2013-02-19 15:29:40

Kardinal Vallini i fton besimtarët e Romës të marrin pjesë në Audiencën e Përgjithshme të fundit të Benediktit XVI


Vikari i dioqezës së Romës, kardinali Agostino Vallini, në një notë drejtuar sot “të gjithë besimtarëve të dioqezës së Romës”, i nxit të gjithë besimtarët të mblidhen përreth Papës Benediktit XVI, të mërkurën më 27 shkurt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, me rastin e “Audiencës së fundit të Përgjithshme të Papnisë së tij”. E këtë takim të ardhshëm e të fundit të Benediktit XVI me besimtarë, kardinali Vallini e konsideron një takim ngjarje si “një moment domethënës për jetën e Kishës e të dioqezës sonë për t’i shpreh edhe një herë dashurinë tonë e devocionin tonë Atit të Shenjtë dhe për t’iu lutur me Të e për Të Zotit tonë Jezu Krisht, Bariut të amshuar të Kishës”, shkruan kardinali Vallini duke i ftuar besimtarët të marrin pjesë në takimin e fundit me Papën Benediktit XVI, një ditë para tërheqjes së tij nga udhëheqja e Kishës.
Kujtojmë se Audienca e Përgjithshme e fundit e Papës Benediktit XVI do të mbahet paradite më 27 shkurt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, e nuk është parashikuar asnjë biletë hyrëse, siç ndodh zakonisht të Audienca të Përgjithshme. Pra hyrja është pa bileta, pikërisht për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë atyre besimtarëve që duan të përshëndesin Papën.







All the contents on this site are copyrighted ©.