2013-02-20 17:01:21

Papa: Paolucci, ende nuk ka udhëzime për mbylljen e kapelës Sikstina për Konklavë


Ende nuk dihet saktësisht data e mbylljes së Kapelës Sikstina në Vatikan për t’i lënë vendin fillimit të punimeve të Konklavës për zgjedhjen e Papës së ri. “Tani për tani nuk kam marr udhëzime rreth mbylljes së Kapelës Sikstina. Jam në pritje të një komunikimi zyrtar”, tha drejtori i Muzeve të Vatikanit, Antonio Paolucci. Nën qemerin e pikturuar me afreske nga Michelamgelo, 117 kardinaj do të mblidhen për zgjedhjen e pasardhësit të Benediktit XVI, i cili më 11 shkurtin e kaluar njoftoi Kolegjin kardinalor për tërheqjen e tij nga papnia.
Kujtojmë se Kapela Sikstine nuk është tjetër veçse Kapela e Madhe, e themeluar në vitin 1357 nga Urbani V, rindërtuar nga Siksti IV, nga i cili mori edhe emrin ndërmjet viteve 1475 – 1480. Muret anësore u pikturuan me afreske nga piktorë të famshëm toskanë e umbrë, si Pinturikio, Cosimo Rosselli, Botticelli, Ghirlandaio e Perugino. Balaustra, që e ndan më dysh Kapelën dhe këngtoria janë vepër e Mono da Fiesole, Giovanni Dalmatas e Bregnois. Më pas këtu punoi kryeveprat e veta Mikelanxhelo Buonarotti, i ngarkuar me këtë detyrë nga papa Juli II. Qe ai që, duke mbuluar afreskun e Peruxhinos, realizoi, nën papninë e Palit III, në faqen e murit të Elterit, veprën e famshme “Gjyqi Universal” dhe vijoi të punojë edhe në mjedise tjera të kapelës. Në qendër të afreskut është Krishti gjykatës së bashku me Virgjërën Mari; rreth tyre, një lëvizje formash njerëzore: të vdekur që rigjejnë trupat e tyre, të tjerë në ngjitje drejt qiellit, shenjtorë të panjohur ose të njohur nga mjetet me të cilat u munduan, engjëj, fanfara engjëllore, legjione qiellore që rrokullisin në ferr shpirtra të dënuar, të cilët luftojnë me dëshpërim për të shpëtuar nga djajtë. Pamje madhështore, para së cilës papa Pali III kremtoi për herë të parë lutjet mbrëmësore. Pikërisht gjatë këtyre lutjeve Gjyqi Universal u zbulua para syve të mrekulluar të të pranishmëve. E edhe sot e kësaj dite mrekullohet çdo sy, që e shikon këtë kryevepër të papërsëritshme arti, disa prej figurave lakuriqe të së cilës qenë veshur nga Daniele da Volterra, me urdhër të Piut IV, në vitin 1565.
Kapela është restauruar disa herë, për shkak të dëmtimit nga tymi i qirinjve, nga lagështira që hyn prej çatisë dhe elementë të tjerë. Reastaurimi i fundit, nën papninë e Gjon Palit II, zgjati 13 vjet e përfundoi me një kremtim solemn eukaristik më 6 prill 1994.







All the contents on this site are copyrighted ©.