2013-02-19 14:51:15

Benedikti XVI: Kisha, e shpërfytyruar nga fajet e meshtarëve. Thirrje për ndalimin e kristianofobisë.


“Excita, Domine, potentiam tuam, et veni” – “Tregoje (zgjoje) o Zot, fuqinë tënde dhe eja”: këto fjalë, marrë nga Liturgjia e Kohës së Ardhjes së vitit 2010, ishin lajtmotivi i fjalës së Papës Jozef Ratcinger për Kurien Romake, me të cilën më 20 dhjetor 2010 shkëmbeu, urimet për Krishtlindjen e vitit 2010. Fjalim i paharrueshëm ky i Benediktit XVI, në të cilin, duke u nisur nga një analizë e hollësishme e realitetit të shkuar e të sotëm, Papa Jozef Ratcinger vuri gishtin mbi plagët e hapura të Kishës dhe tregoi rrugën për t’i shëruar. Abuzimet seksuale nga ana e disa anëtarëve të klerit, gjendja në Lindjen e Mesme, raporti ndërmjet fesë e arsyes, roli i ndërgjegjes: janë vetëm disa nga argumentet, që trajtoi Ati i Shenjtë në takimin tradicional me kardinajtë. Papa bëri thirrje të ndalet kristianofobia në botë.
Ashtu si në kohën e rënies së Perandorisë Romake, edhe sot, vuri në dukje Benedikti XVI më 20 dhjetor 2010, bota ndihet në ankth, e pasigurt. Konsensusi moral po shpërbëhet, por pa këtë konsensus strukturat juridike e politike nuk funksionojnë më. Duket sikur forcat, që mobilizohen për mbrojtjen e këtyre strukturave, nuk kanë sukses e atëherë e vetmja shpresë mbetet Zoti. Papa i ftoi besimtarët të luten në Kohë të Ardhjes: “Tregoje, o Zot, fuqinë tënde dhe eja”. Është lutja, që i drejtojnë dishepujt Krishtit, kur ishte duke fjetur në varkën e tyre, që lëkundej mnershëm nga stuhia e valëve. Por Jezusi u flet ashpër dishepujve, sepse ajo që fle, në të vërtetë, është feja e besimi i tyre:
“Të njëjtën gjë na thotë edhe neve. Edhe brenda nesh, shpesh, feja fle. Ta lusim pra Hyjin, të na zgjojë nga gjumi i një feje të lodhur e t’i japë fesë fuqinë për të luajtur nga vendi malet – pra, t’i japë rendin e duhur gjërave të botës”.
Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger e çoi mendimin në gjendjen aktuale të klerit, duke u nisur nga Viti Meshtarak, gjatë të cilit – tha Papa – e kuptuam edhe një herë sa bukur është, që njerëz të caktuar autorizohen të japin faljen, në emër të Zotit e me pushtet të plotë, duke ndryshuar kështu botën e jetën:
“Edhe më shumë jemi shkandulluar kur, pikërisht gjatë këtij viti e në përmasa të paimagjinueshme për ne, morëm vesh për abuzimet kundër të miturve, kryer nga meshtarë, që e kthejnë Sakramentin në të kundërtën e tij: nën mantelin e shenjtë plagosin thellë fëmijërinë e njeriut dhe e dëmtojnë për tërë jetën”.
Papa Benedikti XVI kujtoi vizionin e Shën Hildegardës nga Bingeni, e cila më 1170 përshkruante një skenë, që duket sikur e përjetojmë edhe sot. Në vegimin e saj, Kisha përfaqësohej nga një nuse e veshur bukur, por me fytyrën plot pluhur, me mantelin e shqyer e me këpucët plot baltë. Nusja i flet shën Hildegardës dhe i pohon se plagët e Krishtit mbeten të hapura, për sa kohë mbeten të hapura plagët e mëkateve të njeriut:
“Pikërisht, plagët e Krishtit janë të hapura për fajin e meshtarëve. Ata e grisin veshjen time, sepse nuk ndjekin as Ligjin, as Ungjillin e as detyrën e tyre meshtarake. I heqin shkëlqimin mantelit tim, sepse nuk i zbatojnë aspak rregullat, që u janë imponuar atyre. M'i ndotin këpucët, sepse nuk ecin në rrugë të drejta, në rrugët e vështira e të ashpra të drejtësisë dhe, nuk japin shembullin e mirë për besimtarët. Megjithatë, në disa shoh shkëlqimin e së vërtetës”.
E Papa, bën krahasimin e këtij vegimi të shën Hildegardës me kohën e sotme:
“Në vizionin e shën Hildegardës, fytyra e Kishës është plot pluhur, e kështu e kemi parë edhe ne sot. Veshja e saj është e shqyer – për fajin e meshtarëve. Ashtu si ajo pa e shprehu, ashtu kemi përjetuar këtë vit. Ta pranojmë këtë përvujtnim si këshillë për të shkuar drejt së vërtetës dhe si thirrje për përtëritje. Vetëm e vërteta na shpëton”.
Ta pyesim veten, vazhdoi Benedikti XVI, se ç’mund të bëjmë për të ardhmen, ku gabuam në shpalljen e Lajmit të Mirë, në mënyrën tonë për të qenë të krishterë, çfarë e bëri të mundur një tmerr të tillë?
