Benedikti XVI e kriza ekonomike: të ndryshohet modeli i zhvillimit, të mos cenohen
të drejtat shoqërore
“Kriza na detyron ta mendojmë e planifikojmë përsëri udhën tonë, t’i përcaktojmë rregulloret
e reja e të gjejmë forma të reja të impenjimit”: ky është një nga fragmentet kryesore
të Enciklikës ‘Caritas in veritate’ të Papës Benediktit XVI. Zhvillimi njerëzor i
tërësishëm i njeriut dhe i popujve, në një kohë të rëndë krize ekonomike, është pikërisht
një ndër temat që ka karakterizuar papnisë e Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger. Ja disa
ndërhyrje e dokumente të Magjisterit shoqëror të Benediktit XVI Gjatë papnisë së
tij, Benedikti XVI nuk e harroi krizën ekonomike dhe pasojat e saj në jetën e popullsive
civile, prandaj kërkoi të luftohet spread-i por edhe hendeku ndërmjet të pasurve e
të varfërve. “Nëse në krizën aktuale ekonomike po luftohet “spead-i” financiar,
lypet luftuar edhe “mirëqenia shoqërore”, e t’i vihet freni “rritjes së dallimit ndërmjet
pakicës së njerëzve, përherë e më të pasur, e shumicës së njerëzve, që në mënyrë të
pandreqshme varfërohen”. Kështu pohoi Papa Benedikti XVI në fjalimin e tij drejtuar
më 7 janar 2013 në Vatikan Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. “Nëse
preokupon treguesi i dallimit ndërmjet taksave financiare – tha Papa në një fragment
të fjalimit në fillim të vitit 2013 drejtuar Trupit Diplomatik pranë Shtetit të Vatikanit
-, do duhet të na shqetësonte posaçërisht rritja e vazhdueshme e dallimit ndërmjet
pak njerëzve, që përherë e më shumë pasurohen, e shumicës së njerëzve, të cilët në
mënyrë të pashmangshme përherë e më shumë po varfërohen. Prandaj, nuk duhet të dorëzohemi
para ‘spead-it të mirëqenies shoqërore’, po ta luftojmë atë të financës”. “Shtetet
të orientohen e të përqendrohen ndaj së mirës së përbashkët”, tha akoma Papa duke
folur për situatën e krizës ekonomike, në Evropë, ku – tha ai- “disa Vende veç e veç
mund të ecën ndoshta shumë më shpjet, por, së bashku, të gjitha sigurisht që do të
shkojnë shumë më larg!”. “Nuk duhet të dorëzohemi para spread-it të mirëqenies
shoqërore, por ta luftojmë atë të financës”. Ky fjali, është padyshim, një ndër pohimet
e Papës Benediktit XVI që do të mbesin përherë në kujtesën kolektive. Në vazhdën e
Doktrinës shoqërore të Kishës, Papa Ratcinger ka ofruar një vështrim e vizion të tij
origjinal rreth zhvillimit të popujve. Një sfidë kjo që ende sot mbetët ndër më urgjentet
shkaktuar nga një ndër krizat më të rënda ekonomike me të cilën bota po ballafaqohet
pas Depresionit të Madh të vitit 1929. Që në hapat e parë të misionit të tij papnor,
Benedikti XVI u kërkoi të gjithëve një “guxim vëllazëror” e luftimin e stileve të
jetesës dhe të modeleve të zhvillimit që të orientohen drejt në udhe të drejtë e të
thjeshtë. Lypet, është qortimi tij, “një sintezë e re ndërmjet së mirës e tregut,
ndërmjet kapitalit e punës”: “Për të kapërcyer krizën ekonomike dhe shoqërore
që po përjetojmë, e dimë se lypet një përpjekje e madhe e lirë dhe e ndërgjegjshme
nga ana e të gjithëve; nevojitet pra, t’i kapërcejmë interesat e veçanta e sektoriale,
kështu që së bashku e të bashkuar t’i bëjmë ballë vështirësive që kanë përfshirë çdo
