2013-02-20 17:01:10

Konferencë shtypi në Vatikan për historinë e Konklaveve


Konklavet për zgjedhjen e Papës, veçanërisht duke filluar nga viti 1900, qenë sot në qendër të konferencës së shtypit në Vatikan, mbajtur nga zv.prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, Ambrogio Piazzoni.
Një shtegtim tërheqës nëpër dokumenta, që akoma sot, megjithëse kanë kaluar shekuj, përbëjnë bazat e zgjedhjes së një pape. Në veçanti, në vitin 1059, dekreti i Papës Nikolla II vendos që vetëm kardinajtë mund të zgjedhin papën, pasi ata janë përfaqësuesit e Kishës së Romës. Me një dekret tjetër të vitit 1179, Papa Aleksandri III përcakton se zgjedhja është e vlefshme nëse votojnë pro, dy të tretat e kardinajve. Për të shmangur zgjatjen e pafrytshme të Selisë Vakante, në vitin 1274, Gregori X themelon Konklavin, si vend për zgjedhjen e papës. Konklavi i parë në histori është ai i Arecos, në vitin 1276, në të cilin u zgjodh Papa Inoçenci V. Në vitin 1621, Gregori XV vendos që Papa të zgjidhet me votë të fshehtë, me shkrim.
Pasi kujtoi këto çaste thelbësore historike, zv.prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, Ambrogio Piazzoni, u ndal në konklavet e fundit. Pas vitit 1900, i pari qe ai i 1903-shit, me zgjedhjen e Piut X, por edhe me një risi: vendoset detyrimi për ruajtjen e të gjitha dokumenteve në arkiv, në dispozicion vetëm të Atit të Shenjtë. Në vitin 1914, me votimin e dhjetë, zgjidhet Benedikti XV:
“Qe rasti i vetëm, në të cilin u bë verifikimi i skedave, sepse numri i votave pro Papës Benedikti XV ishte ekzaktësisht ai i dy të tretave të pjesëmarrësve dhe, meqë ishte e pavlefshme vota e një kardinali për vetveten, duhej të kontrollohej që Benedikti XV nuk kishte votuar për vete”.
Në vitin 1922, Piu XI vendosi ta shtrijë nga 10 në 15 ditë, periudhën e pritjes së kardinajve, që nuk ishin të pranishëm në Romë, për t’u dhënë mundësi edhe atyre, që vinin nga larg, të merrnin pjesë në Konklav. Në vitin 1939, për herë të parë pas shumë shekujsh, në Konklav marrin pjesë të gjithë kardinajtë:
“Ishin 62 e të gjithë, të pranishëm. Ishte viti 1939 e në dy ditë e tri votime, u zgjodh Eugjenio Paçeli, Papa Piu XII”.
Pas Luftës II Botërore, në vitin 1945, pikërisht ky papë nënshkruan Kushtetutën “Vacantis Apostolicae Sedis”, e cila përmbante disa risi:
“Dy të tretave të votave, të parashikuara për vlefshmërinë e zgjedhjes, iu shtua – për kujdes, thotë Kushtetuta – një votë: pra shumica u bë dy të tretat plus një. Kjo do të thoshte se nuk ishte më i nevojshëm asnjë kontroll skedash, sepse edhe nëse ndokush voton vetveten, do të ishte ajo votë më tepër. Edhe më i rëndësishëm qe vendimi që përcaktonte se, nga çasti i fillimit të Selisë Vakante, të gjithë kardinajtë, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, të gjithë prefektët e Kongregatave, etj., pushohen nga detyra, me përjashtim të tre vetëve: Kamerlengut, Pendestarëve dhe Vikarit të Romës”.
Në vitin 1958, zgjidhet Papa Gjoni XXIII, i cili, me Motu Proprio “Summi Pontificis electio”, parashikon mundësinë për të ruajtur edhe shënimet e letrat e kardinajve. Në stufë digjen vetëm skedat. Në vitin 1970, një dokument tjetër i rëndësishëm:
“’Ingravescentem Aetatem’, Motu Proprio me të cilin, Papa Pali VI vendosi që në Konklav, kardinjatë të kishin të drejtë vote deri në mbushjen e moshës 80-vjeçare”.
Në vitin 1978 vdes Pali VI e Konklavi ishte mjaft i populluar. Morën pjesë 111 kardinaj, me tre mungesa:
“U kryen katër votime dhe u zgjodh Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I, i cili vdiq vetëm 33 ditë më vonë e, natyrisht, nuk pati kohë të miratojë ndonjë ligj për Konklavin. Zhvillohet Konklavi i dytë i vitit 1978: pas tetë votimesh u zgjodh Karol Vojtila. Edhe ai miratoi në vitin 1996, një legjislacion, në fuqi edhe sot, që quhet Kushtetuta ‘Universi Dominici Gregis’”.
Kjo Kushtetutë sjell disa risi:
“Një nga gjërat më interesante e më të reja ka të bëjë me faktin se vendoset vendi ku do të mbahet Konklavi: Kapela Sikstine. Interesant është edhe përcaktimi i vendit ku do të banojnë kardinajtë, shtëpia “Shën Marta”. Ndërsa përsa i përket procedurave, bien poshtë dy mënyra të zgjedhjes së papës: ai për frymëzim apo me brohoritje dhe ai me kompromis”. Në vitin 2005, Papa i dashur Gjon Pali II, tashmë i Lum, ia lë vendin Benediktit XVI:
“Pati ndryshime vetëm në një pikë të caktuar, që ishte neni 75 i Kushtetutës së Gjon Palit II. Me anë të Motu Proprio ‘De aliquibus mutantionibus in normis de electione Romani Pontificis’, të publikuar në gazetën ‘L’Osservatore Romano’, u jepet mundësi kardinajve, pas 34 votimeve, të vendosin për një mënyrë tjetër votimi. Ky mund të jetë një votim, ku të merren parasysh vetëm kardinajtë, që kanë numrin më të madh të votave në votimin e mëparshëm, por gjithsesi, nuk zgjidhet ai që ka më shumë vota, por ai që do të marrë dy të tretën e votave në votimin e mëpasëm”.
Normat në fuqi parashikojnë se kardinajtë duhet “të presin ata, që mungojnë” për 15 ditë, para se të fillojë Konklavi. Prandaj, nëse të gjithë kardinajtë do të jenë në Romë, para këtij afati, shpjegoi zv.prefekti i Bibliotekës Apostolike, mund të mendohet për fillimin e Konklavit, para përfundimit të 15 ditëve. Gjithsesi, kardinajtë “e vonuar” pranohen në Konklav edhe pas fillimit të punimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.