“Të gjejmë vendosmëri të re tek feja dhe tek e mira. Të jemi të aftë të bëjmë pendesë. Të përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur në përgatitjen për meshtari, që një gjë e tillë të mos ndodhë më. E ky është edhe rasti për të falënderuar nga zemra të gjithë ata, që impenjohen në ndihmë të viktimave, për t’u dhënë sërish besimin te Kisha, aftësinë për t’i besuar mesazhit të saj”.
Papa analizoi arsyet e pedofilisë, denoncoi me forcë tregun e pornografisë së fëmijëve dhe turizmin seksual, i cili, sidomos në Vendet në zhvillim, kërcënon një brez të tërë. Më tej, problemi i drogës, keqinterpretimi i lirisë së njeriut dhe diktatura e “mamonës”, e fitimit me çdo kusht. Benedikti XVI vuri në dukje bazat ideologjike të kësaj gjendjeje, e cila i ka rrënjët në vitet ’70, kur pedofilia u teorizua si diçka normale. Edhe në teologjinë katolike, denoncoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger, pati rryma, që theksuan se e mira dhe e keqja nuk ekzistojnë në vetvete, por varen nga rrethanat e nga qëllimi. Pra nganjëherë, ajo që është e mirë mund të duket si e keqe dhe anasjelltas. Pasojat e teorive të tilla, denoncoi Papa, janë sot të qarta. Detyrë e Kishës është t’u shpjegojë njerëzve kriteret e ethosit të krishterë, ashtu siç i shkruante Papa Gjon Pali II në Enciklikën “Veritatis splendor” të vitit 1993, tekst, që duhet vendosur sërish në qendër të formimit të ndërgjegjes.
Argumenti i dytë i fjalimit të Papës para kardinajve të Kuries Romake, qe Sinodi i Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Benedikti XVI kujtoi se personalitete, si Këshilltari i Myftiut të Libanit, e ngritën zërin në mbrojtje të të krishterëve, por edhe se këto zëra mbeten akoma të dobëta:
“Fjalët dhe mendimet e Sinodit duhet të jenë një thirrje e fortë për të gjithë njerëzit me përgjegjësi politike apo fetare, që të ndalin kristianofobinë; të ngrihen në mbrojtje të refugjatëve e të të vuajturve dhe të gjallërojnë frymën e pajtimit”.
Pjesa e fundit e fjalimit, i kushtohej udhëtimit papnor në Mbretërinë e Bashkuar. Benedikti XVI kujton fjalët e shqiptuara në Uestminster Holl, ku pat folur për argumentin e tij të dashur, marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe arsyes, në një shoqëri, që pranon vetëm të vërteta objektive, duke harruar se ekzistojnë edhe të vërteta, që nuk duken e nuk preken me dorë. Ta përdorësh arsyen si qëllim në vetvete, pati theksuar Benedikti XVI, do të thotë t’i kundërvihesh vetë arsyes:
“Të luftosh kundër përdorimit të arsyes si qëllim në vetvete e t’i ruash asaj aftësinë për të parë thelbësoren, për të parë Zotin e njeriun, ç’është e mirë e ç’është e vërtetë, është interesi i përbashkët, që duhet të bashkojë të gjithë njerëzit vullnetmirë. Është në lojë e ardhmja e botës”.
E duke përdorur shembullin e kardinalit Njuman, që e shpalli të Lum, pikërisht gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, Papa tërhoqi vëmendjen drejt domethënies së kthimit të tij në rrugën e Zotit:
“Përmes kthimit të tij në rrugën e Zotit, Njuman pranon së gjërat janë në kahen e kundërt me sa mendonte më parë: Zoti është shpirti, vetvetja e njeriut në nivelin shpirtëror e kjo është vërtet reale, kjo ka rëndësi. Kjo është shumë më reale se objektet, që mund të preken me dorë. Kjo ishte një kthesë kopernikane. Ajo, që deri atëherë dukej si jo e vërtetë dhe dytësore, na zbulohet si vërtet vendimtare”.
Kur njerëzit kthehen në rrugën e Zotit, shpjegoi Papa, nuk ndryshojnë thjesht një teori, por formën themelore të jetës. Nga i Lumi Njuman, tha Benedikti XVI më tej, mësojmë domethënien e vërtetë të fjalës “ndërgjegje”. Ajo nuk është rënie në subjektivizëm, siç ngul këmbë mendimi modern:
“Për të (kard. Njuman) ‘ndërgjegje’ do të thotë aftësi e njeriut për të shkuar drejt së vërtetës: aftësi për të pranuar në fushat vendimtare të ekzistencës së vet – në fe dhe në moral – një të vërtetë, të vërtetën me V të madhe. Ndërgjegjja, aftësia e njeriut për ta njohur të vërtetën, i imponon njëkohësisht detyrën të ecë drejt së vërtetës, ta kërkojë e t’i nënshtrohet kur e takon. Ndërgjegjja është pra, aftësia për ta njohur të vërtetën dhe për t’iu bindur asaj, e cila i shfaqet njeriut me zemër të hapur”.
Papa Benedikti XVI nuk mungoi të përmendë edhe ngjarje, në të cilat – tha Ati i Shenjtë - u tregua qartë se feja nuk i përket së kaluarës, por është një takim me Zotin, që jeton dhe vepron tani, sot, e na hap rrugën drejt gëzimit të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.