku Imzot Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në
vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një elter të ri. Martiri fitoi!