fushë të shoqërisë, në mënyrë të veçantë botën e punës”. (Audienca me Cisl, 21
janar 2009) Për të dal nga kriza botërore, pohon plot bindje Papa, kemi nevojë
për “një kulturë të re solidariteti dhe pjesëmarrje të ndërgjegjshme, kushte këto
të domosdoshme për të ndërtuar së bashku” të ardhmen e planetit”. Kulmi i Magjisterit
shoqëror i Benediktit XVI përmbahet në enciklikën ‘Caritas in Veritate’. Enciklika,
e botuar më 2009 në krizën e thellë globale, bëhet best seller që tërheq vëmendjen
edhe të punonjësve të Wall Street. Papa Ratcinger kërkon pra një ekonomi në shërbim
të njeriut e, 40 vjet pas ‘Populorum progressio’ të Palit VI, ripohon se zhvillimi
i popujve duhet të jetë i tërësishëm dhe i plotë. Në një kontekst të tillë, vëren
se në zanafillën e krizës ekonomike ekziston një krizë etike, antropologjike: “Në
krizën aktuale ekonomike konfirmohet ajo që është shfaqur në krizat e mëdha të mëparshme,
se përmasa etike nuk është diçka e jashtme apo diçka e shkëputur nga problemet ekonomike,
por është përmasë e brendshme dhe themelore e saj. Ekonomia nuk funksionon vetëm me
një vetërregullim tregtimi e tregu, por ka nevojë për vlerë e arsye etike për të funksionuar”.
(Biseda me gazetarë, gjatë fluturimit drejt Madridit, 18 korrik 2011). Një vështrim
mbi Planetin dhe thirrjet për kapërcimin e krizave politike shoqërore e humanitare
ishin në qendër të vëmendjes në fjalimin tradicional të fillimi të vitit që Papa Benedikti
XVI ua drejtoi më 8 janar 2007 Ambasadorëve të Trupit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë,
në Vatikan, të cilëve u kërkoi të konsolidojnë atë që është pozitive në botë, për
të kapërcyer, kështu, me urti e këmbëngulje, gjithçka e zvetënon dhe e vret njeriun.
Urimi i Benediktit XVI për paqe e qetësi, drejtuar diplomatëve në fillim të fjalimit,
vijoi me shprehjen e solidaritetit për ata që s’kanë paqe e s’njohin qetësi, sepse
- personazhe të dramës së përhershme të mjerimit, në skenën e së cilës edhe në fillimet
e shekullit të 21- të, miliona njerëzve, posaçërisht grave e fëmijëve, u mungojnë
akoma uji, buka, streha: “Shkandulli i urisë, që vijon të bëhet gjithnjë më
i rëndë, është i papranueshëm në një botë, e cila i ka pasuritë, njohuritë e mjetet
e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj drame. I ftoj drejtuesit e kombeve më të pasura
të marrin masat e nevojshme që vendet e varfra, shpesh herë përplot me pasuri natyrore,
të gëzojnë frytet e të mirave që u përkasin.” Tepër shpesh, vërejti Papa duke
folur para Trupit diplomatik në janarin e e kaluar në Vatikan, “është absolutizuar
përfitimi, në dëm të punës”, e janë “përshkuar udhë pa frena të ekonomisë financiare,
në vend që të ndiqet ato reale”. Prandaj lypet “rikuperuar vlerën e kuptimin e punës”,
t’i rezistojmë “tundimeve të interesave të veçanta” për t’u “orientuar në drejtimin
kah e mira e përbashkët”. Shumë herë, Benedikti XVI ka nënvizuar gjatë Papnisë së
tij se ndryshimi i drejtimit e cakut të ekonomisë është i pashmangshëm. Paqja botërore
e zhvillimi kanë nevojë të mbështeten mbi bazën e drejtësisë e të etikës së re të
dialogut, posaçërisht në çastin aktual të paqëndrueshmërisë, shkaktuar nga kriza ekonomike
globale. Ky është vizioni që na ofron Papa Benedikti XVI.